19 Korrik 2019

Onkologjia, 20 mijë shërbime për 4 muaj

Prishtinë, 16 maj - Instituti i Onkologjisë ka ofruar më shumë se 20 mijë shërbime brenda 4 muajve të parë të vitit 2019 për pacientët, të cilët janë të diagnostikuar me kancer.

Gjatë kësaj kohe, stafi mjekësor ka kryer 12 mijë kontrolle, ka dhënë 8100 doza të kimioterapisë dhe 4200 terapi intravenoze. Te lista e shërbimeve mjekësore hyjnë edhe 501 raste të reja, të evidentuara me kancer, në periudhën janar-prill 2019.

Drejtori i Onkologjisë, Ilir Kurtishi, thotë se, në krahasim me vitin e kaluar, ka një rritje prej 5% të rasteve të reja më këtë sëmundje.

Sipas të dhënave të nxjerra nga raportet e punës për vitin 2018, në të njëjtën periudhë kohore kishte 475 pacientë.  “ Nuk është shumë alarmante kjo, pasi që, në krahasim me vendet fqinje, ne kemi numër shumë më të vogël. Në Maqedoni, gati 5 mijë raste të reja diagnostikohen në vit, me një popullatë pak ma të madhe se Kosova”.

“Pra, tek ne, përqindja e këtyre rasteve është shumë më e vogël. Një prej faktorëve është që ne jemi popullatë e re  dhe nuk i mbërrijmë ato mosha të shtyra, kur kanceri është më i pranishëm”, thotë Kurtishi.

Kanceri i gjirit vazhdon të dominojë. Deri në këtë kohë janë paraqitur 121 raste. Në vendin e dytë radhitet kanceri i mushkërive me 82 raste.

Kurse, kanceri te tubi digjestiv, përfshirë lukthin, pankreasin dhe zorrët e trasha, ka prekur 109 pacientë. Kanceri i organeve gjenitale është paraqitur tek 108 persona, meshkuj dhe femra, ndërsa 83 raste janë identifikuar me kancer në organe tjera.

Dr. Kurtishi, më tutje, thekson se evidentimi i rasteve bëhet me rregull.

“Shpresojmë që shpejt të kemi edhe kancer-regjistër në Kosovë, pra të kemi të dhëna të sakta për secilin qytetar të Kosovës, i cili diagnostikohet me kancer”, pohon Kurtishi.

Pacientja N.K. është shprehur e kënaqur me mënyrën e trajtimit, derisa është habitur me rregullin dhe shërbimet e ofruara në Institutin e Onkologjisë të Qendrës Klinike Universitare të Kosovës.

 “Shërbimi është shumë i mirë. Stafi mjekësor ka sjellje të shkëlqyeshme me ne. Neve një fjalë e mirë na shëron, e lëre më shërbimi i mirë.  Nuk kam besuar që këtu ofrohen shërbime kaq të mira. Pasi kam hyrë këtu, e kam pa vetë, nuk kam fjalë ta përshkruaj”, thotë ajo.

Në Onkologji trajtohen më shumë se 1500 pacientë,përfshirë pacientët që vazhdojnë trajtimin nga viti i kaluar dhe pacientët e paraqitur këtë katër mujor.

 

 

Kalendari

Ngjarjet e datës 19 korrik 2019 - Ekipi i Luftimit të Brigadës së Këmbësorisë së 44-të, Garda Kombëtare e Ushtrisë së New Jersey do të marrë komandën e MNBG-E nga Ekipi i Luftës së Brigadës së 29-të të Mbrojtjes së Këmbësorisë, Gardës Kombëtare të Ushtrisë së Hawaii ku menjëherë pas ceremonisë do të mbahet një konferencë shtypi. (Camp Bondsteel, ora 9:00)

- Klinika e Kirurgjisë Vaskulare, në bashkëpunim me Katedrën e Kirurgjisë dhe Fakultetin e Mjekësisë mbajnë mbledhje komemorative, me rastin e vdekjes së Prof.dr. Gazmend Shaqiri. (Amfiteatri i Dekanatit të Fakultetit të Mjekësisë, ora 9:00)

- Komisioni për Shëndetësi, Punë dhe Mirëqenie Sociale i Kuvendit të Kosovës do të mbajë dëgjim publik për Projektligjin e Punës. (Hotel Sirius, ora 10:00)

- Mbledhja e komisionit për Mbikëqyrjen e Financave Publike në të cilën do të behët shqyrtimi i raportit të Auditimit të Kompanisë Regjionale 'KRU Prishtina', të Ndërmarrjes Publike ,,Posta e Kosovës", etj. (Ndërtesa e Kuvendit, salla N 302, ora 11:00)

- Kryeministri Ramush Haradinaj pret në takim një delegacion prej 56 studentësh të programit Akademia Verore, nga 28 shtete të ndryshme. (Ndërtesa e Qeverisë, ora 12:00)

- Grupi i Aktivisteve protestojnë para policisë në Fushë Kosovë për të mos lejuar që përdhunimet e vrasjet të fshihen brenda mureve të Policise dhe Prokurorise që sipas tyre më së paku i mbrojnë. (Marrshimi nis nga lagja Meshari te pazari për të vazhduar drejt stacionit policor në Fushë Kosovë, ora 14:00)

- Mbahet mbledhja e rregullt e Qeverisë së Kosovës. (Ndërtesa e Qeverisë, ora 15:00)
 
- Matt Taylor, regjisor i “Rick & Morty Exquisite Corpse”, prezanton filmat e animuar në kuadër të Festivalit Ndërkombëtarë të Filmit të Animuar - Anibar. (Kinema “Jusuf Gërvalla” në Pejë, ora 14:00)

- Në kuadër të aktiviteteve "Ditët e Diasporës 2019" në përkujdesjen e Kryetarit të Komunës së Deçanit, Bashkim Ramosaj në Deçan behët hapja e Panairit Verorë 2019. (Qendra e qytetit të Deçanit, ora 16:00)
 
- Fondacioni Lumbardhi prezanton ekspozitën 'Kino e artistit' Vladimir Miladinović. (Kinema Lumbardhi, ora 19:30)

- Fondacioni Lumbardhi organizon koncertin e këngëtares kroate te pop dhe jazz, Vesna Pisaroviç Quartet: "The Great Yugoslav Songbook". (Kinema Lumbardhi, ora 21:00)