28 Mars 2024

Funksionalizohet kirurgjia, emergjenca dhe anasteziologjia

Mitrovicë, 15 nëntor - Pas vendimit të Ministrisë së Shëndetësisë (MSH) për mbështetje me mjekë nga QKUK-ja, prej të martës është mundësuar funksionalizimi i Repartit të Kirurgjisë, Emergjencës dhe Anastezilogjisë në spitalin rajonal “Sami Haxhibeqiri” në Mitrovicë.

Në një ceremoni rasti të organizuar në këtë spital, ku mori pjesë ministri, Ferid Agani, mandej kryetari i komunës, Avni Kastrati etj, u vlerësua se funksionalizimi i këtyre reparteve është një lajm i mirë për të gjithë qytetarët e këtij rajoni.

Ministri i Shëndetësisë, Ferid Agani, tha se kjo është një ditë e shënuar, meqë për qytetarët e rajonit të Mitrovicës do të mundësohet që të kenë shërbime mjekësore cilësore gjatë 24 orëve në ditë.

Ai tha se mungesa e kuadrit ka qenë një problem që e ka përcjellur spitalin rajonal në Mitrovicë, veçmas për disa reparte, për të cilat prej tash e tutje do të bëhet zgjidhje nëpërmjet sigurimit të mjekëve nga QKUK-ja.

Ai falënderoi drejtuesit e QKUK-së, që kanë shprehur gatishmëri në kohën më të duhur për të mbuluar me mjekë këto reparte, që janë qenësore për një spital rajonal, siç është ai i Mitrovicës.

“Kjo është një zgjidhje e përkohshme, përderisa si hap me rëndësi është ai i përgatitjes së kuadrit vendor, për çka është marrë vendimi që të ndahen 30 specializime te reja, sipas kërkesës dhe nevojës së spitalit”.

Ndërsa kryetari i komunës, Avni Kastrati, tha se është bërë shumë punë dhe përpjekje derisa është arritur që të lëvizin gjërat në drejtim pozitiv sa i përket mungesës së kuadrit për spitalin rajonal.

Ai shprehu falënderim për të gjithë ata që kanë ndihmuar, si për ministrin Agani, drejtuesit e QKUK-së  mandej për stafin e spitalit që janë angazhuar në tejkalimin e problemeve sa i përket krijimit të mundësive për punë cilësore.

Më tepër për kushtet e punës dhe rrethanat në të cilat punohet në këtë spital, që është ndërtuar me ndihmën e qeverisë norvegjeze, foli drejtori i spitalit, Agim Peci. 

Ai tha se me funksionalizimin e këtyre tri reparteve, spitali rajonal në Mitrovicë do të ofroj shërbime të shpejta dhe efikase shëndetësore.

    
Ai theksoi se këta hapa pozitiv janë rezultat i një angazhimi të palodhshëm të kryetarit Kastrati dhe drejtorit të Shëndetësisë në Komunë, Shaqir Demiri. Duke folur për vendimin e Ministrisë së Shëndetësisë, ai sqaroi për vendimin e marrë që Klinika e Kirurgjisë e QKUK-së në Prishtinë të siguroj mjekë për spitalin e Mitrovicës.

“Është vendim i MSH është që QKUK-ja të siguroj ekip mjekësor (2 kirurgë dhe 2 anesteziologë) për kujdestari 24 orëshe në spitalin rajonal në Mitrovicë”.
 
Peci, tha se problemet për kuadër ende vazhdojnë të jenë të mëdha. Përmendi nevojën për motra medicinale, për të mbuluar të gjitha repartet që të jenë funksionale. “Kemi nevojë për 6 kirurgë, për 7 anesteziologë dhe për 150 motra medicinale”.

Ai tha se aktualisht në këtë spital me 200 shtretër janë duke punuar 322 punëtorë.

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)