25 Prill 2024

Gjendja në shëndetësi s'mund të përmirësohet me ndërhyrje magjike

Prishtinë, 2 nëntor - Organizuar nga Organizata Botërore e Shëndetësisë-Zyra në Prishtinë  dhe mbështetur nga Ministria e Shëndetësisë e Republikës së Kosovës, sot në Klinikën Gjinekologjike Obstetrike të Qendrës Klinike Universitare të Kosovës (QKUK) ka filluar trajnimi në Kujdesin Efektiv Perinatal (KEP), nën përkujdesjen e katër ekspertëve ndërkombëtarë të OBSH-së.

Pakoja trajnuese e Kujdesit Efektiv Perinatal është një instrument i zhvilluar për të përmirësuar cilësinë e kujdesit perinatal dhe për të zgjidhur sfidat specifike në vendet e Evropës Qendrore e Lindore dhe shtetet e reja të pavarura, ndërsa katër ekspertët e OBSH-së, Alberta Bacci, Dalia Jeckaite, Gianfranco Gori e Eduard Tushe, kanë punuar në mënyrë teorike dhe praktike me mami, obstetër-gjinekolog, neonatolog dhe infermiere perdiatrike nga Kosova në zhvillimin e aftësive në kujdesin obstetrik dhe neonatologji dhe në një numër fushash të kujdesit të veçantë siç është pre –eklampsia, hemorragjitë post-partale, asfiksia perinatale dhe kontrolli i infeksionit.

Dr. Ilir Tolaj, Sekretar Permanent në Ministrinë e Shëndetësisë, tha se shëndeti i grave dhe fëmijëve mbetet nga prioritetet e vazhdueshme dhe më të rëndësishme të MSH-së, jo vetëm për faktin se kjo është një fushë e rëndësishme për të ardhmen e shëndetësisë dhe popullsisë së çdo vendi, por edhe për faktin se një sistem shëndetësor në tranzicion dhe me jo pak probleme siç është sistemi shëndetësor i Kosovës, kjo është fushë që mund të vuajë më shumë edhe nga pasojat e kufizuara buxhetore dhe profesionale.
“Askush në MSH dhe as në institucionet e tjera shëndetësore nuk ushqen iluzionin se gjendja në shëndetësi dhe me këtë edhe në fushën e shëndetit të grave dhe fëmijëve mund të përmirësohet me një ndërhyrje magjike dhe brenda një periudhe të shkurtër. Mirëpo, periudha e gjatë e përpjekjeve për shëndetësi më të mirë dhe më efikase nuk guxon të na frikësojë dhe zmbraps nga qëllimi fisnik për të siguruar shëndet për të gjithë”, tha Tolaj.
Ai ka kërkuar nga pjesëmarrësit që të përfitojnë nga praktika e ekspertëve të OBSH-së dhe të freskojnë dijet shkencore.

“Në realizimin e këtij synimi përditësimi dhe përparimi i vazhdueshëm i njohurive dhe shkathtësive mbetet prioritet mbi prioritete, mbetet alfa dhe omega e suksesit. Prandaj, përkundër pohimeve të  aty- këtushme dhe perceptimeve individuale se është tepruar me trajnime, ne ruajmë bindjen se të mësuarit gjatë gjithë jetës nuk ka alternativë askund, po sidomos në mjekësi ku përparimet dhe zhvillimet e reja e bëjnë absurd faktin e djeshëm”, tha dr. Tolaj.

Dr. Skënder Syla, shef i OBSH-së në Kosovë, ka thënë se dhjetë vjetët e kontakteve të vazhduara me mjekët e QKUK-së kanë prodhuar rezultate e të arritura, por që ende ka nevojë për ngritje të mëtejme profesionale.

Dr.  Shefqet Lulaj, drejtor i KOGJ, tha se Kosova ende ballafaqohet me vdekshmëri të lartë prenatale të nënave e foshnjave, por janë bërë hapa të mirë për t’u arritur ulja e indikatorëve të vdekshmërisë dhe për t’iu ofruar vendeve të Evropës.

Ky trajnim  është në kuadër të projekteve të përbashkëta të tri agjencioneve të Kombeve të Bashkuara (WHO, UNICEF dhe UNFPA) -Përmirësimi i shëndetit të grave dhe fëmijëve në Kosovë, i financuar nga Qeveria e Luksemburgut dhe zbatuar në bashkëpunim me Ministrinë e Shëndetësisë.
 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)