13 Prill 2021

Zgjedhjet dëshmuan forcën e grave, përpjekja për barazi vazhdon

Prishtinë, 6 mars - Zgjedhjet parlamentare të 14 shkurtit 2021 sollën një ndryshim shpresëdhënës për pjesëmarrjen dhe përfaqësimin e grave në politikë dhe procese vendimmarrëse.   

Krahasuar me zgjedhjet e kaluara (2019), përfaqësimi i grave në Kuvendin e Kosovës është rritur për pesë ulëse. Nga gjithsej 120 ulëse do të jenë 44 deputete apo 36.6%, kurse në legjislaturën e kaluar kjo shifër ishte 32.5% apo 39 deputete.  

Për më tepër, edhe kësaj radhe më shumë gra janë zgjedhur pa kuotë se sa që janë zgjedhur falë saj. Sipas rezultateve të deritanishme të shpallura nga Komisioni Qendor i Zgjedhjeve vetëm 11 prej 44 deputeteve të zgjedhura kanë pasur nevojë për kuotë për të siguruar ulësen parlamentare, kurse 33 gra kanë fituar pa kuotën gjinore.

Kjo nuk është barriera e vetme që gratë thyen në këto zgjedhje. Ato arritën këtë përfaqësim sado që ishin të nënpërfaqësuara në listat zgjedhore të partive politike, kjo duke kujtuar se asnjë nga partitë politike, as këtë herë, nuk zbatuan Ligjin për Barazi Gjinore (LBGj).

Gratë po ashtu mposhtën faktin që nuk ishin të përfaqësuara barabartë as në debate televizive e as në fushatë. Numërimi i fuqisë së grave vazhdon me faktin që nga dhjetë më votuarit në këto zgjedhje, katër prej tyre janë gra. Për dallim nga zgjedhjet e kaluara kur në top dhjetëshe ishin vetëm dy gra. Zëri i gruas bëhet edhe më i fuqishëm kur vërejmë së mbi 60% të grave morën pjesë në votime, dhe se një grua u bë personi më i votuar në histori që pas shpalljes së pavarësisë.

Kjo është një fitore e lëvizjes së grave në Kosovë, e cila po ashtu dëshmon se vota e qytetarëve për gratë e sjell ndryshimin pozitiv e aq të nevojshëm. Kjo lëvizje feministe për më shumë se 15 vjet u mbështet dhe u forcua nga organizatat e shoqërisë civile që punojnë për të drejtat e grave, duke përfshirë këtu edhe kontributin e Rrjetit të Grave të Kosovës (RrGK) për fuqizimin e gruas në politikë në nivel lokal bashkë me Lobin për Barazi Gjinore (Lobi) ndër të tjerash.    

Për kontekstin historik të këtij triumfi të grave, Zana Hoxha, Drejtore Ekzekutive e Artpolis, si dhe anëtare e Bordit të RrGK-së, thotë “në fakt kjo është fitore historike e RrGK-së dhe lëvizjes së grave në Kosovë. Indikatori më i saktë që përpjekjet me dekada dhe vota nga gratë për gratë e sjell ndryshimin”.

“Njëherit, kjo situatë mund të shërbejë edhe si koha e fundit kur partitë politike duhet të reflektojnë se nuk ka thjesht e vetëm “çështje të grave”, por se barazia gjinore është çështje e të gjithë shoqërisë”, shton Kryetarja e Bordit të RrGK-së, Ariana Qosaj-Mustafa.

Megjithatë, përderisa jemi dëshmitarë të fuqizimit politik të grave në shoqërinë kosovare, RrGK do të vazhdojë përpjekjet e kahmotshme drejt rritjes së pjesëmarrjes së grave në politikë dhe vendimmarrje, si dhe do të kërkojë llogaridhënie e transparencë për politikat që prekin mirëqenien dhe të drejtat e grave, si prej të zgjedhurve po ashtu dhe prej Qeverisë që pritet të formohet.   

 

Kalendari

Ngjarjet e datës 13 Prill 2021

- Mbahet mbledhja e Komisionit për Ekonomi, Industri, Ndërmarrësi dhe Tregti në të cilën do të behët konstituimi i Komisionit. (Ndërtesa e Kuvendit, salla N303, ora 10:00)

- Mbahet seanca gjyqësore kundër të pandehurit Basri Maksuti për vepren penale 'Falsifikimi i rezultateve të votimit'. (Gjykata Themelore në Ferizaj, ora 10:00)

- Mbahet mbledhja e Komisionit për Qeverisje Lokale, Zhvillim Rajonal dhe Media në të cilën do të behët konstituimi i Komisionit. (Ndërtesa e Kuvendit, salla N204, ora 10:00)

- Konstituohet Komisioni për Punë të Jashtme dhe Diasporë. (Ndërtesa e Kuvendit, salla N302, ora 10:00)

- Rolling Film Festivali i cili organizohet nga OJQ Roma Versitas Kosovo dhe Romawood mban konferencën për media. (Kino Armata, ora 11:00)

- Mbahet mbledhja konstituive e komisionit për Integrim Evropian. (Ndërtesa e Kuvendit, salla N10, ora 11:00)

- Mbahet mbledhja konstituive e komisionit për Shëndetësi. (Ndërtesa e Kuvendit, salla N302, ora 11:00)

- Fondi i Sfidave të Kosovës organizon eventin online për shpalljen e thirrjes së parë për shprehje interesi, në mbështetje të projekteve të trajnimit bashkëpunues. (Platforma Zoom, ora 11:00)

- Akademia Diplomatike e Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Diasporës dhe Ambasada e Republikës së Francës në Republikën e Kosovës, nënshkruajnë Memorandum Mirëkuptimi. (Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, ora 11:30)

- Mbahet mbledhja konstituive e komisionit për Bujqësi, Pylltari, zhvillim Rural, Mjedis dhe Infrastrukturë. (Ndërtesa e Kuvendit, salla N303, ora 13:00)

- Partia Liberale Egjiptiane do të dorëzojë ankesë në Gjykatën Kushtetuese lidhur me te drejtën e tyre të mohuar nga PZAP-ja dhe Gjykata Supreme në lidhje orkestrimin e votave nga ana e “Romani Iniciativa” në vendbanime me shumicë të komunitetit Serb në zgjedhjet e parakohshme të 14 Shkurtit. (Gjykata Kushtetuese, ora 13:00)

- Mbahet mbledhja konstituive e komisionit për Arsim, Shkencë, Teknologji, Inovacion, KulturÑ‘, Rini dhe Sport. (Ndërtesa e Kuvendit, salla N302, ora 13:00)

- Aleanca Kosovare e Bizneseve mban konferencën për media lidhur me një studim hulumtues për qytetarët kosovar që vizituan Shqipërin dhe Malin e Zi, si pasojë e kufizimit dhe mbylljes në Kosovë e që këto patën pasoja ekonomike dhe financiare për vendin tonë. (Zyret e AKB-së, ora 13:30)