02 Shkurt 2023

Zero raste të sinjalizimit brenda institucioneve të drejtësisë

Prishtinë, 8 dhjetor - Instituti Demokratik i Kosovës (KDI) publikoi sot raportin “(Mos)Zbatimi i Ligjit për Mbrojtjen e Sinjalizuesve në institucionet e sistemit të Drejtësisë”.

Ky është vetëm raporti i parë në serinë e raporteve të ngjashme që trajtojnë se sa po zbatohet ky ligj në institucionet  publike dhe ato private të Kosovës.

Sinjalizimi është mjet i rëndësishëm në parandalimin dhe luftimin e korrupsionit sepse inkurajon qytetarët të shpalosin informacione ose keqpërdorime që ndodhin në vendin e tyre të punës, e të cilat e cenojnë interesin publik.

Por pavarësisht punës së mirë që është bërë me miratimin e këtij ligji katër vite më parë, institucionet publike e private në përgjithësi kanë bërë shumë pak në zbatimin e tij dhe promovimin e sinjalizimit në përgjithësi.

Në këtë drejtim, institucionet e drejtësisë, prokuroritë dhe gjykatat, vetëm gjatë këtij viti kanë bërë hapat e parë në zbatimin e këtij ligji.

Analiza e KDI-së, e bazuar në intervista direkte me zyrtarët përgjegjës për sinjalizim në institucionet e drejtësisë, argumenton se 90% e këtyre institucioneve deri para gjashtë muajve ende nuk i kishin caktuar zyrtarët përgjegjës për sinjalizim në institucionet e tyre si dhe nuk kishin publikuar kontaktet e tyre në ueb faqe.

Këto zvarritje, së bashku me mungesën e trajnimeve adekuate për zyrtarët përgjegjës për sinjalizim kishin bërë që informatat dhe procedurat e sinjalizimit të mos arrinin të shtriheshin tek personeli.

Për më tepër,  jo të gjitha institucionet garantojnë kushte teknike për raportimin e rasteve ose sinjalizimin brenda hapësirave të tyre.

Albesa Humolli, zyrtare ligjore në KDI theksoi që “caktimi i zyrtarëve përgjegjës për sinjalizim në disa prokurori në fakt ka ndodhur vetëm pasi KDI-ja, përmes kërkesës për qasje në informata, ka kërkuar nga këto institucione kontaktet e këtyre zyrtarëve, të dhëna këto që mungonin nëpër ueb faqet e disa prokurorive.”

Ndërsa, Gzime Hashani, zyrtare ligjore në KDI potencoi se “përkundër që Kosova ka një kornizë të konsoliduar ligjore për mbrojtjen e sinjalizuesve, brenda institucioneve të drejtësisë, deri më tani nuk është raportuar asnjë rast i vetëm i sinjalizimit”.

Edhe institucionet që kanë për obligim monitorimin e zbatimit të këtij ligji – Agjencia për Parandalimin e Korrupsionit (në institucionet publike) dhe Inspektorati i Punës (në institucionet private) kanë deklaruar se nuk kanë kapacitete të mjaftueshme as njerëzore dhe as financiare për të mbajtur trajnime të vazhdueshme për zyrtarët përgjegjës për sinjalizim.

Yll Buleshkaj, Drejtor i Agjencisë për Parandalimin e Korrupsionit, vlerësoi se ka munguar informimi i institucioneve për obligimet shtesë që burojnë nga legjislacioni lidhur me sinjalizimin.

Duke folur për rëndësinë e ligjit, Buleshkaj theksoi që nga viti i ardhshëm Agjencia do të zhvillojë trajnime për zyrtarët për sinjalizim si dhe fushata për vetëdijesim të qytetarëve.

Gjithashtu, u nënvizua nevoja për përmbylljen e procesit të hartimit të udhëzuesve përkatës që do të ndihmojnë në rritjen e efikasitetit të sinjalizimit.

Në anën tjetër, edhe përfaqësuesit e institucioneve të drejtësisë potencuan nevojën për më shumë trajnime, jo vetëm të zyrtarëve për sinjalizim, por edhe stafit që mund të jenë potencialisht sinjalizues.

KDI kërkon nga institucionet e drejtësisë, por edhe institucionet tjera publike e private, që të ndërmarrin të gjitha veprimet e nevojshme për të garantuar zbatim të plotë të ligjit për mbrojtje të sinjalizuesve.

APK-së dhe MD-së u kërkon të nxjerrin sa më shpejt udhëzuesit administrativë që do t’u lehtësojnë punën zyrtarëve përgjegjës në trajtimin efektiv dhe profesional të rasteve të sinjalizimit.  

KDI po ashtu inkurajon punonjësit në sektorin publik e privat të kontribuojnë në kulturën kundër-korrupsion duke e përdorë sinjalizimin si mjet por edhe si vlerë në mbrojtjen e interesit të përgjithshëm publik.

Kalendari

Ngjarjet e datës 2 shkurt 2023

- Komisioni për Shëndetësi dhe Mirëqenie Sociale shqyrton draft-planin e punës për sesionin pranveror 2023. (Ndërtesa e Kuvendit, N303, ora 9:00)

Paneli i Gjykatës së Apelit bën shpalljen e aktgjykimit të apelit në çështjen Hysni Gucati dhe Nasim Haradinaj. (Hagë, ora 9:30)  

- Këshilli Gjyqësor i Kosovës (KGjK) mban mbledhjen e radhës. (Ndërtesa e KGjK-së, ora 10:00)  

- Kuvendi i Kosovës mban seancë plenare. (Kuvendi i Kosovës, ora 10:00)  

- Komisioni Qendror i Zgjedhjeve shënon Ditën Globale të Zgjedhjeve me temën “Pjesëmarrja në zgjedhje në Republikën e Kosovës dhe roli i institucioneve”. (Hotel Sirius, ora 10:00)  

-Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, viziton Komunën e Ferizajt ku do të takohet me kryetarin Agim Aliu. (Ferizj, ora 10:30)

- Zëvendëskryeministrja e Republikës së Kosovës, Emilija Redžepi organizon tryezë të rrumbullakët me rastin e regjistrimit të ardhshëm të popullsisë së Kosovës. (Ndërtesa e Qeverisë, salla P38, ora 14:00)