20 Prill 2024

Fillon epokë e re në shëndetësinë kosovare

Prishtinë, 23 dhjetor Kryeministri i Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj, vizitoi sot Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, ku është pritur nga U.d. i Drejtorit të Përgjithshëm të Shërbimit Spitalor dhe Klinik Universitar të Kosovës (SHSKUK), Basri Sejdiu dhe Bordi Drejtues i SHSKUK-së.

Kryeministri Haradinaj në këtë vizitë i shoqëruar edhe nga ministri i Shëndetësisë, Uran Ismaili, është njoftuar me kushtet në të cilat gjendet QKUK-ja dhe me punën që po bëjnë punëtorët shëndetësorë në ofrimin e shërbimeve më cilësore shëndetësore.

Kryeministri Haradinaj, pas takimit me Bordin dhe vizitës që i bëri Repartit të ri të Intensives Qendrore në QKUK, tha se qëllimi i vizitës është t’i kushtohet rëndësi shëndetësisë dhe të konstatohen dallimet nga gjendja ekzistuese në një gjendje më të mirë.

“Vijmë këtu për të konstatuar a po lëvizin punët. Të gjithë ne i obligohemi parametrave apo treguesve dhe interesimi im dhe i ministrit, i cili e ka marrë me shumë kujdes punën, është që ta vërtetojmë kur është kjo diferencë, por edhe atëherë kur nuk është, pra të dimë ta identifikojmë”, tha kryeministri Haradinaj.

Kryeministri Haradinaj, duke konstatuar gjendjen ekzistuese në shëndetësi, tha se kapaciteti pranues dhe lista e pritjeve, që në raste të caktuara është e gjatë për trajtim apo ndërhyrje, duhet të përmirësohen.

“Një temë që mua më shqetëson dhe e kam thënë disa herë dhe që sot e pata rastin për të biseduar, është lista e barnave esenciale. Unë nuk e bart përgjegjësinë vetëm te njëra palë, në këtë rast te Bordi apo te personeli mjekësor, por edhe ne institucionet mbajmë përgjegjësi, të gjithë. Nuk vijmë këtu për asnjë arsye tjetër, përpos si ekip për të bërë diferencën, pra t’i bëjmë këto dallime”, tha kryeministri Haradinaj.

Me këtë rast, kryeministri falënderoi TIKA-n e Turqisë për donacionin dhe kujdesin në renovimin e Repartit të ri të Intensives Qendrore, për të cilin tha se është vepër e mirë.

“Do të jemi bashkë gjatë gjithë vitit që vjen, për të matur këta tregues. Edhe unë, edhe drejtori dhe të gjithë ne varemi nga këta tregues, me qenë të mirë ne jemi të lumtur, pacientët janë të lumtur, dhe po të mos jenë mirë, ne të gjithë duhet të japim përgjegjësi, sepse është e pamundur ndryshe”, tha kryeministri.

Ministri i Shëndetësisë, Uran Ismaili, tha se që nga fillimi është parë një intensifikim i qeverisë për t’u përballur me problemet që i ka sektori i shëndetësisë dhe për këtë 100 ditësh të punës janë munduar t’i kuptojnë sfidat dhe të vendosin kritere të reja për punë.

“Viti 2018 duhet të na pres me thjeshtësim të problemeve, në mënyrë që qytetarët tanë të mos presin në radhë të gjata dhe që kushtet në spitalet tona të mos jenë aq të dallueshme nga ofertat private. Intensifikimi dhe puna jonë do të jetë që viti 2018 të jetë viti ku do të shihet përmirësimi i situatës në shëndetësi”, tha ministri Ismaili.

Edhe U.d. i Drejtorit të Përgjithshëm të Shërbimit Spitalor dhe Klinik Universitar të Kosovës, Basri Sejdiu, tha se është kënaqësi për punëtorët shëndetësorë që të shohin nga afër përditshmërinë e përkrahjes maksimale të Qeverisë dhe të Ministrisë së Shëndetësisë.

“Kjo është më se e domosdoshme, që tani e tutje të fillojmë një epokë të re në shëndetësinë kosovare, që pacientët tanë ta ndiejnë dorën e shtetit dhe të trajtohen ashtu siç duhet”, tha Sejdiu. 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)