20 Prill 2024

KE miraton 70 miliona euro për vaksinat kundër COVID-19 për Ballkanin

Bruksel, 28 dhjetor - Sot, Komisioni Evropian miratoi një paketë prej 70 miliona € nën Instrumentin e Para-Anëtarësimit (IPA II) për të ndihmuar në financimin e qasjes së partnerëve të Ballkanit Perëndimor në vaksinat kundër COVID-19 të prokuruara nga Shtetet Anëtare të BE-së.

Komisioneri për Fqinjësi dhe Zgjerim, Olivér Várhelyi tha se gjatë gjithë pandemisë, BE-ja ka treguar se e trajton Ballkanin Perëndimor si partner të privilegjuar.

''Ne vazhdojmë të veprojmë në këtë frymë edhe në rastin e vaksinave, duke ndërmarrë hapa për ta mundësuar një fillim të shpejtë të fushatave të vaksinimit për stafin kritik dhe grupet më të cenueshme në rajon në fillim. Vaksinimi i shpejtë do të jetë vendimtar në mbarimin e pandemisë dhe fillimin e rimëkëmbjes socio-ekonomike të Ballkanit Perëndimor”, ka theksuar Várhelyi.

Paketa do të shpërndahet në formën e granteve që do të ndihmojnë në mbulimin e kostos së vaksinave për grupet prioritare në rajon, si dhe pajisjet e nevojshme për vaksinim.

Kjo do t'i mundësojë Ballkanit Perëndimor që ta blejë një numër të vaksinave nga Marrëveshjet e Avancuara të Blerjes të BE me gjashtë prodhues, ashtu që Shtetet Anëtare të BE e ndajnë një pjesë të dozave të tyre të para-alokuara.

Ndërsa BE vazhdon ta përkrahë iniciativën COVAX, që është instrumenti botëror për të siguruar qasje të drejtë dhe universale në vaksinat COVID-19, dhe të gjithë partnerët e Ballkanit Perëndimor e kanë nënshkruar atë, dorëzimi i vaksinave nën atë skemë pritet të fillojë më vonë sesa fushatat e vaksinimit në BE.

Qasja në një numër të dozave nga marrëveshjet e blerjes së BE do të mundësojnë që rajoni të fillojë vaksinimin paralelisht me Shtetet Anëtare të BE-së.

Komisioni dhe Qendra Evropiane për Kontrollin e Sëmundjeve po e ndihmojnë rajonin edhe në finalizimin e strategjive të vaksinimit në përputhje me rekomandimet e Komisionit për ta siguruar përgatitjen e duhur të fushatave dhe administrimin e vazhdueshëm të vaksinave. BE po financon edhe një projekt me Organizatën Botërore të Shëndetësisë (OBSH) për të ndihmuar në menaxhimin e logjistikës dhe shpërndarjen e vaksinave.

Komisioni Evropian zotohet që të sigurojë se të gjithë ata që kanë nevojë për vaksinë, do ta marrin, kudo në botë.

Kjo është arsyeja pse menjëherë iu përgjigj thirrjes së OBSH-së për veprim dhe ka ndihmuar në mbledhjen e gati 16 miliardë eurove që nga 4 maji i vitit 2020 nën Reagimin Global ndaj Koronavirusit, që është veprimi global për qasje universale në teste, trajtime dhe vaksina kundër koronavirusit dhe për rimëkëmbjen globale.

Instrumenti COVAX është shtylla e vaksinave të Përshpejtuesit të Qasjes në Mjetet ndaj COVID-19 (ACT), një bashkëpunim global për ta përshpejtuar zhvillimin, prodhimin dhe qasjen e barabartë në teste, trajtime dhe vaksina kundër COVID-19. Mbi 870 miliona euro janë zotuar deri më tani nga BE dhe Shtetet Anëtare të BE për COVAX. COVAX synon të blejë 2 miliardë doza deri në fund të vitit 2021, përfshirë mbi 1.3 miliardë për shtetet në zhvillim.

Kjo do të ndihmojë në zhvillimin e një portofoli të larmishëm të vaksinave, të negociuar me furnizues të ndryshëm, dhe që mbulon teknologji të ndryshme shkencore, kohën e dorëzimit dhe çmimet.

Pjesëmarrja e BE-së në COVAX është plotësuese me negociatat e vazhdueshme të BE me kompanitë e vaksinave të nisura në bazë të Strategjisë së Vaksinave të BE. Përpjekjet e BE-së për të zhvilluar dhe prodhuar një vaksinë efektive do të shkojë në dobi të të gjithëve në komunitetin global.

Investimi i BE-së në përshkallëzimin e kapacitetit prodhues do të jetë në shërbim të të gjitha shteteve në nevojë.

Përmes Marrëveshjeve të Avancuara të Blerjes, ajo u kërkon prodhuesve që të vënë në dispozicion kapacitetin e tyre të prodhimit për t’i furnizuar të gjitha shtetet dhe bën thirrje për rrjedhën e lirë të vaksinave dhe materialeve pa asnjë kufizim eksporti.

Komisioni gjithashtu po e koordinon donacionin e disa prej dozave të prokuruara nga Shtetet Anëtare të BE-së për shtetet e ndryshme partnere në mënyrë që të garantohet qasja e tyre e hershme në vaksinat kundër COVD-19 për punonjësit e kujdesit shëndetësor dhe popullatën në nevojë derisa të vihen në dispozicion vaksinat përmes COVAX.


 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)