28 Mars 2024

Britania e alarmuar nga një variant i ri i koronavirusit

Londër, 19 dhjetor - Shkencëtarët britanikë u përballën të shtunën me një sfidë serioze për të konfirmuar nëse një mutacion i koronavirusit ishte shfaqur këtë muaj në Angli, i cili mund të jetë rezistent ndaj vaksinave që po prodhohen aktualisht.

Varianti i ri u identifikua më 13 dhjetor në komunën e Kentit në Anglinë e jugut dhe analizat fillestare të shkencëtarëve qeveritarë çojnë përfundimin se ky virus “po përhapet më me shpejtësi se variantet ekzistuese”.

Kryeministri britanik, Boris Johnson zhvilloi një mbledhje të kabinetit të premten ndërkohë që po shtohet alarmi për kërcënimin nga ky mutacion, i cili është pagëzuar me inicialet VUI -202012/01. Zoti Johnson tha në një konferencë për shtyp të shtunën se nuk ka ende prova që vaksinat ekzistuese nuk japin efekt përballë këtij varianti, por shtoi “Ka shumë të panjohura ende”.

Ai vuri në dukje se variant i ri është deri në 70% më ngjitës se variantet e mëparshme.

Udhëheqësi britanik njoftoi një mbyllje thuajse të plotë të Londrës dhe Anglisë juglindore, duke u bërë thirrje banorëve të qëndrojnë brenda. Të gjithë dyqanet për artikuj jo të domosdoshëm janë të mbyllur dhe nuk lejohet lëvizja e banorëve nga Londra për në një pjesë të madhe të Anglisë juglindore dhe anasjelltas.

“Nuk mund të vazhdojmë me planet e mëparshme të Krishtlindjes” tha ai duke theksuar se lehtësimi i rregulloreve që ishte njoftuar për festa do të anulohet. Në Londër dhe Anglinë juglindore familjet nuk lejohen të shoqërohen ose vizitojnë familje të tjera për festën. Në pjesën tjetër të vendit, vetëm për Krishtlindje lejohet festimi bashkarisht për deri në tre familje së bashku.

“Duhet të theksoj se sa e komplikuar është puna për të sqaruar këtë situatë, për të kuptuar se çfarë ndodh,” tha për BBC-në zëvendës drejtori i Laboratorit Evropian për Biologjinë Molekulare, Ewan Birney.

Ministri i shëndetësisë Matt Hancock tha më herët se varianti i ri mund të jetë faktor në përhapjen më të shpejtë të koronavirusit në Anglinë juglindore dhe Londër, por nuk ka prova që sugjerojnë se shkakton sëmundje më të rëndë apo se u reziston vaksinave që sapo janë miratuar në SHBA dhe Britani.

Zyrtari më i lartë mjekësor britanik Chris Whitty, tha se Britania kishte njoftuar Organizatën Botërore të Shëndetësisë për faktin se varianti i ri është më ngjitës. “Nuk ka aktualisht prova që tregojnë se ky mutacion ka ritme më të larta vdekshmërie apo se u reziston më shumë vaksinave ose mjekimeve. Po vazhdon punë urgjente për ta analizuar këtë,” tha ai përmes një deklarate.

Jeremy Farrar, drejtor i grupit Wellcome Trust dhe këshilltar për qeverinë paralajmëroi të shtunën se situata ishte shqetësuese. “Varianti i ri i COVID-19 është shqetësues dhe shkak real për alarm dhe vigjilencë më të madhe. Kërkimet vazhdojnë për të kuptuar por është e nevojshme të veprojmë pa vonesë. Nuk ka cep të Britanisë apo globit që nuk duhet të shqetësohet. Situata është e brishtë”.

Zoti Johnson zhvilloi bisedime emergjente me ministrat e parë të qeverive të Skocisë dhe Uellsit.

Varianti i ri i virusit përmban 23 mutacione, përfshirë në proteinën që i mundëson këtij patogjeni të penetrojë në qelizat e njeriut dhe të shumohet. Që nga shfaqja e virusit në Wuhan të Kinës janë shfaqur shumë mutacione. Virologët thonë se pjesa më e madhe e mutacioneve është evolim normal i virusit, por në disa raste mund të rezultojë në shtim të kapacitetit për infektim.

Sipas këshilltarëve shkencorë të qeverisë, variant i ri po bëhet shumë shpejt virusi dominues dhe se mund të jetë i pranishëm në disa vende.

Puna për të kuptuar këtë variant të ri vazhon thotë Mark Walport, anëtar i grupit këshillimor.

“Pa diskutim që duket e mundshme që ky virus përcillet më lehtë. Kjo e bën distancimin fizik edhe më kritik,” shtoi ai.

Shkencëtarët thonë se do të duhen dy javë për të kuptuar se si reagon ky virus ndaj vaksinës, por virologët shpresojnë se nuk do të jetë sjellë ulje të mbrojtjes imunitare për organizmin.

Spitalet në Angli po regjistrojnë shifra rekord pacientësh me COVID-19. Rreth 38 milionë vetë në Angli janë nën urdhra të rrepta izolimi. Masat e reja e vënë këtë rajon praktikisht nën urdhra mbylljeje thuajse të plotë, gjë që zoti Johnson kishte thënë disa ditë më parë se do të përpiqej ta shmangte me çdo mënyrë.

 

/voa/

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)