26 Janar 2021

IKD: Drejtori i Klinikës së Radiologjisë shkeli Ligjin për Mbrojtjen e Sinjalizuesve

Prishtinë, 29 tetor - Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD) reagon ndaj inicimit të procedurës disiplinore nga Drejtori i Klinikës së Radiologjisë, Bujar Gjikolli, ndaj teknikut të kësaj klinike, Fisnik Thaqi, për shkak publikimin e pamjeve nga Klinika e Radiologjisë, ku për shkak të mungesës së kushteve, dëshmohej rrezikimi i shëndetit të punonjësve shëndetësor dhe qytetarëve.

Fisnik Thaqi, teknik në Klinikën e Radiologjisë në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK) më 22 tetor 2020 ka publikuar pamje nga Klinika e Radiologjisë, ku shihej se për shkak të mungesës së kushteve, rrezikohej jeta dhe shëndeti i punëtorëve shëndetësorë dhe pacientëve.

Në këtë postim të Thaçit thuhet se: “Shume pune ne Radiologji, me rrezikshmeri te larte dhe aspak mbrojtje. Kjo eshte edhe me e tmerrshme kur e mendon qe renovimet ne kete klinike jane be vitin e kaluar. Paramendo ne punojme deri ne 100 raste ne dite, dhe bashke me pacientet rrezatohemi edhe ne sepse dyert qe duhet me na mbrojt nga rrezatimi i pajisjeve, nuk mbyllen sepse jane demtuar per shkak te cilesise se dobet. Tmerr, ne punetoret e klinikes po pesojna dhe po na rrezikohet shendeti per shkak te neglizhences. Per te gjitha keto menaxhmenti i klinikes eshte ne dijeni”[1]. Të nesërmen, Thaqi kishte shkruar në rrjetin social “facebook” se Drejtori i Klinikës së Radiologjisë “ka tendencë për mbrojtjen e tij dhe shpifje dhe degradim ndaj punëtorëve të klinikës”.

Ndërsa, më 28 tetor 2020, Thaqi ka publikuar kërkesën urgjente për marrjen e masave disiplinore ndaj tij, të ushtruar nga Drejtori i Klinikës së Radiologjisë, Bujar Gjikolli, në adresë të U.d. Drejtorit të Shërbimit Spitalor Klinik Universitar të Kosovës (ShSKUK), Valbon Krasniqi, dhe Ministrit të Shëndetësisë, Armend Zemaj. Kërkesa urgjente për marrjen e masave disiplinore ndërlidhet pikërisht me publikimin e video incizimeve të Thaqit, që dëshmojnë rrezikimin e jetës dhe shëndetit të personelit mjekësor dhe qytetarëve nga mungesën e kushteve në Klinikën e Radiologjisë[2].

Kjo kërkesë për marrjen e masave disiplinore bie në kundërshtim të hapur me Ligjin Nr.06/L-085 për Mbrojtjen e Sinjalizuesve. Neni 5.1. i këtij ligji përcakton se “Raportimi dhe shpalosja në interes publik është e mbrojtur kur bëhet për shkak se:... 1.4. shëndeti apo siguria e individit është rrezikuar, është duke u rrezikuar ose ka gjasa të rrezikohet”. Neni 6.1. i po këtij ligji përcakton se “Çdo veprim ose mosveprim që synon pengimin e raportimit apo shpalosjes në interes publik, është  i  pavlefshëm  dhe  zyrtari  përgjegjës  apo  cilido  person  tjetër  në  rastet  përkatëse  ndiqet  penalisht sipas dispozitave penale në fuqi në Kosovë”. Ndërsa, neni 9.1. i po këtij ligji përcakton shprehimisht se “Sinjalizuesi që raporton ose shpalos informata në pajtim me dispozitat e këtij ligji, nuk mund të jetë subjekt i përgjegjësisë penale ose civile apo procedurave disiplinore”, derisa paragrafi 4 i këtij neni përcakton se “Mbrojtja e garantuar për sinjalizuesin sipas këtij ligji nuk duhet të paragjykohet nëse kërcënimi apo cenimi i interesit publik i pretenduar nuk është materializuar”.

Sa i përket sinjalizimit “sipas këtij ligji”, Ligji Nr.06/L-085 për Mbrojtjen e Sinjalizuesve ka përcaktuar tri lloje të sinjalizimit: Sinjalizimi i brendshëm, Sinjalizimi i jashtëm dhe sinjalizimi publik. Sa i përket sinjalizimit publik, Ligji Nr.06/L-085 për Mbrojtjen e Sinjalizuesve ka përcaktuar decidivisht rastet kur sinjalizuesi mund të bëjë sinjalizim publik. Neni 20 i këtij ligji përcakton se “1. Përveç rasteve të sinjalizimit të brendshëm dhe të jashtëm, sinjalizuesi mund të bëjë edhe sinjalizim publik, në rastet kur:...1.3.  në  rast  të  kërcënimit  të  menjëhershëm  për  jetën,  shëndetin  publik,  sigurinë,  mjedisin, apo kur shkaktohen dëme në shkallë të gjerë apo të pariparueshme”.

