22 Maj 2019

Kosova bëhet me program për reagim të shpejtë tek rastet e infarkteve akute

Prishtinë, 18 prill - Shërbimi Spitalor dhe Klinik Universitar i Kosovës, sot ka bërë prezantimin e programit nacional i cili parasheh që në rast të infarkteve akute në krejt Kosovën  të bëhet reagimi dhe raportimi i shpejtë i rasteve dhe pacienti të arrijë shpejtë në QKUK.

Përmes këtij projekti do të mundësohet që dukshëm të rritet koha e reagimit tek rastet e infarkteve akute në nivel  të krejt Kosovës dhe të bëhet raportimi i menjëhershëm i rasteve nga të gjitha qendrat e Kosovës.

Duke folur për këtë projekt,  Ministri i Shëndetësisë, z. Uran Ismaili, tha se përmes këtij projekti do të bëhet e mundur që për 2 orë që nga simptomat e para, pacienti të merr shërbimin, e gjithë kjo kohë llogaritet si kohë e artë për reagim dhe shpëtim të jetës së pacientit.

Ministri me këtë rast tha se ky projekt po tregon se disa hallka të shëndetësisë po forcohen.

 “QKUK nëpërmjet pajisjeve të reja, organizimit më të mirë dhe funksionimit 24 orësh ka arritur të mbajë barrën e pacientëve brenda institucioneve publike. Tani po kalojmë në forcimin e mjekësisë primare dhe pacienti të mos humbet në mes këtyre dy hallkave dhe që të përfundoj me fatalitet”  theksoi Ministri Ismaili.

Në anën tjetër, drejtori i përgjithshëm i SHSKUK-së, dr. Basri Sejdiu, tha se ky është projekti më i rëndësishëm në shëndetësi nga paslufta.

Sipas tij, brenda 120 minutave përmes këtij projekti arrihet të shpëtohet muskuli i zemrës dhe pacienti të mos mbetet me invaliditet.

Drejtori Sejdiu foli edhe për punët dhe hapat që janë ndërmarrë duke theksuar se tashmë janë në funksion 2 salla të kateterizimit dhe ka specialistë dhe staf tjetër të trajnuar.

Ai foli është për historikun  dhe koronarografinë e parë që është bërë në Kosovë.

“ Koronarografinë e parë e kemi bërë  31 tetor të vitit 2003, ndërsa stentimi i parë më 5 mars 2005 nga ky ekip, ekipi që ishte trajnuar atje nuk kishte arritur ta realizonte kardiologjinë invazive në QKUK për shkaqe objektive”, theksoi drejtori Sejdiu.

Rreth 3 mijë persona, apo 35% e të gjitha vdekjeve brenda vitit në Kosovë, shkaktohen nga sëmundjet e zemrës.

Për çdo vonesë prej 30 minutash pas infarktit, rreziku i vdekshmërisë rritet për 7.5%.

Prezantimin e programit e bëë dr. Tefik Bekteshi, drejtor i Klinikës së  Kardiokirurgjisë me Kardiologji Invazive dhe dr. Dorjan Maursic, ekspert nga Sllovenia.

 

Kalendari

Ngjarjet e datës 22 maj 2019 - Ministri i mjedisit dhe planifikimit hapësinor, Fatmir Matoshi, do të pres në takim ministrin e Mjedisit dhe Turizmit të Shqipërisë, Blendi Klosi, me të cilin do të diskutojnë mbi bashkëpunimin mes dy ministrive në fushën e mjedisit. (Kabineti i ministrit Matoshi, ora 9:00)

- Mbahet takimi i Grupit të Vecantë për Reformën e Administratës Publike GVRAP. (Ministrinë e Administratës Publike, salla e takimeve kati 18, ora 9:30)

- Instituti për Politikë të Jashtme të Kosovës organizon konferencën 'Politika e jashtme e Kosovës në këndvështrim shkencor'. (Hotel Sirius, ora 9:30)

- Shoqata e Inovacionit Financiar mban konferencë për media në të cilën prezanton aktivitetet e shoqatës. (Hotel Sirius, ora 10:00)

- Ministri i Tregtisë dhe Industrisë, Endrit Shala, do të takohet me ministrin e Turizmit dhe Mjedisit i Republikës së Shqipërisë, Blendi Klosi, i cili do të jetë i shoqëruar nga  kryetarët e Bashkive të Vlorës dhe Himarës, përkatësisht Dritan Leli dhe Jorgo Goro, si dhe nga një grup operatorësh turistikë. (Ndërtesa e Ministrisë së Tregtisë, ora 10:30)

- Shefi i Komandës së Bashkuar të  Aleancës në Napoli, admiralit James Foggo viziton Ministrinë e Mbrojtjes të Republikës së Kosovës. (Ministria e Mbrojtjes, ora 11:15)

- Grupi i asambleistëve të Prishtinës, mbajnë konferencë për medie. (Selia e LDK-së, ora 11:00)

- Komisioni për Legjislacion, Mandate, Imunitete, Rregulloren e Kuvendit dhe mbikëqyrjen e Agjencisë kundër Korrupsionit mban dëgjim publik për Projektligjin për Referendum. (Ndërtesa e Kuvendit, salla C 405, ora 11:00)

- Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor në bashkë organizim më MASHT, Universitetin e Prishtinës, komunën e Dragashit, OJQ- të mjedisore  do të shënojnë Ditën Ndërkombëtare të Biodiversitetit. (Kampingu “Limth”, në hapësirat e Parkut Kombëtar “Sharri”, komuna e Dragashit, ora 12:00)

- Në shenjë nderimi dhe respekti për të rënët dhe të gjithë ata që përjetuan masakrën në burgun e Dubravës më 1999 mbahet tubimi përkujtimor për shënimin e 20 vjetorit të kësaj masakre. (Hapësirat e burgut të Dubravës, ora 12:00)

- Zyra e Koordinatores Zhvillimore të OKB-së, së bashku me Komunën  e Obliliqit dhe Let’s do it Kosova organizojnë aktivitet të mbjelljes së fidanëve në Ditën Ndërkombëtare të Biodiverzitetit. (Banesat e Plemetinës në fshatin Plemetinë, Komuna e Obiliqit, ora 14:00)

- Kuvendi i Republikës së Kosovës organizon Ditët e Kuvendit me qytetarët e Lipjanit. (Kuvendi Komunal i Lipjanit, orën 14:00)