22 Maj 2019

Klinika e Syve i shpëton të pamurit një foshnje

Prishtinë, 14 maj - Një ekip i mjekëve specialistë në Klinikën e Syve të Qendrës Klinike Universitare të Kosovës ka kryer me sukses një ndërhyrje në sy te një fëmijë një muajsh, duke ia shpëtuar të pamurit, pasi ishte diagnostikuar me retinopati premature, që çon në verbërim të përhershëm.

Kjo sëmundje shfaqet tek fëmijët e lindur para kohe dhe zakonisht shkaktohet nga rritja e çrregullt e enëve të gjakut, të cilat dëmtojnë retinën e syrit.

Fëmija ka qëndruar për katër javë në Klinikën e Neonatologjisë. Nga ekzaminimet e bëra, mjekët kanë konstatuar se ndërhyrja e menjëhershme është e domosdoshme për t’ia shpëtuar foshnjës sytë.

Dr. Ardian Sermaxhaj thotë se pacienti tash është mirë, nën përcjellje të mjekëve, gjersa flet për pasojat nëse rasti nuk do të trajtohej me kohë.

“Foshnja tash është mirë dhe nuk ka kurrfarë problemi. Është në javën e 36-të, jemi duke e përcjellë.  Po të mos identifikohej problemi me kohë, pas 2 javësh do të mund të ndodhte shkalla e tretë apo e katërt e retinopatisë premature, që do të çonte në verbërim të përjetshëm”, thotë Sermaxhaj.

Klinika e Syve ka formuar një ekip prej 5 mjekësh për trajtimin e sëmundjes së retinopatisë premature. Përveç dr. Ardian Sermaxhajt, aty bën pjesë edhe dr. Anita Sylaj, dr. Festim Bllata, dr. Visar Huruglica dhe dr. Belinda Pustina.

Drejtori i Klinikës së Syve, dr. Adem Miftari, thotë se QKUK ka kapacitet të trajtojë të shumicën e rasteve të kësaj natyre, pa pasur nevojë për referim jashtë vendit.

“Menaxhmenti i Klinikës, bashkë me mjekët, punojnë në ekipin që diagnostikon dhe trajton retinopatinë e premature. Jemi duke punuar edhe në hartimin e protokollit për diagnostikimin dhe trajtimin e kësaj sëmundjeje, duke u bazuar në  përvojat e mjekësisë kulminante”.

“Ne kemi kapacitet të trajtojmë shumicën e rasteve me probleme të retinopatisë premature. Sa i përket trajtimit të këtyre sëmundjeve, jemi në një nivel me vendet e përparuara të botës. Presim që të furnizohemi me pajisje shtesë, në mënyrë që të trajtojmë të gjitha rastet”, thekson Miftari.

Në Klinikën e Syve, për 2 vjet, janë trajtuar 27 raste suksesshëm me retinopati premature.

 

Kalendari

Ngjarjet e datës 22 maj 2019 - Ministri i mjedisit dhe planifikimit hapësinor, Fatmir Matoshi, do të pres në takim ministrin e Mjedisit dhe Turizmit të Shqipërisë, Blendi Klosi, me të cilin do të diskutojnë mbi bashkëpunimin mes dy ministrive në fushën e mjedisit. (Kabineti i ministrit Matoshi, ora 9:00)

- Mbahet takimi i Grupit të Vecantë për Reformën e Administratës Publike GVRAP. (Ministrinë e Administratës Publike, salla e takimeve kati 18, ora 9:30)

- Instituti për Politikë të Jashtme të Kosovës organizon konferencën 'Politika e jashtme e Kosovës në këndvështrim shkencor'. (Hotel Sirius, ora 9:30)

- Shoqata e Inovacionit Financiar mban konferencë për media në të cilën prezanton aktivitetet e shoqatës. (Hotel Sirius, ora 10:00)

- Ministri i Tregtisë dhe Industrisë, Endrit Shala, do të takohet me ministrin e Turizmit dhe Mjedisit i Republikës së Shqipërisë, Blendi Klosi, i cili do të jetë i shoqëruar nga  kryetarët e Bashkive të Vlorës dhe Himarës, përkatësisht Dritan Leli dhe Jorgo Goro, si dhe nga një grup operatorësh turistikë. (Ndërtesa e Ministrisë së Tregtisë, ora 10:30)

- Shefi i Komandës së Bashkuar të  Aleancës në Napoli, admiralit James Foggo viziton Ministrinë e Mbrojtjes të Republikës së Kosovës. (Ministria e Mbrojtjes, ora 11:15)

- Grupi i asambleistëve të Prishtinës, mbajnë konferencë për medie. (Selia e LDK-së, ora 11:00)

- Komisioni për Legjislacion, Mandate, Imunitete, Rregulloren e Kuvendit dhe mbikëqyrjen e Agjencisë kundër Korrupsionit mban dëgjim publik për Projektligjin për Referendum. (Ndërtesa e Kuvendit, salla C 405, ora 11:00)

- Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor në bashkë organizim më MASHT, Universitetin e Prishtinës, komunën e Dragashit, OJQ- të mjedisore  do të shënojnë Ditën Ndërkombëtare të Biodiversitetit. (Kampingu “Limth”, në hapësirat e Parkut Kombëtar “Sharri”, komuna e Dragashit, ora 12:00)

- Në shenjë nderimi dhe respekti për të rënët dhe të gjithë ata që përjetuan masakrën në burgun e Dubravës më 1999 mbahet tubimi përkujtimor për shënimin e 20 vjetorit të kësaj masakre. (Hapësirat e burgut të Dubravës, ora 12:00)

- Zyra e Koordinatores Zhvillimore të OKB-së, së bashku me Komunën  e Obliliqit dhe Let’s do it Kosova organizojnë aktivitet të mbjelljes së fidanëve në Ditën Ndërkombëtare të Biodiverzitetit. (Banesat e Plemetinës në fshatin Plemetinë, Komuna e Obiliqit, ora 14:00)

- Kuvendi i Republikës së Kosovës organizon Ditët e Kuvendit me qytetarët e Lipjanit. (Kuvendi Komunal i Lipjanit, orën 14:00)