20 Shkurt 2019

Klinika Ortopedisë prioritet i investimeve në SHSKUK

Prishtinë, 11 shkurt - Shërbimi Spitalor Klinik Universitar i Kosovës, në kuadër të prioriteteve,  përveç Klinikës së Kardiologjisë Invazive dhe Oftalmologjisë, e ka futur edhe Klinikën e Ortopedisë, duke ndarë mjete për ofrimin shërbimeve mjekësore, të cilat kanë munguar aty  vitet e shkuara dhe pacientët është dashur të kërkojnë shërim jashtë vendit.

Nga buxheti i SHSKUK-së për vitin 2019, për këto klinika janë dhënë më shumë se 2 milionë euro.

Drejtori i Klinikës së Ortopedisë, Arbër Tolaj, thotë se mjetet do të destinohen në pajisje mjekësore dhe material shpenzues, që nuk janë të përfshira në listën esenciale.

Në mungesë të buxhetit, Tolaj, më tutje, thekson se më herët ka qenë e pamundur të përmbushen kërkesat e pacientëve dhe kështu, përmes Ministrisë së Shëndetësisë, ata është dashur të dërgohen për trajtim jashtë Kosovës, me shpenzime shumë më të mëdha, duke rënduar buxhetin e shtetit.

“Sipas një përllogaritje që kemi bërë, me 600 mijë euro ne do të mund t’i realizojmë dhe t’i përmbushim të gjitha këto kërkesa për pacientët, të cilët do të trajtohen brenda vitit 2019 për lloje të patologjive të ndryshme”, deklaron Tolaj.

Me funksionalizimin e sallës së katërt, që pritet të ndodhë shumë shpejt, Tolaj thekson se lista e pritjes për proteza dhe ligamente do të zvogëlohet dukshëm, i bindur që nuk do të shkojë gjatë kohë dhe ajo do të hiqet krejt.

Me sallën e re dhe mjetet e ndara, ai beson se do të ketë numër më të madh të shërbimeve, mes tyre edhe disa operacione specifike në kirurgjinë spinale, të pakryera më herët.

“Materialin tjetër, të cilin e kemi planifikuar që të përdoret, është  materiali për kirurgji spinale, edhe pse setin për ndërhyrje primare në boshtin kurrizor e kemi. Sikurse për nyjat tjera të gjurit, kërdhokullës, krahut edhe në pjesën e kurrizit, me ardhjen e materialit, kemi mundësi të kryejmë disa operacione specifike”, thotë Tolaj.

 

Kalendari

Ngjarjet e datës 20 shkurt 2019 - Instituti Kërkimor për Çështje Evropiane dhe të Zhvillimit organizon konferencën 'Zëri i Popullit rreth 'Finales së Madhe' ndërmjet Kosovës dhe Serbise'. (Swiss Diamond Hotel, ora 9:30)

- Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, do të marrë pjesë në konferencën e organizuar nga Instituti Kërkimor për Çështje Evropiane dhe të Zhvillimit me temën “Zëri i Popullit rreth ‘Finales së Madhe’ ndërmjet Kosovës dhe Serbisë”. (Hoteli Swiss Diamond, ora 9:30)

- Kryeshefja ekzekutive e Inspektoratit Policor të Kosovës raporton para Komisionit për Punë të Brendshme, Siguri dhe Mbikëqyrjen e Forcës së Sigurisë së Kosovës lidhur me dyshimin për keqpërdorim të detyrës zyrtare nga ana e zyrtarit policor si dhe për raportin vjetor të vitit 2018. (Ndërtesa e Kuvendit, salla N 302, ora 10:00)

- Forumi i Gruas së Lidhje Demokratike të Kosovës organizon tryezë diskutimi me temën “Ligji (s) na mbron”. (Hotel Sirius, ora 10:00)

- Punëtorët teknik të kompanisë “Beni”  që kryejnë shërbime në Konviketet e Qendrës Studentore të Prishtinës do të protestojnë për kthimin nën menaxhimin e Qendrës Studentore (Para drejtorisë së Qendrës Studentore, ora 11:00)   .

- Komuna e Prishtinës mban konferencë për media. (Objekti i vjetër të Komunës, ora 11:00)

nën organizimin e Grupit të Grave Deputete, mbahet tryeza “Institucionet dhe mekanizmat ekzistues në përgjigje të dhunës në familje”. (Ndërtesa e Kuvendit, salla N 30, ora 11:00)

- Me rastin e ndarjes nga jeta të gazetarit Hivzi Krasniqi, Radio Kosova mban Tubim Përkujtimor. (Kino ABC, ora 12:00)

- Presidenti Thaçi do të marrë pjesë në ngjarjen "Women in Energy Scholarship Program", organizuar nga MCC. (Salla e Kuqe, Pallati i Rinisë dhe Sportit, ora 13:00)

- Kryeministri Ramush Haradinaj merr pjesë në manifestimin e 30-vjetorit të Grevave të Minatorëve. (Miniera Stan Tërg në Mitrovicë, ora 14:00)

- Lëvizja mban konferencë për media. (Zyret qendrore të Vetëvendosjes, ora 14:00)