19 Mars 2024

Kosova ka nevojë për zhvillimin e fushës se hulumtimeve shkencore

Prishtinë, 28 maj - Në organizim të Ministria së Shëndetësisë dhe të Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë të Republikës së Kosovës, sot në Institutin Kombëtar të Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKSHP), është organizuar tryeza e  rrumbullakët me temën: “Ngritja e kapaciteteve kërkimore - shkencore në shëndetësi – Zhvillimi i Shkollës së Shëndetësisë Publike në Kosovë”.

Ministri i Arsimit, Shkencës e Teknologjisë, Dr. Enver Hoxhaj, tha se në Kosovë ende nuk ekziston një sistem funksional dhe i qëllimshëm për punë kërkimore, shkencore, hulumtuese, mirëpo, theksoi ai,  ka një ndryshim pozitiv viteve të fundit falë hartimit të Programit Kombëtar të Shkencës.

Ky program, sipas ministrit Hoxhaj, këto ditë do të dal për miratim në Qeverinë e Kosovës dhe si i tillë ai adreson objektivat kryesore, të cilat do të ndihmojnë që Kosova në të ardhmen të zhvillojë kapacitet e saja në fushën e kërkimeve shkencore e hulumtuese, ndryshe nga sot, kur  gjendja e kërkimeve shkencore vazhdon të jetë një ndërmarrje margjinale.

Zëvendësministrja e Shëndetësisë Dr.Mybera Mustafa tha se me gjithë iniciativat  dhe programet e veçanta të deritashme, Kosova ka nevojë për institucione të qëndrueshme dhe të përhershme që ofrojnë edukim për hulumtime shkencore në shëndetin publik, menaxhment , politika ekonomike dhe shëndetësore.

Ajo tha se koncepti i zhvillimit të Shkollës së Shëndetësisë Publike, nuk e parashikon këtë shkollë si një institucion të ri, por si një rrjet që përfiton nga kapacitetet.

Dr. Naser Ramadani, drejtor i IKSHP-së, ka elaboruar në mënyrë të detajuar gjendjen e sotme në shëndetësinë publike të Kosovës, duke theksuar ndër të tjera edhe rezultatet e mira që janë arritur si në eradikimin e disa sëmundjeve ngjitëse, në veçanti Polios (paralizës), arritjen e shkallës mbi 95 për qind të realizimit të imunizimit të obliguar etj, ndërkohë që ka përmendur  dhe sfidat e tashme dhe ato të së ardhmes për shëndetësinë publike në vend.

Dr. Merita Berisha, Shefe e Katedrës së Mjekësisë Sociale dhe udhëheqëse e studimeve të doktoratës ( FM-UP), ka folur për zhvillimin e kapaciteteve profesionale dhe hulumtuese në shëndetin publik, ku ka shquar nevojën për rritje të numrit të kapaciteteve profesionale.

Prof. Ulrich Laaser, nga Universiteti i Bielefeld (Gjermani), ka bërë një prezantim mbi përvojat e shteteve perëndimore në zhvillimin e kapaciteteve në fushën e shëndetësisë publike dhe çështjet kyçe që e karakterizojnë një fushë të tillë.

Prof. Genc Burazeri, nga Rrjeti Hulumtues për Shëndet Publik (Public Health Research Netëork -PHR-Net), Universiteti i Maastricht –it, ka elaboruar disa aspekte të mënyrës së funksionimit të shkollave të shëndetësisë publike në shtetet e Evropës Juglindore dhe në Maastricht.

Në diskutimet e zhvilluara është theksuar se një nga sfidat e tanishme për themelimin e Shkollës së Shëndetësisë Publike do të jete gjetja e burimeve të duhura dhe të mjaftueshme njerëzore dhe buxhetore, me synimin që një shkollë e tillë, të jetë qendër e ekselencës sipas standardeve të akreditimit të BE-së dhe pjesë e një rrjeti ndërkombëtar shkencor që do të bëjë hulumtime dhe edukim të nivelit të lartë. 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)