25 Prill 2024

VV: Projektligji për pagat nuk e rregullon pabarazinë në paga

Prishtinë, 25 korrik - Qeveria e njëjtë që i kishte rritur paligjshëm pagat vetes ka hartuar një projektligj që nuk i rregullon aspak problemet me pagat e sektorit publik.

Një nga problemet kryesore në sektorin publik në Kosovë është kaosi me pagat e të punësuarve, pabarazia në paga për pozita ekuivalente, jotransparenca gjatë klasifikimit të pozitave por edhe diskriminimi për kategori të caktuara. Kjo pabarazi dhe jotransparencë sidomos del të jetë prezentë në një sërë agjencish të pavarura, por edhe në ndërmarrjet publike sit ë nivelit qendror ashtu edhe lokal. Për këto probleme, por edhe për zgjidhjen siç e sheh VETËVENDOSJE!, folën në një konferencë nënkryetari i LV-së, Besnik Bislimi dhe deputetja Arbërie Nagavci.

Të gjitha problemet dhe mangësitë e kësaj fushe, Qeveria e Kosovës synon t’i mënjanojë përmes projektligjit për paga, një dokument prej 11 faqesh. Nagavci u shpreh se në vend të një dokumenti profesional që do të adresonte këto probleme të lidhura me kompensimin e të punësuarve në sektorin publik, qeveria ka draftuar një projektligj krejtësisht të pastrukturuar, plot e përplot paqartësi, gabime logjike e përmbajtësore, definicione gjysmake ose të pakuptimta, duke shtuar konfuzitetin e deritanishëm në sferën e pagave dhe mëditjeve për sektorin publike.

Ka edhe nene që janë kontradiktore si përshembull neni 4 ku thuhet: Funksionari nuk përfiton shtesa të tjera mbi pagën bazë. Përjashtimisht, paga fikse e disa funksionarëve përbëhet nga paga baze dhe shtesa e posaçme, të përcaktuar në pajtim me nenin 6 të këtij Ligji. Pse duhet të fillosh me idenë që përveç pagës bazë nuk ka shtesa dhe pastaj në të njejtën fjali mundëson shtesat e veçanta.

Paga bazë sipas këtij draftligji synon të klasifikojë pozitat dhe koeficientët përkatës sipas kompleksitetit të punës, nivelit të kualifikimit, përgjegjësisë, vështirësisë, nivelit të rrezikshmërisë, lirisë së vendimmarrjes e shumë gjëra tjera. Në fakt kjo nuk ndodh edhe atë për tri arsye. Së pari është lehtë e dokumentueshme që një sërë pozitash apo profesionesh që kërkojnë si nivel shumë të lartë të kualifikimit apo përgjegjësisë (përshembull mjekët) kanë koeficientë dukshëm më të ulët se pozita krahasimisht me më pak përgjegjësi apo kërkesa për nivel kualifikimi. Kjo mund të konstatohet edhe për dallimin shumë të madh në paga mes presidentit dhe kryeministrit edhe pse përgjegjësia dhe liria e vendimmarrjes do të duhej të peshonte më shumë tek kryeministri. Së dyti në vazhdim të draftligjit shihet që shumë aspekte të dallimeve në paga (niveli i përgjegjësisë, rrezikshmërisë, performancës etj) nuk rregullohen me klasifikimin në grada apo me pagën bazë, por përmes shtesave të veçanta. Së treti, draftligji lë pa rregulluar apo specifikuar pothuaj gjithçka meqë kërkon që shumica e problemeve të evidentuara tek pagat e sektorit publik të rregullohet përmes akteve nënligjore. Vetë termi akte nënligjore përmendet plot 15 herë në draftligj, ndërsa përmes tyre kërkohet rregullimi apo specifikimi i më se 18 çështjeve të ndërlidhura me pagat apo shtesat e shumta të parapara për kategori apo profesione të caktuara.

