29 Mars 2024

Vetëvendosje kërkon dorëheqjen e Lumezit dhe Haradinajt

Prishtinë, 22 gusht - Sot, Lëvizja Vetëvendosje! përmes deputetes Albulena Haxhiu dhe drejtuesit të Grupit Parlamentar Glauk Konjufca, mbajti konferencë për media për të folur për kapjen dhe kolapsin në sistemin e drejtësisë.

Duke përmendur rastin e arratisjes së prokurorit special Elez Blakaj dhe letrën e tij pas largimit, Lëvizja ripërsëriti bindjen e vjetër, por të rifreskuar nga rasti i ri, se sistemi i drejtësisë është i kapur në të gjitha segmentet e tij.

Deputetja Haxhiu shpërfaqi absurditetin e kërkesës së kryeprokurorit Lumnezi ndaj Blakajt për të mos e thirrur për dëshmi kryeparlamentarin Veseli, meqë ky i fundit, sipas tij, ka imunitet.

“Z. Blakaj ishte kërcënuar direkt nga kryeprokurori i shtetit AleksanderLumezi, nga ai që do të duhej të ofronte mbështetje të parezervë për secilin prokuror e sidomos për rastet sikur ai me veteranët mashtrues. Për këtë paguhet z. Lumezi nga taksapaguesit e vendit, por duket që për t’i shërbyer i shërben tjetërkujt dhe jo qytetarëve dhe interesit publik”, tha Haxhiu.

Më tej, deputetja Haxhiu bëri thirrje për mbështetjen e protestës së organizuar nga shoqëria civile ditën e sotme. Po ashtu ajo i bëri thirrje edhe organizatorëve të protestës që kërkesën për dorëheqjen e kryeprokurorit Lumnezi ta zgjerojnë duke e përfshirë edhe kërkesën për dorëheqjen e kryeministrit Haradinaj.

Në vazhdim drejtuesi i Grupit Parlamentar, Glauk Konjufca shpërfaqi natyrën kërcënuese të fjalorit të kryeministrit si përgjigje në media ndaj aktakuzës së përpiluar nga Blakaj dhe kompromentimin e kryeprokurorit përmes takimeve të tij private me të dyshuarit. Duke theksuar se bëhet fjalë jo vetëm për këtë çeshtje, por edhe për çeshtje të tjera të mëdha si afera “Pronto”.

“Fjalori i përdorur i kryeminstrit ndaj prokurorit Blakaj tregon se vetë ai është I përfshirë në çdo gjë që ka ndodhë me listat e veteranëve. Të gjitha faktet çojnë në përfundimin se për falsifikimin dhe fryrjen massive të listave të veteranëve ka asë një marrëveshje liderësh dhe pushtetarësh”, tha Konjufca.

Ai po ashtu shtoi se më nuk ka sens të bëhet thirrje ndaj organeve të sistemit të drejtësisë për hetime të çeshtjeve të ndjeshme për shoqërinë pasi kemi parë kaq qartë me këtë rast kapjen e këtyre organeve nga vetë personat e dyshuar për krime të mëdha kombëtare.

Lëvizja Vetëvendosje! kërkon që sa më parë këta kapës dhe kërcënues të drejtësisë të hiqen nga pushteti. Sistemi i drejtësisë në Kosovë mund të çlirohet vetëm përmes vullnetit politik dhe organizimit shoqëror.

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)