18 Prill 2019

Fëmijët kosovarë operohen nga kardiokirurgët italianë

Prishtinë, 19 mars - Kardiokirurgë nga Italia po qëndrojnë këto ditë në Prishtinë dhe, bashkë me kardiokirurgë të Qendrës Klinike Universitare të Kosovës, po operojnë fëmijët me probleme në zemër.

 Kardiokirurgu në Klinikën e Kardiokirurgjisë, dr. Arbër Kutllovci, e vlerësoi lart bashkëpunimin me mjekët italianë. Kutllovci tha se me ndihmën e tyre, në QKUK po kryhen operacione komplekse .

“Për ne, kardiokirurgët që punojmë këtu, është një punë jashtëzakonisht profitabile, për shkak se mendojmë t’i vëmë bazat e Kardiokirurgjisë Pediatrike”, theksoi Kutllovci.

Sipas tij, të gjithë pacientët e operuar janë liruar në shtëpi, me gjendje të mirë shëndetësore, pavarësisht se ishin raste komplekse.

“Kardiokirurgjia Pediatrike do një përkushtim të madh të krejt ekipit, jo vetëm të kardiokirurgëve, por të gjithë stafit mjekësor. Ne e kemi një eksperiencë modeste, të cilën do të mundohemi ta praktikojmë, pastaj, pas një kohe, do ta avancojmë atë deri në nivelin që është kardiokirurgjia për të rritur” tha Kutllovci.

Në anën tjetër, kardiokirurgu italian, Bruno Murzi, është shprehur i kënaqur me bashkëpunimin me mjekët kosovarë.

Ai tha se mjekët në Kosovë po bëjnë një punë të mirë, derisa foli edhe për operacionet, të cilat janë paraparë të kryhen deri në ditën e premte.

 “Nuk e dimë akoma. Ne do t’i kryejmë 5 ose 6 operacione deri të premten. Siç e dini, secili nga operacionet merr 6 deri në 7 orë kohë, kështu që nuk është e mundshme që të kryhet një apo dy operacione çdo ditë. Por, deri tani, bashkëpunimi i ekipit italian me atë kosovar është shumë miqësor dhe aktiv”, tha Murzi.

Një ekip i mjekëve nga Italia, të udhëhequr nga dr. Carlo Barzaghi dhe dr. Maurizio Levantino, nga Spitali i Toskanas në Itali, të asistuar nga mjekët kardiokirurgë nga Kosova, javën e kaluar, kanë kryer disa operacione tek pacientët e moshës së rritur me probleme kardiokirurgjike.

Kalendari

Ngjarjet e datës 19 prill 2019 - Klinika e Kirurgjisë së Fëmijëve në Qendren Klinike Universitare i fillon punimet Simpoziumi mbarëshqiptarë i kirurgëve të fëmijëve. (Hotel Internacional Prishtina, ora 8:40)

- Programi i Kombeve të Bashkuara për Zhvillim në bashkëpunim me Agjencinë për Menaxhimin e Emergjencave dhe partneri implementues, Kryqi i Kuq i Kosovës, do të organizojnë një ushtrim fushor në fshatin Maxhunaj në komunën e Vushtrrisë. (Fshati Maxhunaj, ora 10:00)

- Shtëpia Botuese “Faik Konica” organizon promovimin e librit të Dr. Islam Lauka, “Kosova e kërcënuar nga gjarpri i shtëpisë”. (Bibliotekën Kombëtare, ora 11:00)

- Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Kujtim Gashi, bashkë me kryetarin e Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, do të bëjnë shpërndarjen e kontratave për 21 përfituesit e granteve nga Fondi Rinor që për qëllim kanë rritjen e punësimit për të rinjtë e vendit tonë përmes zhvillimit të ndërmarrësisë. (Hotel Sirius, ora 11:00)

- Koordinatori Nacional për Kulturë, Rini dhe Sport, Rexhep Hoti së bashku me Kryetarin e Komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri, do të përcjellin garën komunale në Kreativitet Kulturor dhe Mendim Kritik. (Objekti i Gjimnazit Natyror "Xhavit Ahmeti" në​ Gjilan, ora 13:30)

- Drejtoresha e misionit të USAID-it Lisa Magno do të flasë me rastin e lançimit të faqes së re të internetit të Këshillit Gjyqësor të Kosovës (KGjK). (Sheshi 21, ora 15:00)

- Federata e Atletike të Kosovës do të mbaj konferencë për media në të cilën do të jepen informatat kryesore rreth organizimit të gjysmë maratonës së këtij viti. (Salla e shtëpisë së sporteve në Prishtinë, ora 15:00)

- Galeria e Qytetit të Gjilanit hap ekspozitën e veçantë të fotografive “Arti i Rrudhave”, të autorit Muhamed Sadriu, e cila do të shpalos fotorgafitë e 21 personave të cilët i kanë mbi 100 vjet, e që e simbolizon shekullin XXI. (Galeria e Qytetit të Gjilanit, ora 17:30)

- Galeria Kombëtare e Kosovës hap ekspoziten "Grouping - Moving - Spreading" Metaxym e cila është kuruar dhe organizuar nga The Activists dhe World Anonimous Society. (Galeria Kombëtare e Kosovës, ora 20:00)

- Lumbardhi do të prezantojë paraqitjen e parë të këngëtares dhe kompozitores amerikane Chrysta Bell në Kosovë në kuadër të turneut Feels Like Love 2019 dhe epizodit të dytë të Lumbardhi n’Behar. (Lumbardhi në Prizre, ora 21:00)