25 Prill 2024

CSL paditë Ministrinë e Shëndetësisë për mosimplementim të Ligjit për Duhanin

Prishtinë, 24 dhjetor - Qendra për Raste Gjyqësore Strategjike (CSL), platformë e themeluar nga Grupi për Studime Juridike dhe Politike (GLPS), ka dërguar në Gjykatën Themelore në Prishtinë padinë për mos implementim të Ligjit për Kontrollin e Duhanit dhe shkeljes së të Drejtave të Njeriut kundër Ministrisë së Shëndetësisë dhe Zyrës së Kryeministrit të Kosovës.

Ky është rasti i dytë strategjik i dërguar nga Qendra për Raste Gjyqësore Strategjike i cili ka të bëjë me shkeljen e të drejtës themelore të qytetarëve në jetë dhe shëndet nga institucionet publike në Kosovë.

Në këtë padi, palë paditëse është GLPS si organizatë që vepron për të mirën e interesit publik, si dhe një qytetare e Kosovës e cila ka sëmundjen e astmës e të cilës i rrezikohet shëndeti dhe jeta çdo ditë nga pirja e duhanit në vende publike.

Ligji Nr. 04/L-156 për Kontrollin e Duhanit përcakton se pirja e duhanit është e ndaluar në vende publike të mbyllura siç janë lokalet shërbyese, të cilat kanë kulm të lëvizshëm apo jo, dhe të cilat janë të rrethuara me dy apo më shumë anë, pa marrë parasysh materialin e përdorur dhe se a është struktura e përhershme apo e përkohshme.

Pavarësisht kësaj, pothuajse në çdo kafene apo restorant në Kosovë ekziston një strukturë e tillë ku lejohet pirja e duhanit edhe pse është shprehimisht e ndaluar me ligj.

Kjo gjë përbën një dështim të institucioneve publike Ministrisë së Shëndetësisë dhe Zyrës së Kryeministrit të Kosovës të cilat e kanë për detyrë të kontrollojnë dhe implementojnë Ligjin për Duhanin.

Gjithashtu, sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë, nga pandemia e duhanit vdesin 8 milion njerëz çdo vit, ku 7 milion vdekje janë si rezultat i pirjes aktive apo direkte të duhanit, kurse 1.2 milion vdekje janë si rezultat i ekspozimit ndaj tymit të duhanit, pra pirjes pasive apo pirjes së dorës së dytë të duhanit.

Gjithashtu, tymi i duhanit shkakton sëmundje të shumta si dhe posaqërisht paraqet rrezik për jetën e qytetarëve të cilët kanë astmë apo sëmundje të tjera kronike respiratore.

Prandaj, dështimi i institucioneve publike në Kosovë për të implementuar Ligjin për Duhanin paraqet shkelje të të drejtave themelore të qytetarëve në jetë dhe shëndet.

Për më tepër, mosimplementimi i ligjeve siç është Ligji për Duhanin nuk krijon respekt për institucionet publike, përkundrazi krijon mosbesim të thellë dhe mospërfillje ndaj tyre si dhe dëmton sigurinë juridike në Kosovë.

Prandaj, me këtë padi synohet që të mbrohen të drejtat themelore të qytetarëve si dhe të krijohen mekanizma të duhur për implementimin e plotë të Ligjit për Duhanin.

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)