29 Mars 2024

Gjermania dhe OBSh i dhurojnë Kosovës pajisje mjekësore për të luftuar COVID 19

Prishtinë, 14 janar - Falë OBSh-së dhe qeverisë gjermane, sektori i shëndetësisë në Kosovë pranoi pajisje mjekësore në vlerë prej 2.17 milionë euro për t’u përballur me pandeminë.

Dorëzimi i pajisjeve mjekësore të financuara nga Gjermania për ShSKUK-në u bë me koordinim dhe organizim të OBSh-së dhe do t’u mundësojë punonjësve të kujdesit shëndetësor të ofrojnë shërbime të duhura për pacientët që vuajnë nga COVID-19.

Pajisjet mjekësore që u dhuruan përmbajnë: 5,000 oksimetër impulsi për matjen e saturimit në gjak; 200 ventilatorë (të tipit Trilogy EVO 02, w/acc. dhe PrismaVENT 50-c, w/acc.)

Ambasadori Gjerman Jörn Rohde deklaroi se e gjithë Evropa po lufton aktualisht me një valë të dytë të pandemisë. Solidariteti evropian është thelbësor.

''Virusi është një kërcënim për të gjithë ne. Askush nuk është i sigurt derisa të gjithë të jenë të sigurtë. Për këtë arsye qeveria gjermane është e lumtur të ndihmojë Kosovën përmes dorëzimit të 5,000 oksimetrave të pulsit dhe 200 ventilatorëve.''

''Asistenca gjermane është ofruar në bashkëpunim të ngushtë me OBSH-në në Evrope dhe zyrën e OBSh-së në Kosovë. Kjo dërgesë është një nga ca skema mbështetëse të qeverisë gjermane për shtetet e Ballkanit Perëndimor në luftën ndaj COVID 19.

Deri më tani Gjermania ka ndihmuar Kosovën me donacione të shumta me pajisje mjekësore, mbrojtëse dhe higjienike, si dhe me pajisje për testim, një mision ekspertësh nga Instituti Robert-Koch, një kontribut të madh prej më shumë se 5 milionë euro për rimëkëmbjen ekonomike të vendit si dhe të grupeve më të cenueshme të shoqërisë.

Falënderojmë OBSh-në dhe partnerët tanë kosovarë për bashkëpunimin shumë të mirë.”

Ministri i Shëndetësisë Armend Zemaj me këtë rast theksoi se ai vlerëson lartë kontributin e shtetit gjerman në ngritjen e kapaciteteve klinike në Kosovë, sidomos gjatë pandemisë Covid 19, në funksion të fuqizimit të shërbimeve shëndetësore dhe një përgjigje adekuate bashkëpunimi kundër pandemisë. Për më tepër ai nënvizoi:

“Mbështetja e qeverisë gjermane përmes  formave të ndryshme ka ndikim tejet të madh në përmirësimin e sistemit shëndetësor në përgjithësi por edhe në ngritjen e kualitetit të jetës për qytetarët e vendit tonë në veçanti.”

Dr. Isme Humolli, Ushtruese e Detyrës së Drejtorit të Zyrës së OBSh-së në Prishtinë:

“Solidariteti është thelbi i gjithçkaje që bën OBSH. Një nga rolet tona kryesore në këtë pandemi ka qenë të ndihmojmë vendet në përpjekjet e tyre për tu ballafaquar me COVID-19, duke shfrytëzuar kapacitetet dhe burimet ndërkombëtare, dhe ne jemi jashtëzakonisht mirënjohës që shohim shumë forma të solidaritetit në veprim", tha Dr. Isme Humolli.

“Ky donacion u bë i mundur përmes një bashkëpunimi shumë të mirë midis Gjermanisë, Institucioneve të Kosovës dhe OBSh-së.”

OBSh-ja dhe Gjermania kanë shpërndarë furnizime me vlerë 3.65 milionë euro në vendet e Ballkanit Perëndimor. Të gjitha këto materiale plotësojnë standardet e cilësisë dhe sigurisë së OBSh-së për të mbajtur të sigurtë punonjësit e kujdesit shëndetësor në vijën e parë dhe për të parandaluar përhapjen e COVID-19.

OBSh-ja dhe Gjermania mbeten dhe më tej të përkushtuara për të mbështetur përpjekjet e Qeverisë së Kosovës në luftën ndaj COVID-19.

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)