28 Mars 2024

Kosova me shkallë mbi 90 për qind të imunizimit të fëmijëve

Prishtinë, 3 nëntor - Shkalla e përfshirjes me vaksinim të rregullt në Kosovë është mbi 90 për qind, ndërsa Republika e Kosovës është ndër vendet e pakta që sot nuk regjistron raste të fruthit përkundër epidemive në rajon dhe më gjerë.

Kështu u tha sot në Institutin Kombëtar të Shëndetësisë Publike, ku u bë prezantimi   i rezultateve të evaluimit të shërbimeve të imunizimit përmes teknikës së kualitetit LOT, një hulumtim ky i mbështetur nga Ministria e Shëndetësisë, UNICEF-i dhe OBSH-ja dhe i financuar nga Qeveria e Luksemburgut.

Dr. Ilir Tolaj, Sekretar Permanent në Ministrinë e Shëndetësisë, tha se vaksinimi konsiderohet sot si një ndër intervenimet shëndetësore me kosto- efektivitet të lartë, ndërsa për të zvogëluar shkallën e lartë të sëmundshmërisë dhe vdekshmërisë, objektivi kryesor i Programit të Zgjeruar të Imunizimit është arritja e shkallës së lartë të përfshirjes së fëmijëve me vaksinim të rregullt, e sidomos fëmijëve të moshës prej 0 deri bë 12 muaj.

Me gjithë nivelin e lartë të përqindjes së vaksinimit, Tolaj ka kërkuar që shkalla e vaksinimit të rritet edhe te grupet e marxhinalizuara si komuniteti rom, ashkali e egjiptian, ndërkohë që ka ritheksuar se në shëndetësi duhen ndërhyrje urgjente për te eliminuar disa probleme tashmë kronike.

“Në këtë fazë tranzicioni, nuk është sekret publik, të themi se prej të gjithë neve kërkohet punë e madh dhe se problemet, po e ritheksoj, nuk do të zgjidhen me ndonjë formulë magjike”, tha Tolaj, duke shtuar se financimi për shëndetësinë duhet të dyfishohet, nëse dëshirohet që të dilet prej një rrethi vicioz dhe të ngrihet niveli i shërbimeve shëndetësore.

Luciano Calestini, zëvendës-shef i UNICEF-it në Kosovë, tha se në vitin 2008 në botë janë imunizuar 106 milionë fëmijë dhe kjo do të thotë se 2.5 milionë fëmijë i janë shmangur vdekjes, ndërkohë që vlerësoi se qëllimi i imunizimit është që të arrijë te secili fëmijë i botës, derisa shkallën e imunizimit në Kosovë, e vlerësoi në nivel të suksesshëm.

Pierre Weber , përfaqësues i Qeverisë së Luksemburgut, tha se për donatorin çdo herë është me rëndësi që të përkrahen programet parandaluese, ndërkohë që kërkoi që krahas vaksinimit, t’i kushtohet vëmendja e merituar edhe zbatimit të Ligjit për Duhanin.

Dr. Naser Ramadani, drejtor i IKSHP-së, tha se falë imunizimit efikas në Kosovë janë eliminuar shumë sëmundje ngjitëse dhe ndër të tjera Kosova është vend i shpallur nga OBSH-ja i liruar nga Polio, derisa tha se IKSHP do të arrijë ta imunizoj secilin fëmijë me emër e mbiemër për të cilin ekzistojnë evidencat se jeton në Kosovë dhe nuk iu ka nënshtruar imunizimit.

Rezultatet e evaluimit të shërbimeve të imunizimit përmes LOT-it i ka prezantuar dr. Isme Humolli nga Departamenti i Epidemiologjisë i IKSHP-së.

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)