    përshkrimin  e përgjithshëm të punës për çdo klasë të Shërbimit Civil;
    emërtesat e pozitave, që mund të përdoren për secilën klasë;
    rregullat dhe metodologjinë për vlerësimin dhe klasifikimin e një pozite të caktuar të punës
    ekuivalencën e pozitës me gradën në rastin e nëpunësve civilë, për të cilët sipas ligjit zbatohet sistemi i gradave personale.
    Shtesa për kushte tregu
    Shtesa e performances
    shtesë të posaçme mbi pagën bazë për rrezikshmëri (për policë apo doganierë)
    Shtesa apo kompensimi për punë jashtë orarit/kohës normale të punës
    shtesa për kushte të tregut, vlera dhe procedura për përfitimin e saj
    Shtesa për kushte të vështira/të dëmshme të punës
    Shtesa e posaçme për nëpunësin e sistemit të arsimit para universitar
    Shtesa e posaçme për nëpunësin e arsimit universitar
    rregullat për llogaritjen e përvojës në punë
    Kompensimi për udhëtime dhe qëndrim jashtë vendit normal të punës
    Kompensimi për koston e jetesës sipas vendit ku ushtrohet veprimtaria për punonjësit e shërbimit diplomatik, që ushtrojnë detyrën jashtë vendit
    Kompensimi për shpenzimet e shkollimit të fëmijëve për punonjësit e shërbimit diplomatik, që ushtrojnë detyrën jashtë vendit
    Kompensimi për zhvendosje të sendeve familjare për punonjësit e shërbimit diplomatik, që ushtrojnë detyrën jashtë vendit
    Kompensimi për udhëtime në atdhe për punonjësit e shërbimit diplomatik, që ushtrojnë detyrën jashtë vendit

Ndërkohë, nënkrzetari Besnik Bislimi tha se Lëvizja VETËVENDOSJE! konsideron që projektligji ka nevojë për ridraftim komplet në mënyrë që version final i tij të shmangë gjithë anomalitë e evidentuara në versionin e tanishëm. Më specifikisht në propozojmë:

    Të riformulohen: neni 3 duke konsoliduar parimin e pagës së barabartë me atë të mosdiskriminimit; neni 4 për të shmangur kontradiktën ekzistuese; neni 6 meqë dallon shumë nga fushat tjera të rregulluara dhe njëkohësisht është i palogjikshëm; neni 8 meqë nuk ka nevojë të listohen katër lloje shtesash mbi pagën bazë (mjafton të ceket nocioni i shtesave të veçanta; neni 9 meqë disa paragrafë duhet të avancohen në nene të veçanta; neni 10 në mënyrë që radhitja e paragrafëve të ndjek një logjikë të caktuar; neni 12 në mënyrë që titulli të ketë kuptim; neni 21 meqë ka nevojë për specifikim shtesë rreth numrit maksimal të udhëtimeve drejt atdheut për stafin diplomatik; neni 24 meqë është e palogjikshme rishikimi i shtesave të  veçanta brenda vitit, të njëjtat duhet të rishikohen në baza vjetore; dhe neni i 25 meqë s’ka logjikë hyrja e ligjit në fuqi pa kompletuar listën e udhëzimeve administrative të domosdoshme për pagesën e një sërë shtesave të parapara me projektligj.

    Të rishkruhet dhe plotësohet neni 11 që e trajton shtesën e performancës në mënyrë që të shmangen hapësirat për keqpërdorim. Neni ka nevojë për plotësim me proporcionin maksimal të nëpunësve që mund të vlerësohen me “shumë mirë” dhe “shkëlqyeshëm”. Në formën aktuale, shumë lehtë ky nen mund të shndërrohet në pagën e 13 për gjithë kategoritë e përfshira, dhe kësisoj të përbëjë një rritje të fshehur të pagave.

    Kur flitet për shtesat e veçanta për rrezikshmëri në nenin 12, është e palogjikshme që të futet në këtë ligj një limit prej 20% të pagës bazë. Ata që janë të familjarizuar me ekonomiksin e tregut të punës e dinë që këto premium për rrezik varirojnë si funksion i probabilitetit për lëndim fatal apo jofatal, apo probabilitetit për lëndime që qojnë në invaliditet. Me udhëzim administrativ duhet të klasifikohen të gjitha pozitat që bartin rrezik fatal ose jofatl dhe për të njejtat të determinohet masa e rrezikshmërisë. Paralelisht shfuqizohet çfarëdo paragrafi ligjor i përfshirë në legjislacionet tjera që në mënyrë selektive ka përcaktuar rrezikun për pozicione të caktuara brenda sektorit publik.

