16 Dhjetor 2019

Hapet Qendra e 11-të Informuese për Shëndetin e Gruas

Kamenicë, 6 gusht - Sot, në një ceremoni zyrtare, u hapën dyert e Qendrës Informuese për Shëndetin e Gruas “Klasat për Nëna” në Kamenicë, në Qendrën Kryesore të Mjekësise Familjare (QKMF).

Kjo iniciativë është bërë e mundshme falë financimit të Ambasadës së Zvicrës në Kosovë dhe bashkëpunimit me Qendrën Kryesore të Mjekësise Familjare në Komunën e Kamenicës, dhe fondacionit Action for Mothers and Children.

 Qendra e 11-të ‘Klasat për Nëna’ e hapur tani edhe në Kamenicë do të ofrojë shërbime edukative, aktivitete të mirëqenies fizike dhe psiqike, informacione këshilluese për kujdesin para dhe pas lindjes, depresionin e pas lindjes, ushqyerjen me gji, kujdesin për të sapolindurin, të ushqyerit e foshnjës, imunizimin si dhe kujdesin ndaj fëmijës.

 Qendra Informuese në Kamenicë është e hapur çdo ditë pune për të gjitha gratë e vajzat e Komunës së Kamenicës, si dhe partneret e tyre.

Orari i sesioneve do të jetë i publikuar në QKMF në Kamenicë, në uebfaqen e Action for Mothers and Children si dhe grupin në rrjetet sociale të Qendrës – Klasat për Nëna.

Kalendari

Ngjarjet e datës 16 dhjetor 2019

- Policia e Kosovës, konkretisht Drejtoria e Policimit në Bashkësi dhe Preventivë dhe Komiteti Lokal për Siguri Publike nga komuna e Vushtrrisë organizon takimin e nëntëmbëdhjetë të Këshillit Ekzekutiv të Komiteteve Lokale për Siguri Publike. (Hotel Emerald, ora 10:00) 
 
- Komuna e Deçanit dhe Ministria e Arsimit vendosin gurthemelin për ndërtimin e objektit të ri të Shkollës Fillore të Mesme dhe të Ulët 'Lidhja e Prizerenit'. (Deçan, ora 12:00) 

 

- Mbahet ceremonia e dorëzimit të pajisjeve mjekësore për Klinikën e Neonatologjisë dhe Pediatrisë në Spitalin e Mitrovicës, pajisje keto të financuara nga partneri jonë Raiffeisen Bank në Kosovë.  (Spitali i Mitrovicës, Klinika e Neonatologjisë, ora 14:00)