22 Maj 2019

Klinika e Neonatologjisë pajiset me respiratorë të rinjë

Prishtinë, 25 prill - Ministri i Shëndetësisë, Uran Ismaili, dhe drejtori i SHSKUK-së, Basri Sejdiu, kanë vizituar Klinikën e Neonatologjisë ku janë dorëzuar zyrtarisht 3 respiratorë, të cilët do të ndikojnë drejtpërdrejt në rritjen e cilësisë gjatë trajtimit të foshnjave të porsalindura me probleme shëndetësore.

Respiratori është një pajisje që mbështet foshnjat, që kanë nevojë më të lartë të oksigjenit dhe presioneve, për shkak të infeksioneve të ndryshme apo anomalive të lindura, si dhe foshnjat e lindura para kohe.

Ministri i Shëndetësisë, Uran Ismaili, tha se në mungesë të aparaturave mjekësore, në veçanti në Klinikën e Neonatologjisë, shpeshherë mjekët nuk kanë mundur t’u japin trajtimin e duhur shëndetësor foshnjave.

 “Në kuadër të furnizimit me pajisje të reja që kemi bërë gjatë gjithë vitit në këtë klinikë, tani u kemi dorëzuar edhe 3 respiratorë në vlerë prej 43 mijë eurove, për trajtimin e foshnjave të porsalindura me probleme shëndetësore”.

 “Këto aparatura do të rrisin cilësinë e trajtimit, në veçanti te foshnjat që kanë problem me mushkëri apo zemër. Këtë vit kemi kontraktuar edhe shumë pajisje tjera për këtë klinikë për të siguruar shëndet për fëmijët tanë”, tha Ismaili.

Drejtori i SHSKUK-së, Basri Sejdiu, ndërkaq, premtoi se në Klinikën e Neonatologjisë do të ketë edhe investime të tjera, në mënyrë që foshnjat të kenë trajtim sa më dinjitoz.

“Kemi investuar në pajisje në Klinikën Neonatologjisë, poashtu në infrastrukturë. Do të ketë edhe  investime tjera në aparaturë, infrastrukturë dhe staf profesional. Me këtë, do të ofrohen kushte më të mira të punës, që mundësojnë edhe nivel më të mirë profesional dhe foshnjat të kenë një përkujdesje më të madhe”, theksoi Sejdiu

Drejtori i Klinikës së Neonatologjisë, Xhevdet Gojnovci, në anën tjetër, deklaroi se aparatura e re e bën më të lehtë punën e stafit mjekësor dhe ofron tretman më të mirë për fëmijët e sëmurë.

  “Ardhja e pajisjeve të reja e lehtëson punën, sepse, shpesh, në mungesë të pajisjeve, më herët kemi pasur më të vështirë trajtimin e foshnjave me probleme shëndetësore. Tash, nuk kemi këso probleme dhe ardhja e aparaturës së re e rrit shumë cilësinë e shërbimeve”, thotë Gojnovci.

Ministria e Shëndetësisë dhe SHSKUK kanë hartuar politika konkrete për investime në pajisje, në përputhje me nevojat e klinikave dhe spitaleve regjionale, me synim të përmirësimit të kushteve rreth ofrimit të shërbimeve për pacientin.

 

Kalendari

Ngjarjet e datës 22 maj 2019 - Ministri i mjedisit dhe planifikimit hapësinor, Fatmir Matoshi, do të pres në takim ministrin e Mjedisit dhe Turizmit të Shqipërisë, Blendi Klosi, me të cilin do të diskutojnë mbi bashkëpunimin mes dy ministrive në fushën e mjedisit. (Kabineti i ministrit Matoshi, ora 9:00)

- Mbahet takimi i Grupit të Vecantë për Reformën e Administratës Publike GVRAP. (Ministrinë e Administratës Publike, salla e takimeve kati 18, ora 9:30)

- Instituti për Politikë të Jashtme të Kosovës organizon konferencën 'Politika e jashtme e Kosovës në këndvështrim shkencor'. (Hotel Sirius, ora 9:30)

- Shoqata e Inovacionit Financiar mban konferencë për media në të cilën prezanton aktivitetet e shoqatës. (Hotel Sirius, ora 10:00)

- Ministri i Tregtisë dhe Industrisë, Endrit Shala, do të takohet me ministrin e Turizmit dhe Mjedisit i Republikës së Shqipërisë, Blendi Klosi, i cili do të jetë i shoqëruar nga  kryetarët e Bashkive të Vlorës dhe Himarës, përkatësisht Dritan Leli dhe Jorgo Goro, si dhe nga një grup operatorësh turistikë. (Ndërtesa e Ministrisë së Tregtisë, ora 10:30)

- Shefi i Komandës së Bashkuar të  Aleancës në Napoli, admiralit James Foggo viziton Ministrinë e Mbrojtjes të Republikës së Kosovës. (Ministria e Mbrojtjes, ora 11:15)

- Grupi i asambleistëve të Prishtinës, mbajnë konferencë për medie. (Selia e LDK-së, ora 11:00)

- Komisioni për Legjislacion, Mandate, Imunitete, Rregulloren e Kuvendit dhe mbikëqyrjen e Agjencisë kundër Korrupsionit mban dëgjim publik për Projektligjin për Referendum. (Ndërtesa e Kuvendit, salla C 405, ora 11:00)

- Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor në bashkë organizim më MASHT, Universitetin e Prishtinës, komunën e Dragashit, OJQ- të mjedisore  do të shënojnë Ditën Ndërkombëtare të Biodiversitetit. (Kampingu “Limth”, në hapësirat e Parkut Kombëtar “Sharri”, komuna e Dragashit, ora 12:00)

- Në shenjë nderimi dhe respekti për të rënët dhe të gjithë ata që përjetuan masakrën në burgun e Dubravës më 1999 mbahet tubimi përkujtimor për shënimin e 20 vjetorit të kësaj masakre. (Hapësirat e burgut të Dubravës, ora 12:00)

- Zyra e Koordinatores Zhvillimore të OKB-së, së bashku me Komunën  e Obliliqit dhe Let’s do it Kosova organizojnë aktivitet të mbjelljes së fidanëve në Ditën Ndërkombëtare të Biodiverzitetit. (Banesat e Plemetinës në fshatin Plemetinë, Komuna e Obiliqit, ora 14:00)

- Kuvendi i Republikës së Kosovës organizon Ditët e Kuvendit me qytetarët e Lipjanit. (Kuvendi Komunal i Lipjanit, orën 14:00)