16 Shtator 2019

Veseli liron nga detyra të gjithë zyrtarët me aktakuza

Prishtinë, 19 qershor - Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli, ka larguar sot nga të gjitha pozitat partiake dhe institucionale të gjithë zyrtarët e PDK-së që kanë aktakuza të konfirmuara nga institucionet e drejtësisë. 

Në një konferencë me gazetarë, lideri i PDK-së bëri të ditur se sot i ka liruar nga detyra të gjithë të emëruarit e PDK-së që kanë aktakuza dhe që mbajnë pozita në institucionet publike.

“Në mandatin e ri si Kryetar i Partisë Demokratike të Kosovës, kam përcaktuar prioritetet tona themelore - si parti moderne me profil demokratik e perëndimor. Në fillim të kësaj jave, unë jam zotuar se do të angazhohem fuqishëm në luftën kundër korrupsionit, nepotizmit dhe dukurive të neveritshme të abuzimit. Këtë po e presin qytetarët nga ne, sepse ata janë të ngopur me fjalë dhe duan të shohin veprime konkrete. Nuk ka opsion tjetër përveç se të veprojmë."

"Dhe, ne po vendosim një standard të ri të etikës. Së pari po fillojmë me veten, e pastaj këtë standard do ta shtrijmë në çdo segment. Sot, jam para jush, për të dëshmuar se jemi të vendosur në këtë betejë. Duke treguar përkushtimin tim dhe vizionin si Kryetar i Partisë Demokratike të Kosovës, kam vendosur që: Të emëruarit politikë nga radhët e PDK-së në institucionet publike të Kosovës, të cilët kanë aktakuza që ndërlidhen me dyshime për keqpërdorim të pozitës zyrtare, korrupsion, ose nepotizëm, t’i lirojnë funksionet menjëherë”, ka thënë Veseli.

Ky është një vendim dhe premtim i mbajtur i liderit të PDK-së, Kadri Veseli, të cilin e ka paralajmëruar dy ditë më parë në Konventën festive të Partisë Demokratike të Kosovës, ku i siguroi të gjithë qytetarët se nuk do të lejoj që asnjë person me aktakuza për korrupsion të mbajnë pozita në Partinë Demokratike të Kosovës dhe në institucionet që udhëhiqen prej saj. 

Kreu i PDK-së po ashtu ka konfirmuar se partia që drejton nuk do të kandidojë e as nuk do të mbështesë kandidatët e asnjë subjekti politik që kanë aktakuza të konfirmuatra.

“PDK nuk do të kandidojë persona të cilët kanë aktakuza që ndërlidhen me dyshime për keqpërdorim të pozitës zyrtare, korrupsion, ose nepotizëm, në asnjë pozitë publike. Dhe, as nuk do t’i mbështesë kandidatët e tillë që mund të propozohen nga partitë tjera ose qytetarët”, tha ai.

Veseli po ashtu ka liruar nga detyra edhe të gjithë të zgjedhurit brenda strukturave drejtuese të PDK-së që kanë aktakuza të konfirmuara dhe ky pezullim i funksioneve të tyre siç tha ai, vlenë deri në aktgjykime.

“Ky vendim nuk e paragjykon fajësinë e tyre dhe me përfundimin e gjykimeve, kur ato janë liruese, të gjithë këta persona do të kenë vendin e merituar në PDK dhe në institucione. Prandaj, unë kam biseduar me zyrtarët tanë partiakë që kanë aktakuza dhe i kam njoftuar ata për lirimin nga detyrat zyrtare që kanë mbajtur”, ka thënë Veseli.

Kreu i PDK-së tha në konferencën me gazetarë se nepotizmi dhe korrupsioni janë rritur në vendin tonë të vogël dhe kjo duhet të ndryshojë me një luftë të pakompromis ndaj korrupsionit dhe nepotizimit.

“E vetmja mënyrë për të siguruar mundësi të barabarta dhe shpresë për një të ardhme më të mirë për gjeneratën e ardhshme të të rinjve është ta bëjmë një luftë pa kompromis kundër korrupsionit dhe nepotizmit. Dhe, do ta përmbushim vizionin tonë për Kosovën me mundësi të barabarta për të gjithë, ekonomikisht të fortë dhe pa korrupsion”, tha Veseli.

Kalendari

Ngjarjet e datës 16 shtator 2019 - Fillon edicioni i dytë i konferencës më të madhe për zhvillimin e qëndrueshëm në rajon më temë 'Mbrojtja e mjedisit: kërkim për qeverisje të mirë dhe thirrje për bashkëpunim rajonal'. (Hotel Emerald, ora 9:30)

- Kryetari i Komunës së Prizrenit, Mytaher Haskuka, do të marr pjesë në përurimin ei analizave të reja laboratorike në QMF-në në Reçane, ku i pranishëm do të jetë edhe drejtori i Drejtorisë së Shëndetësisë, Visar Shehu.(Reçane, ora 9:30)

- Nën moton “Pjesëmarrja“, për të 11-in vit me radhë, Kuvendi i Republikës së Kosovës shënon Ditën Ndërkombëtare të Demokracisë ku qytetarë, studentë dhe nxënës do të vizitojnë ndërtesën e legjislativit të vendit dhe do të njihen me punën e përfaqësuesve të tyre të zgjedhur. (Ndërtesa e Kuvendit, ora 9:30)

- Komuna e Prizrenit bën hapja e Javës 'Shtigjeve të Lirisë' ku do të ketë fjalë rasti edhe nga kryetari i Komunës, Mytaher Haskuka. (Prizren, ora 10:30)

- Në kuadër të Ditës Ndërkombëtare të Demokracisë bëhet hapja e panairit të organizatave të shoqërisë civile. (Oborri i Kuvendit, ora 10:50)

- Partia Demokratike dega në Prizren, do të mbajë një koferencë për media. (Zyrët e PDK-së në Prizren, ora 11:00)

- Në kuadër të Ditës Ndërkombëtare të Demokracisë mbahet kuizi i demokracisë. (Holli i Kuvendit, ora 11:30)

- Lëvizja FOL organizon diskutimin e parë në kuadër të Forumit FOL Hapur me kandidatët për Kryeministër/e të Kosovës. E ftuara e parë do të jetë znj. Vjosa Osmani, Kandidate për Kryeministre nga Lidhja Demokratike e Kosovës. (Zyrat e Lëvizjes FOL, ora 12:00)

- Kryetari i Komunës së Prizrenit, Mytaher Haskuka, do të marr pjesë në aktivitetin në Nashec tek lapidari i komandantit Remzi Ademaj. (Nashec, ora 12:00)

- Ministri i Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Fatmir Matoshi, do të pres në takim Ministrin e Ministrisë së Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor nga Republika e Maqedonisë së Veriut, Naser Nuredini, me të cilin do të bisedojnë rreth bashkëpunimit mes dy shteteve në fushat përkatëse. (Kabineti i Ministrit Matoshi, ora 12:30)

- Në kuadër të Ditës Ndërkombëtare të Demokracisë mbahet debat publik “Transparenca dhe pjesëmarrja qytetare në Kuvend”.  (Ndërtesa e Kuvendit, salla 405, ora 13:30)

- Mbahet ceremonia e varrimit të veprimtarit të shquar romë, Nexhip Menekshe. (Varrezat e Prizrenit, ora 16:00)

- Mbahet ceremonia solemne e hapjes zyrtare të zyrës së re qëndore të Bankës Raiffeisen. (Zyra e re ndodhet në rrugën Robert Doll, ora 17:30)