28 Mars 2024

Kanceri nuk do të thotë vdekje, kur shteti qëndron me qytetarë

Prishtinë, 4 shkurt - Me rastin e shënimit të Ditës Botërore Kundër Kancerit, nënkryetarja e Lëvizjes Vetëvendosje!, znj. Fatmire Kollçaku Mulhaxha, që është njeherit edhe doktoreshë me profesion, iu drejtua qytetarëve të Kosovës me një mesazh të shkurtë dhe të rëndësishëm: Kanceri nuk do të thotë vdekje.

“Në këto njëzet vitet e fundit kanceri është dëshmuar si një vrasës i heshtur, por kjo nuk nënkupton që kjo sëmundje çon drejt një vdekje të sigurt në rast se shteti është i përgjegjshëm dhe përmes politikave përkrahë institucionet shëndetësore në vend.” tha nënkryetarja Mulhaxha në fjalën e saj hyrëse.

“Parandalimi, diagnostikimi dhe trajtimi i sëmundjeve malinje, duhet të jetë prioritet në këtë vend sepse nuk ka familje që nuk është prekur. Vitin e kaluar janë evidentuar rreth 1500 raste, por supozohet se janë rreth 2000 raste të reja, por duke pasur parasysh që ka dështuar SISH-i dhe ende nuk kemi një regjistër të mirëfilltë të kancerit, ne nuk disponojmë me të dhëna reale.” tha ajo, para se të komentoj edhe mbi financat për trajtimin e kësaj sëmundje.

“Shteti duhet ta ndajë buxhetin për trajtimin e kësaj sëmundje duke u bazuar në nevoja reale. Sepse ende rreth dy milionë euro ndahen nga fondet e bamirësisë dhe qytetarët që solidarizohen me të prekurit për trajtimin e kësaj sëmundje. Bazuar në të dhënat e ekspertëve, sipas listës aktuale për nevojat e trajtimit të kancerit nevojiten rreth 10 milionë euro. Në proces, është revidimi i listës esenciale dhe ende nuk dihen nevojat buxhetore për mbulimin e kësaj liste sa i përket kimioterapisë.” tha ajo duke shtuar se “përveç buxhetit për barna dhe material shpenzues, në klinikën e onkologjisë ka nevojë për një repart të ri për kimioterapi, meqenëse në baza ditore në këtë klinikë trajtohen deri në 200 raste, e ku nganjëherë numri i pacientëve arrin edhe deri në 300. Shfryzueshmëria e shtretërve është 200 deri në 400% sipas rasteve.”

Nënkryetarja Mulhaxha foli edhe për punën e komisionit parlamentar për shëndetësi, si dhe për angazhimin e Lëvizjes Vetëvendosje! në këtë situatë ku qytetarët përveç se po varfërohen edhe po iu shkelen të drejtat njerëzore.  

“Komisioni Parlamentar për Shëndetësi Punë dhe Mirëqenie Sociale - duke iu falënderuar deputetëve të komisionit, ka arritur që nga buxheti për vitin 2019 të ndahet shuma financiare prej një milionë e gjysmë euro për blerjen e një aparati për radioterapi. Duke pasur parasysh që këtu nuk përfundojnë nevojat e kësaj klinike për aparaturë, ne si Lëvizje Vetëvendosje! do të angazhohemi për krijimin e mundësive te reja për trajtimin e avancuar të kësaj sëmundjeje,  si dhe do te jemi ne vazhdimësi në përkrahje të realizimit të kërkesave të drejta të Klinikes se Onkologjisë , sepse kjo shkon në të mirë të të gjithë pacientëve të prekur nga kjo sëmundje.” theksoi ajo.

“Poashtu, duke pasur parasysh që më shumë se 50% e popullatës jeton në varfëri, ne do të angazhohemi për zbatimin e ligjit për sigurime shëndetësore publike që do ta lironte familjen nga barra e rëndë për sigurimin e mjeteve për trajtimin e sëmundjes. Në ndërkohë, ne kërkojmë nga kompanitë private të sigurimeve shëndetësore t’i përmbahen kontratave dhe në asnjë rast mos t’i ndërpritet sigurimi shëndetësor klientëve të tyre, të cilët në ndërkohë diagnostifikohen me sëmundjen e kancerit. Kjo do të ishte shkelje e drejtpërdrejtë e të drejtave të njeriut.”

Për fund, mesazhi i nënkryetares Mulhaxha ishte se “ne të gjithë duhet të mobilizohemi, që secili nga pozicioni  vet të kontribuoj në kthimin e shpresës tek qytetarët se ata nuk do të jenë vetëm, sepse shteti ka për obligim të kujdeset për qytetarët e vet, në veçanti kur ballafaqohen me një problem të tillë siç është kanceri.”   

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)