29 Mars 2024

Apostolova dorëzoi asistencën prej 5 milionë euro për luftimin e pandemisë

Prishtinë, 2 korrik - Ambasadorja Nataliya Apostolova, Shefe e Zyrës së BE-së në Kosovë/Përfaqësuese e Posaçme e BE-së, i dorëzoi sot Ministrit të Shëndetësisë, Armend Zemaj, 6,000 komplete testimi për COVID-19, 90 shtretër spitalorë, mbi 67,000 maska të frymëmarrjes dhe pajisje të tjera mjekësore për luftimin e COVID-19 në Kosovë.

Dërgesa përfshiu edhe 350 oksimetra pulsi në gisht dhe 5 defibrilatorë me pacemaker dhe karrocë. Vlera totale e këtij donacioni është rreth 800 mijë euro, dhe është pjesë e ndihmës së BE-së për Kosovën për përballimin e pandemisë COVID-19. Furnizimet u prokuruan përmes Zyrës së Kombeve të Bashkuara për Shërbimet e Projekteve (UNOPS).

“Jam e kënaqur që jemi mbledhur përsëri për një furnizim tjetër me pajisje mjekësore nga BE-ja për sektorin e shëndetësisë në Kosovë si reagim emergjent për të luftuar COVID-19”, tha ambasadorja Apostolova. “Sidoqoftë më vjen shumë keq që kësaj radhe Kosova po kthehet nga histori suksesi për menaxhimin e valës së parë të krizës COVID-19 në vendin e tretë më të goditur në Evropë për sa i përket numrave të javëve të fundit. Unë besoj se ne të gjithë duhet të bëjmë më shumë për ta përmirësuar situatën përpara se të përkeqësohet.”

“Respektimi i plotë i rekomandimeve të dhëna nga profesionistët e shëndetit duhet të zbatohet në çdo kohë: mbajtja e distancës fizike, vënia e maskave, larja e duarve, shmangia e turmave, zonave të mbyllur dhe aktiviteteve të afërta. Të gjithë duhet të jenë të gatshëm t’i zbatojnë rregullat. Të gjithë duhet të mësojmë të jetojmë me virusin, duke mbrojtur veten dhe të tjerët.”

Ambasadorja Apostolova vlerësoi stafin mjekësor dhe laboratorik të Kosovës për punën e tyre të vështirë gjatë pandemisë COVID-19.
 
Në prill, maj dhe qershor, BE-ja e furnizoi Kosovën me 10 autoambulanca, 100 shtretër spitalorë, 150 pompa infuzioni, 127 monitorues të pacientëve, 1.6 milion doreza të ndryshme mbrojtëse mjekësore, 60 mijë maska të frymëmarrjes FFP2, 60 mijë kominoshe njëpërdorimshe, 23 mijë mburoja për fytyrën, 3 mijë syze mbrojtëse, 26 mijë litra dezinfektues të duarve, 10 komplete çarçafësh dhe 50 kuti për transportimin e mostrave laboratorike.

Në javët e ardhshme do të dorëzohen edhe 30 ventilatorë për NJKI si pjesë e ndihmës së BE-së për Kosovën, së bashku me pajisjet shtesë mjekësore.

Përveç kësaj ndihme direkte për sektorin e shëndetësisë, BE-ja po përgatit rreth 63 milionë euro si masa afatmesme për ndihmë me grante socio-ekonomike, si dhe rreth 100 milionë euro kredi si ndihmë makro-ekonomike për Kosovën.
 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)