02 Shkurt 2023

Institucionet pa rezultate për adresimin e korrupsionit në shëndetësi

Prishtinë, 8 dhjetor - Instituti Columbus ka mbajtur një diskutim me temën ‘Imuniteti i Sistemit Shëndetësor ndaj korrupsionit’, aktivitet ky në kuadër të Javës Kundër Korrupsion.

Të pranishëm në këtë diskutim ishin përfaqësues të Ministrisë së Shëndetësisë, Agjencisë për Produkte dhe Pajisje Mjekësore, Odës së Mjekëve, Shoqatës së Pacientëve, profesionistë shëndetësor e përfaqësues të Shoqërisë Civile.

Në këtë tryezë ka pasur diskutime të forta për nivelin e shtrirjes së korrupsionit në sistemin publik shëndetësor.

Përderisa për vitin 2023 është rritur buxheti sidomos për barna e material shpenzues në kuadër të Listës Esenciale, Ministria e Shëndetësisë nuk ka bërë ndryshimet e duhura për të siguruar integritetin e proceseve të prokurimit dhe për të siguruar shpenzimin e mjeteve në mënyrë adekuate.

Hysni Mehani që është këshilltar i ushtrueses së detyrës së ministres së shëndetësisë, Dafina Gexha ka deklaruar që shumë probleme në shëndetësi nuk mund të adresohen vetëm nga Ministria e Shëndetësisë por që për këto çështje duhet të punojnë disa nivele.

Si masë të parë e përmendi shtimin e numrin të inspektorëve për 40 gjë që sipas tij do ta rrisë llogaridhënien.

“Kemi qenë te vetëdijshëm për problemet dhe po vazhdojmë t’i trajtojmë. 98 milionë euro më shumë do të thotë vëmendje më e madhe për pozita të reja shëndetësore. 40 inspektorë më shumë do t’i ndihmojë sektorit farmaceutik sepse do të katërfishohen inspektimet gjatë vitit”, ka thënë ai.

Por për situatën aktuale në shëndetësi kryetari i Odës së Mjekëve, Pleurat Sejdiu e ka drejtuar përgjegjësinë drejtpërdrejtë tek Ministria e Shëndetësisë. Sipas tij nuk po zbatohet Ligji për Shëndetësi e për një gjë të tillë kryeministri i Kosovës, Albin Kurti do të duhej të shkarkonte të gjithë zinxhirin përgjegjës. Sejdiu ka ngritur alarmin edhe korrupsionin mes kompanive farmaceutike e profesionistëve shëndetësor për çka thitë që i kanë informuar edhe përgjegjësit.

“Flasim për kompani farmaceutike që te ne i kanë korruptuar mjekë dhe personel. Qe një vit e gjysmë ne kemi kërkuar nga ministri që të ketë monitorim dhe të zvogëlojmë ndikimin e kompanive farmaceutike mbi profesionistët shëndetësorë”, theksoi Sejdiu.

Prezent në tryezë ishte edhe ushtruesi i detyrës së kryeshefit të Agjencisë Kosovare për Produkte dhe Pajisje Mjekësore, Sejdë Tolaj. Ai ka folur për mënyrën se si funksionon tregu farmaceutik, me theks të veçantë barnatoret që me legjislacionin aktual nuk është kriter që pronari të jetë farmacist. Mos kufizimi i një çështje të tillë mundëson që kushdo që ka para të hap barnatore. Tolaj ka deklaruar që ky problem do të adresohet.

“Dje kemi biseduar që të mos ketë më barnatore me një farmacist, por me dy. Kjo ka me u rregullu shumë shpejt me akt nënligjor. Është numër shumë i madh i barnatoreve dhe afër njëra-tjetrën. Duhet rregullohet me udhëzime administrative dhe distance. Është qenësore që në barnatore të mos jetë pronar dikush që nuk është farmacist”, ka thënë Tolaj.

I pranishëm në tryezë ishte edhe përfaqësuesi i Shoqatës së Pacientëve, Besim Kodra. Ai foli po ashtu për rrezikun që po i kanoset Kosovës nga tregu i pakontrolluar farmaceutik duke e bërë këtë treg shumë më afër biznesit e më larg pacientit.

Kodra ka prezantuar edhe të dhënat nga një anketë me pacientë, ku 15 për qind e tyre kanë pranuar që kanë dhënë ryshfet për të marrë shërbime shëndetësore.

“Në një studim i kemi pyet 400 pacientë, në 15 për qind të tyre pranojnë se është dashur të paguajnë për të marr shërbime. Korrupsioni ekziston. Na vinë ankesa, i adresojmë por ka dënime shumë të ulëta. Është diçka e mirë rritja e buxhetit por kjo nuk do të ketë dallim të madh. Kjo shton mundësinë për rritje të korrupsionit. Pacienti është diçka si e dorës së dytë që trajtohet”, ka thënë ai.

Ky organizim është bërë në kuadër të Javës Kundër Korrupsion, e cila organizohet nga Koalicioni i OJQ-ve. Pjesë e këtij koalicioni janë 6 organizata: Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD), Grupi për Studime Juridike dhe Politike (GLPS), Lëvizja Fol, Iniciativa për Progres, Çohu dhe Coumbus.

Motoja e “Javës Kundër Korrupsion për vitin 2022”, e Koalicionit të OJQ-ve është “Bashkë Kundër Korrupsionit”.

Kalendari

Ngjarjet e datës 2 shkurt 2023

- Komisioni për Shëndetësi dhe Mirëqenie Sociale shqyrton draft-planin e punës për sesionin pranveror 2023. (Ndërtesa e Kuvendit, N303, ora 9:00)

Paneli i Gjykatës së Apelit bën shpalljen e aktgjykimit të apelit në çështjen Hysni Gucati dhe Nasim Haradinaj. (Hagë, ora 9:30)  

- Këshilli Gjyqësor i Kosovës (KGjK) mban mbledhjen e radhës. (Ndërtesa e KGjK-së, ora 10:00)  

- Kuvendi i Kosovës mban seancë plenare. (Kuvendi i Kosovës, ora 10:00)  

- Komisioni Qendror i Zgjedhjeve shënon Ditën Globale të Zgjedhjeve me temën “Pjesëmarrja në zgjedhje në Republikën e Kosovës dhe roli i institucioneve”. (Hotel Sirius, ora 10:00)  

-Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, viziton Komunën e Ferizajt ku do të takohet me kryetarin Agim Aliu. (Ferizj, ora 10:30)

- Zëvendëskryeministrja e Republikës së Kosovës, Emilija Redžepi organizon tryezë të rrumbullakët me rastin e regjistrimit të ardhshëm të popullsisë së Kosovës. (Ndërtesa e Qeverisë, salla P38, ora 14:00)