    Të ridizajnohet neni 18 sidomos në paragrafin 6 në mënyrë që të jetë konsistent me parimet e listuara në nenin 3, sidomos parimi i pagës së barabartë. Duhet të definohet saktë paga bazë dhe mënyra e kalkulimit të përvojës së punës, meqë nga formula e specifikuar këtu varet edhe përllogaritja e shtesave tjera që bazohen në pagën bazë.

    Të hiqet në tërësi neni 8 ose si alternativë të rregullohet me një kapitull të veçantë port ë detajuar. Në të kundërtën duhet të kërkohet që të njëjtat të rregullohen me mekanizma tjerë. Në formatin e tanishëm, kapitulli i 8 është vetëm burim konfuzitetit, por edhe burim i kërkesave për rritje paga nga ndërmarrje të caktuara publike apo për dalje në protesta nga të tjerat.

    Ligji për pagat të hyjë në fuqi me 1 janar 2019 e jo 15 ditë pas publikimit në gazetën zyrtare. Kjo mundëson kompletimin e udhëzimeve administrative pa të cilat implementimi i ligjit është edhe teknikisht i pamundur.

    vlera e koeficientit bazë (vlera monetare e koeficientit) të mos definohet ashtu si në nenin 18 (apo përmes ligjit për buxhetin e shtetit), port ë specifikohet si e barabartë me pagën minimale. Nëse e marrim koeficientin e barabarte me 170 euro sa është paga minimale për momentin, atëherë është shumë më lehtë e interpretueshme lartësia e secilës pagë. Për shembull mund të themi që një ministër merr 10 paga minimale në bazë mujore Apo presidenti merr 18 paga minimale. Kjo pastaj edhe kërkon një paragraf shtesë ku thuhet që asnjë pozitë në sektorin publik nuk mund të paguhet më pak së 150% e pagës minimale (si shembull) dhe asnjë pozitë nuk mund të paguhet më shumë se psh. 1500 e pagës minimale. Për momentin dallimi mes pagës më të ulët dhe asaj më të lartë (e presidentit) është 1:12.

    Të rishikohet edhe klasifikimi në pozita në bazë të nivelit të edukimit. Kjo vlen sidomos për mjekët të cilët klasifikohen ulët, apo doganierët të cilët pothuaj klasifikohen në rangun e konsullit edhe pse niveli i edukimit të kërkuar është më i ulët. Po ashtu dallimi në gradë mes mësimdhënësve të shkollave fillore dhe atyre të mesme është shumë i vogël dhe nuk reflekton as kërkesat për nivel edukimi e as nivelin e përgjegjësisë.

    Logjika e draftligjit që të bënë dallimin në pagë për kryetarët e komunave në bazë të madhësisë së komunës duhet përshëndetur, por i njëjti princip duhet të bartet edhe tek drejtorët e drejtorive komunale.

    Shtesat për kushtet e jetesës të parapara për stafin diplomatik, në formë të modifikuar duhet të aplikohen edhe për sektorin publik në Kosovë. Të punësuarit në komunat e mëdha duhet ë marrin një shtesë në masën e 15 deri 30% për të kompensuar dallimet në koston e jetesës për shembull mes Prishtinës dhe Junikut apo Hanit të Elezit.

Lëvizja VETËVENDOSJE! është shumë e interesuar që sa më parë të miratohet projektligji për paga, por njëkohësisht e sheh të domosdoshme që projektligji të kontribuojë në zgjidhjen e parregullsive që e përcjellin sistemin e pagave të sektorit publik në Kosovë e jo në shtimin e konfuzionit. Fatkeqësisht qeveria që e ka draftuar këtë projektligj ka dëshmuar në vazhdimësi për mungesë vullneti dhe kompetence në avancimin e çfaredo iniciative ligjore. Ky projektligj gjithsesi se mund të ridizajnohet dhe kompeltohet por jo me këtë përbërje të qeverisë.
  

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)