28 Mars 2024

Presidenti Sejdiu përuroi Klinikën e rinovuar të Neurologjisë

Prishtinë, 25 mars - Presidenti i Republikës së Kosovës, dr. Fatmir Sejdiu bashkë me Ministrin e Shëndetësisë Alush Gashi, U.D. të Sekretarin Permanent Haxhi Kamberi, drejtorin ekzekutiv të QKUK-së Ali Sadriu dhe personalitete të tjera nga fusha e shëndetësisë, përuroi sot klinikën e rinovuar të  Neurologjisë në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK), projekt ky i financuar nga Ministria e Shëndetësisë e Republikës së Kosovës dhe partnerët e saj.

Në aktin e inaugurimit, Presidenti Sejdiu vlerësoi ekspertizën e mirë të profesionistëve shëndetësor në Kosovë, duke shprehur besimin se ata do të dinë ta përdorin atë në mënyrë sa më efikase, me qëllim që popullatës t’i sigurojnë shërbime shëndetësore sa më kualitative.

Presidenti kërkoi nga profesionistët shëndetësor të Kosovës që gjatë kohës sa janë në punë brenda sistemit publik shëndetësor ta japin maksimumin nga vetja, duke inkurajuar që, sipas ligjeve në fuqi, të zhvillohen sa më shumë shërbimet shëndetësore edhe në sistemin privat, për të cilin tha se po bën gjithashtu hapa të suksesshëm.

“Besoj se investimi si ky dhe ngritja e cilësisë së shërbimeve do të jetë shpagimi më i mirë ndaj njerëzve tanë që kanë nevojë për shërbime shëndetësore”, tha Presidenti Sejdiu.

Kreu i QKUK-së, Ali Sadriu, e ka njohur Presidentin me punët e kryera në Klinikën e rinovuar të Neurologjisë dhe projektet që janë në vijim, duke theksuar  se, sipas një dinamike të paraparë, në funksion të do të vihen edhe Kardiokirurgjia, Njësia e re e Dializës në Kodrën e Trimave, do të investohet në rinovimin e klinikave të tjera për të vijuar me investime kapitale dhe edukim të vazhduar.

Në rinovimin e Klinikës së Neurologjisë Ministria e Shëndetësisë ka investuar 330. 000 euro, duke ngritur në nivelin më të lartë Kujdesin Intensiv.

Ministria e Minierave dhe Energjetikës ka kontribuar me 100.000 euro në ngrohjen solare të klinikës, ndërkohë që Postë-Telekomi i Kosovës (PTK) ka investuar 80.000 euro në pajisjen me inventar.

Qendra Klinike Universitare e Kosovës ndërkaq, ka investuar 12 mijë euro në ndërrimin e tubacioneve.

Klinika e Neurologjisë numëron një staf prej 80 punëtorëve, prej të cilëve 19 janë mjekë specialistë dhe pjesa tjetër i takon stafit tjetër: mjekë, infermierë, teknikë, etj., dhe ajo ofron shërbime terciare shëndetësore nga lëmia e neurologjisë për pacientët.

 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)