28 Mars 2024

Harrohen reformat në shëndetësi

Prishtinë, 31 janar - Instituti Demokratik i Kosovës (KDI) në bashkëpunim me Qendrën për Hulumtime Shëndetësore (QHSH), ka organizuar një tryezë të rrumbullakët me temën “Kosova pa Sigurime Shëndetësore – Deri Kur?!!...”, ku të pranishmit kanë diskutuar rreth mungesës së sigurimeve shëndetësore dhe ligjit që rregullon këtë çështje.

Drejtori ekzekutiv i QHSH-së, Haxhi Avdyli prezantoi para pjesëmarrësve një punim diskutues që analizon sistemin e sigurimeve shëndetësore në Kosovë të përgatitur nga Instituti Demokratik i Kosovës dhe Qendra për Hulumtime shëndetësore.

Duke folur për përmbajtjen e punimit, Avdyli tha se në vendin tonë nuk është bërë as hapi i parë  - miratimi i Ligjit.

“Megjithëse është thënë se reformat në shëndetësi janë prioritet, ende nuk është bërë asgjë në këtë drejtim”, ka thënë Avdyli, ndërkohë ka lexuar disa rekomandime që kanë dalë si rezultat i këtij punimi.

Ilir Tolaj, sekretar i Përhershëm në Ministrinë e Shëndetësisë ka vlerësuar se dhjetë vitet e pasluftës kanë qenë të vështira për sistemin shëndetësor në tërësi.

Ai ka thënë se edhe kur të aprovohet Ligji për Sigurimet Shëndetësore, nuk do të thotë se është implementuar  ky sistem.

“Nga miratimi i ligjit, deri në implementimin e sigurimeve shëndetësore, duhen tre deri në pesë vite”, ka thënë panelisti Tolaj. Ai ka shtuar se për të zbatuar në praktikë sigurimet shëndetësore, kërkohet edhe vullnet politik.

Panelisti tjetër, kryetari i Partisë së Drejtësisë, z. Ferid Agani ka thënë se shkaku kryesor i mungesës së sigurimeve shëndetësore është politika jofavorizuese ndaj shëndetësisë.

“Para themelimit të fondit duhet të bëhet transformimi i sektorit publik shëndetësor”, ka thënë Agani. Ai ka paraqitur disa rekomandime se si do të duhej rregulluar ky sistem.

Ndërkohë, sa i përket ndikimit buxhetor të sigurimeve shëndetësore ka folur Shyqeri Hyseni nga Ministria e Ekonomisë dhe Financave.

“Për një vit, shpenzimet e fondit kapin shumën prej 296 milion euro”, dhe si të tilla e rëndojnë mjaft shumë buxhetin e Kosovës, ka thënë ai.

Të pranishmit kanë kritikuar edhe qasjen e qeverisë ndaj shëndetësisë në përgjithësi. Është vlerësuar se asnjë nga qeveritë e pasluftës në Kosovë nuk e ka pasur prioritet shëndetësinë.

Tryeza e organizuar nga KDI dhe QHSH ka pasur për qëllim sensibilizimin e opinionit  e me theks të veçantë të institucionet vendimmarrëse për trajtimin me urgjencë të kësaj problematike, si dhe nxjerrjen e rekomandimeve që do të përdoren në punimin final, në mënyrë që të gjenden format më të mira të ndërtimit të sistemit të sigurimeve shëndetësore në Kosovë.

 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)