20 Tetor 2021

Koronavirusi mund të mos zhduket kurrë

Washington, 13 tetor - Eksperti kryesor i sëmundjeve infektive në Shtetet e Bashkuara, Dr. Anthony Fauci pranoi të mërkurën se koronavirusi mund të mos eliminohet kurrë dhe se "pjesa më e madhe e botës" mbetet në fazën e pandemisë.

Dr. Fauci, këshilltar i Presidentit amerikan Joe Biden dhe Drejtori i Sëmundjeve Infektive në Institutet Kombëtare të Shëndetit, e bëri këtë vlerësim gjatë një konference për shtyp në Shtëpinë e Bardhë mbi pandeminë.

"Do të jetë shumë e vështirë, të paktën në të ardhmen e afërt dhe ndoshta përgjithmonë që të eliminohet ky virus shumë i transmetueshëm," tha ai.

Duke dhënë një perspective historike dr. Fauci tha se "ka pasur vetëm një sëmundje njerëzore që është zhdukur dhe kjo është lija."

Ai tha se "pjesa më e madhe e botës" është ende "në disa drejtime në fazën e pandemisë", por "po sheh tani një rënie të ritmit" të rasteve të reja.

Dr. Fauci tha se ekspertët e kujdesit shëndetësor "po përpiqen për një shkallë të kontrollit të virusit që do të na lejonte të jemi në gjendje t'i kthehemi normalitetit që të gjithë e presim me padurim".

Ai theksoi se një nivel i përshtatshëm kontrolli mund të arrihet përmes vaksinimeve për të cilat ai shpreson që përfundimisht të ulin rastet e reja ditore në "më pak se 10,000."

Ai vuri në dukje se SHBA ende ka "rreth 66 milionë persona që kanë të drejtën të vaksinohen, që mbeten të pavaksinuar."

"Kemi të bëjmë me një situatë ku kemi një virus shumë të transmetueshëm dhe me 80 deri në 90,000 raste në ditë. Nuk jemi aty ku duhet," tha ai.

SHBA vazhdon të ketë numrin më të madh të vdekjeve nga koronavirusi, më shumë se 717,000, dhe të infeksioneve të reja, me gati 44.6 milionë, sipas Universitetit Johns Hopkins. 

Kalendari

Ngjarjet e datës 20 Tetor 2021  - Kryeministri Albin Kurti dhe ministrja e Ekonomisë Artane Rizvanolli, vizitojnë ndërmarrjen “Trepça”. (Zyra e menaxhmentit të “Trepçës”, Parku Industrial, ora 8:00)

- Komisioni për Buxhet, Punë dhe Transfere shqyrton Raportin Vjetor Financiar te Bankës Qendrore, Fondit të Kursimeve Pensionale, raportin e Qeverisë për Buxhetin e së Kosovës dhe Agjencisë për Krahasim dhe Verifikim të Pronës. (Ndërtesa e Kuvendit, salla C203, ora 10:00)

- Mbahet mbledhja e dhjetë e Komiteti për Politik dhe Financa e Komunës së Rahovecit. (Salla e mbledhjeve të Kuvendit Komunal të Rahovecit, ora 10:00)

- Lëvizja FOL vazhdon serinë e debateve FOL Hapur me Ministren e Ekonomisë Artane Rizvanolli. (Hotel Opera në Prishtinë, ora 11:00)

- Rektori i Universitetit të Prishtinës Naser Sahiti dhe Dimitrija Sekovski, përfaqësues i SKAT Consulting nënshkruajnë marrëveshje bashkëpunimi për implementimin e programit studimor Master në Menaxhimin e Integruar të Resurseve Ujore në Kosovë. (Rektorati i UP-së, ora 11:00)

- Koalicioni ad-hoc i organizatave të shoqërisë civile dhe aktivistëve mjedisor ju ftojnë në konferencën për media, ku do të njoftoheni me zhvillimet e fundit që ndërlidhen me paditë për shpifje të ushtruara kundër aktivistëve Shpresa Loshajt dhe Adriatik Gacaferi, nga kompania Kelkos si dhe operimet e kësaj kompanie në Deçan. (Para objektit të Qeverisë ish-Rilinjda, ora 13:00)

- Baleti Kombëtar i Kosovës mban konferencë për medie me rastin e Premierës së shfaqjes “Tanzminiaturen” & “Tangata” me koreografi nga Ricardo Fernando.  (Teatri Kombëtar i Kosovës, ora 13:00)