20 Tetor 2021

Marrja e përditshme e aspirinës mund të shkaktojë dëme serioze

Washington, 13 tetor - Njerëzit që nuk vuajnë nga zemra, nuk duhet të marrin aspirinë përditë. Kështu thuhet në udhëzimet paraprake të një grupi me peshë ekspertësh amerikanë.

Nëse udhëzimet marrin formë përfundimtare, ato do të ndryshojnë plotësisht rekomandimet e dhëna në vitin 2016 që sugjeronin përdorimin e aspirinës me dozë të vogël për të parandaluar goditjet në zemër dhe në tru.

Personat që nuk vuajnë nga zemra nuk duhet të marrin një dozë të ulët të përditshme aspirine, 81- 100 miligramë, për të parandaluar goditje të mundshme në zemër, thuhet në udhëzimet paraprake të qarkulluara nga një organizatë me peshë në fushën e shëndetësisë.

Grupi Amerikan i Punës për Shërbimet Parandaluese është një entitet i pavarur ekspertësh, që analizon punën kërkimore dhe literaturën mjekësore, për të dhënë rekomandime periodike, për masat që duhen marrë për mbrojtjen e shëndetit të publikut.

Grupi i punës thotë tashmë se rreziku i hemorragjisë tek personat mbi 60 vjeç është më i madh se mbrojtja që mund të ofrojë aspirina.

"Sipas të dhënave më të fundit, ne tashmë rekomandojmë që personat 60 vjeç e lart të mos fillojnë të marrin aspirinë, pasi dëmi është më i madh se përfitimi", thotë Dr. John Wong, përfaqësues i grupit të punës.

Nga ana tjetër, rekomandimi i ri thotë që personat në të 40-at ndoshta mund ta marrin aspirinën me dozë të vogël nëse nuk rrezikohen nga hemorragjitë e brendshme.

Gjithashtu, rekomandimi thotë se për personat nga 40-59 vjeç që janë të rrezikuar të preken nga sëmundjet kardiovaskulare, përfitimet nga përdorimi i aspirinës janë të vogla.

Grupi i punës rekomandon që aspirina duhet marrë pas konsultimeve me mjekun.

"Është një zhvillim tepër domethënës, në veçanti për përdorimin e aspirinës nga pacientët e moshuar që nuk kanë patur ndonjëherë probleme zemre, por që duan t'i parandalojnë. Është një segment i madh i popullsisë që e merr aspirinën për këtë arsye", thotë Dr. Lauren Block, nga Instituti Feinstein për Kërkime Mjekësore.

Rekomandimet e reja mund të ndikojnë tek miliona njerëz në mbarë botën. Sëmundjet e zemrës janë shkaku kryesor i vdekjeve në Shtetet e Bashkuara, me rreth 659 mijë vdekje në vit sipas CDC-së (Qendrave për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve). Goditjet në tru janë shkaku i pestë i vdekjeve, me rreth 150 mijë në vit.

"Po u kërkojmë pacientëve që janë të shqetësuar për mundësinë e një ataku kardiak që të bisedojnë për këtë çështje me doktorin e tyre. Është e rëndësishme ta dinë se aspirina mund të shkaktojë dëme serioze dhe se ky rrezik rritet me kalimin e moshës", thotë Dr. John Wong, përfaqësues i grupit të punës.

Aspirina njihet më shumë si ilaç për dhimbjet, por gjithashtu shërben si hollues gjaku që mund të zvogëlojë mundësinë e trompozave.

Prej vitesh, mjekët kanë rekomanduar marrjen e përditshme të aspirinës në doza të vogla për personat që kanë patur tashmë goditje në zemër apo në tru.

Udhëzimet e reja nuk ndryshojnë rekomandimin për këtë kategori pacientësh. Megjithatë, studimet më të fundit theksojnë rrezikun e hemorragjisë, si nëpërmjet ulçerave, apo në sistemin e tretjes, të cilat mund të jenë me pasoja fatale.

Kalendari

Ngjarjet e datës 20 Tetor 2021  - Kryeministri Albin Kurti dhe ministrja e Ekonomisë Artane Rizvanolli, vizitojnë ndërmarrjen “Trepça”. (Zyra e menaxhmentit të “Trepçës”, Parku Industrial, ora 8:00)

- Komisioni për Buxhet, Punë dhe Transfere shqyrton Raportin Vjetor Financiar te Bankës Qendrore, Fondit të Kursimeve Pensionale, raportin e Qeverisë për Buxhetin e së Kosovës dhe Agjencisë për Krahasim dhe Verifikim të Pronës. (Ndërtesa e Kuvendit, salla C203, ora 10:00)

- Mbahet mbledhja e dhjetë e Komiteti për Politik dhe Financa e Komunës së Rahovecit. (Salla e mbledhjeve të Kuvendit Komunal të Rahovecit, ora 10:00)

- Lëvizja FOL vazhdon serinë e debateve FOL Hapur me Ministren e Ekonomisë Artane Rizvanolli. (Hotel Opera në Prishtinë, ora 11:00)

- Rektori i Universitetit të Prishtinës Naser Sahiti dhe Dimitrija Sekovski, përfaqësues i SKAT Consulting nënshkruajnë marrëveshje bashkëpunimi për implementimin e programit studimor Master në Menaxhimin e Integruar të Resurseve Ujore në Kosovë. (Rektorati i UP-së, ora 11:00)

- Koalicioni ad-hoc i organizatave të shoqërisë civile dhe aktivistëve mjedisor ju ftojnë në konferencën për media, ku do të njoftoheni me zhvillimet e fundit që ndërlidhen me paditë për shpifje të ushtruara kundër aktivistëve Shpresa Loshajt dhe Adriatik Gacaferi, nga kompania Kelkos si dhe operimet e kësaj kompanie në Deçan. (Para objektit të Qeverisë ish-Rilinjda, ora 13:00)

- Baleti Kombëtar i Kosovës mban konferencë për medie me rastin e Premierës së shfaqjes “Tanzminiaturen” & “Tangata” me koreografi nga Ricardo Fernando.  (Teatri Kombëtar i Kosovës, ora 13:00)