25 Prill 2024

Kryeministri Haradinaj premton ta përmirësoj gjendjen në shëndetësi

Prishtinë, 11 shtator - Kryeministri i Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj, i shoqëruar nga zëvendëskryeministri i parë, Behgjet Pacolli, ministri i Shëndetësisë, Uran Ismaili, ka vizituar në orët e mbrëmjes Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, përkatësisht Repartin e Emergjencës.

Gjatë kësaj vizite kryeministri Haradinaj u prit nga drejtori i Përgjithshëm i Shërbimit Spitalor dhe Klinik Universitar të Kosovës, Curr Gjocaj dhe nga drejtori i Klinikës Emergjente, Basri Lenjani.

Me këtë rast kryeministri Haradinaj tha se qëllimi i kësaj vizite është të shohë nga afër kushtet në të cilat gjendet QKUK-ja, si dhe për të shprehur përkrahjen e plotë për shëndetësinë kosovare.

“Falënderoj personelin mjekësor në të gjitha nivelet për një punë vërtet heroike dhe që gjithë kohën jeni në presion dhe në vështirësi. Së dyti u them se nuk do t’ju lëmë vetëm, pra dua të jem me ju që ta përmirësojmë gjendjen në shëndetësi”, tha kryeministri Haradinaj.

Curr Gjocaj, drejtor i Përgjithshëm i Shërbimit Spitalor Klinik Universitar të Kosovës, tha se me kryeministrin Haradinaj në krye shëndetësia do të jetë prioritet. 

“Për hir të së vërtetës deri më tani kemi marrë mbështetje kryesisht me fjalë, por shpresojmë se vërtet shëndetësia do të jetë prioritet i qeverisjes tuaj. Besojmë se do t’ia dalim në krye që të ofrojmë më të mirën e mundshme për pacientët tanë”, tha drejtori Gjocaj.

Ministri i Shëndetësisë, Uran Ismaili, tha se kjo vizitë tregon përkushtimin e madh të Qeverisë së Kosovës për përmirësimin e gjendjes në sektorin e shëndetësisë, si mbështetje institucionale  direkt për punëtorët shëndetësor.

“Do të ketë investime nga Qeveria e Republikës së Kosovës, por në anën tjetër do kërkojmë dhe përmirësime të shërbimeve, në mënyrë që të ketë cilësi sa më të madhe”, tha ministri Ismaili.

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)