02 Prill 2020

Bota mund të përballet me Pandeminë e koronavirusit

Gjenevë, 25 shkurt - Vendet më të goditura nga koronavirusi i ri po intensifikojnë përpjekjet për ta vënë atë nën kontroll ndërsa numri i rasteve në shkallë globale i ka kapërcyer tashmë 80 mijë.

Në Korenë e Jugut, infeksionet janë rritur sërish, duke e çuar totalin në 977. Amerikanët janë paralajmëruar të mos udhëtojnë drejt këtij vendi nëse nuk është e domosdoshme. Italia dhe Irani po ashtu po përpiqen të vënë nën fre virusin.

Shifrat e koronavirusit në Itali janë rritur në 7 të vdekur dhe 287 infeksione: 212 raste dhe 6 viktima në Lombardi; 42 raste dhe një vdekje në Veneto; 23 raste në Emilia Romagna, 3 në Piemonte dhe Lazio, një në Tirolin e Jugut dhe një në Siçili.

Ndërkohë në Japoni, aksionet në bursa shënuan një rënie të ndjeshme të martën, duke reaguar kështu ndaj rënies globale të së hënës, si shkak i frikës për shpërthime të tjera të virusit.

Edhe Wall Street dhe bursa e Londrës kanë shënuar rënie të mëdha. Organizata Botërore e Shëndetësisë, tha ndërkohë të hënën se bota duhet të bëjë më shumë që të përgatitet për një pandemi të mundshme, një situatë kjo ku një sëmundje infektive përhapet lehtësisht mes njerëzve në shumë vende të botës.

OBSH tha se është ende herët për ta etiketuar shpërthimin një pandemi, por vendet duhet të jenë në fazën e përgatitjes.

Gjithnjë e më shumë raste të prekura nga Covic 19, vazhdojnë të shfaqen, me pjesën më të madhe të tyre sërish në Kinë.

Proporcioni i personave të prekur që humbin jetën është mes 1 dhe 2 për qind edhe pse OBSH tregohet e matur dhe thotë se shkalla e vdekshmërisë nuk është e ditur ende.

Të hënën Kina raportoi 508 raste të reja të koronavirusit, ndërkohë që të dielën shifra ishte 409. Ndërsa numri i viktimave, të hënën u rrit me 71 persona, duke shkuar në gjithsej 2663. Më shumë se 77 mijë vetë në kinë janë ndërkohë të infektuar.

Mediat kineze ndërkohë kanë raportuar se shkencëtarët kanë bërë progres me përgatitjen e një vaksine orale, me një profesor në universitetin Tianjin, që ka marrë katër doza pa asnjë efekt anësor.

Por ekspertët paralajmërojnë se deri sa testet e plota klinike të kryhen do të duhet ende disa muaj kohë ndërkohë që nuk dihet as sa efektive vaksina do të jetë. 

Kalendari

Ngjarjet e datës 2 Prill 2020

- Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, pret në takim kryetarin e AAK-së, Ramush Haradinaj, për t’u konsultuar lidhur me formimin e Qeverisë së re, ose shkuarjen në zgjedhje. (Zyra e Presidentit, ora 10:00) 

- Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, pret në takim kryetarin e Listës Serbe, Goran Rakiq. (Zyra e Presidentit, ora 10:30) 

- Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, pret në takim kryetarin e Nismës, Fatmir Limaj. (Zyra e Presidentit, ora 11:00) 

- Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, pret në takim përfaqësuesit e Grupit Parlamentar 6 Plus. (Zyra e Presidentit, ora 11:30)