Në rastin konkret, video incizimet e publikuara nga Thaqi kanë të bëjnë me mungesën e kushteve në Klinikën e Radiologjisë, e cila mungesë e kushteve është fakt notor se shkakton pasoja në jetën dhe shëndetin e stafit shëndetësor dhe pacientëve. Për këtë arsye, nisur nga këto dispozita ligjore, tekniku Fisnik Thaqi është plotësisht i mbrojtur nga Ligji Nr.06/L-085 për Mbrojtjen e Sinjalizuesve. Andaj, çdo inicim i procedurës disiplinore në këtë rast është në kundërshtim me Ligjit Nr.06/L-085 për Mbrojtjen e Sinjalizuesve.

Për më tepër, për veprime të tilla sipas Kodit Nr.06/L-074 është sanksionuar edhe përgjegjësia penale. Neni 388.2. i këtij kodi përcakton se “Kushdo që ndërmerr ndonjë veprim të dëmshëm për cilindo person me qëllim të hakmarrjes për  shkak  të  raportimit  ose  shpalosjes  së  informacionit  për  veprimet  dhe  mosveprimet  që  paraqesin kërcënim ose cenim të interesit publik dënohet me gjobë ose me burgim deri në dy (2) vjet”.

Për këto arsye, IKD rekomandon Drejtorin e Klinikës së Radiologjisë dhe të gjithë akterët e tjerë të ShSKUK-së që të pushojnë të gjitha procedurat disiplinore ndaj teknikut Fisnik Thaqi, të cilat procedura ndërlidhen me sinjalizimin e tij publik, sinjalizim ky i mbrojtur me Ligjin Nr.06/L-085 për Mbrojtjen e Sinjalizuesve. Veprime të tilla janë shembulli më negativ për zbatimin në praktikë të këtij ligji derisa janë edhe dekurajim i skajshëm i të gjitha sinjalizuesve të tjerë potencial për të raportuar shkeljet e mbrojtura me ligjin në fjalë.

Po ashtu, IKD i bënë thirrje Prokurorit të Shtetit që brenda mandatit të saj ligjor dhe me qëllim të dhënies së mesazhit pozitiv për zbatim të Ligjit Nr.06/L-085 për Mbrojtjen e Sinjalizuesve, të iniciojë procedurat ligjore.
 

Kalendari

Ngjarjet e datës 26 Dhjetor 2020 - Punëtorët teknik  te cilët punojnë në Universitetin e Prishtinës “Hasan Prishtina” do të  protestojnë për pagën e tyre të muajit dhjetor 2020 të cilën ende nuk e kanë marr dhe për  mos  pajisje me kontratës së punës. (Para Rektoratit të UP-së”, ora 9:00)

- Kryeministri në detyrë Avdullah Hoti pret në takim përfaqësuesit e shoqatës “Down Syndrome Kosova”, SOS Fshatrave të Kosovës, OJQ “Handikos” dhe përfaqësuesit e strehimoreve të Kosovës. (Ndërtesa e Qeverisë, ora 9:00 - vetëm pamje)

- Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, znj.Meliza Haradinaj-Stublla dhe Ambasadorja e Francës në Kosovë, znj.Marie-Christine Butel do të nënshkruajnë një memorandum bashkëpunimi. (Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, ora 9:00)

- Instituti GAP dhe Kosovo 2.0 organizojnë diskutim virtual me temë "Rekrutimet jo meritore në sektorin publik: a do ta ndryshojnë institucionet e reja rrethin vicioz në rreth të virtytshëm?”. (https://zoom.us/j/93876352348, ora 10:00)

- Mbahet mbledhja e Komitetit për Politikë dhe Financa në Komunën e Prizrenit. (Shtëpia e Bardhë, ora 10:00)

- Këshillit Gjyqësor të Kosovës mban mbledhjen e radhës. (Mbledhja mbahet përmes aplikacionit ZOOM, ora 10:00)

- Grupi për Studime Juridike dhe Politike organizon tryezën e diskutimit me temë “Reforma zgjedhore në Kosovë: Sa është prioritet në programet e partive politike?”. (https://zoom.us/j/92385065303, ora 10:30)

- Promovohet libri i autorit Faton Mehmetaj ''Deçani Nëpër Shekuj'' - Promovimi i Trashëgimisë  Kulturore. (Salla e Asamblesë Komunale në Deçan, ora 11:00)

- Partia Socialdemokrate do të mbaj një aktivitet afër teatrit kombëtar. (Sheshi Skënderbeu, ora 12:00)
 
- Kryeministri në detyrë Avdullah Hoti merr pjesë në Inaugurimin e Qendrës Kulturore në Vushtrri. (Shtëpia e Kulturës në Vushtrri, ora 13:00)

- Kryeministri në detyrë Avdullah Hoti takon menaxhmentin e Trepçës dhe viziton flotacionin e mineraleve. (Miniera e Trepçës- Stantërg, ora 15:00)