KFOR ndihmon QKUK me 254 batanije dhe 437 jastëk
Prishtinë, 31 mars - Qendra Klinike Universitare e Kosovës ( QKUK), ka pranuar të mërkurën një donacion nga komanda bashkëpunimit civil ushtarak (CIMIC) e KFOR-it, në përbërje të KFOR-it suedez, finlandez dhe irlandez. Donacioni u dhurua në vazhdën e bashkëpunimit që ka QKUK me KFOR-in suedez. Donacioni përmban 254 batanije dhe 437 jastëk. Delegacioni i KFOR-it, fillimisht vizitoi drejtorinë ekzekutive.
Capt. Josefine Andersson, asistente për komunikim në KFOR-in suedez tha se në vazhdimësi kanë pasur kontakte me zyrtarët e QKUK-së, ku është njoftuar me punën që bëhet në QKUK, me mungesat dhe problemet që po ballafaqohet QKUK. Ajo sqaroi se duke parë nevojat e mëdha që ka QKUK, ka pasur kontakte edhe me KFOR-in finlandez dhe irlandez, të cilët kanë vendosur ti dhurojnë QKUK-së, 254 batanije dhe 437 jastëk, të cilat mund të shpërndahen në klinikat dhe repartet e QKUK-së.
Në emër të QKUK-së, foli Prof.dr. Muharrem Bajrami, ndihmësdrejtor për arsim i QKUK-së, i cili fillimisht falënderoi ushtarët e KFOR-it për bashkëpunimin e deritanishëm dhe për ndihmesat e dhëna. Sipas tij KFOR ka kontribuar shumë për sigurinë e vendit për çka kosovarët u janë shumë mirënjohës. Ai falënderoi edhe për donacionin e dhënë duke e vlerësuar këtë ndihmesë të mirë për QKUK.
Prof. Bajrami u sqaroi ushtarakëve të KFOR-it se donacioni do shpërndahet në klinikat dhe repartet e QKUK-së, atje ku ndihet nevojë më e madhe. QKUK-ja, ka formuar komisioni për pranimin dhe regjistrimin e këtij donacioni. Donacioni është pranuar dhe regjistruar dhe menjëherë ka filluar shpërndarja e batanijeve dhe jastëkëve nëpër klinika.