11 Korrik 2020

Veriu i Kosovës sfidon Kushtetutën

Prishtinë, 16 qershor - Në dyvjetorin e hyrjes në fuqi të Kushtetutës së Kosovës, hartuesit e saj u bëjnë thirrje autoriteteve përgjegjëse që ta zbatojnë atë edhe në veri, ndërsa ICO-ja kërkon zbatimin në terren të dispozitave që kanë të bëjnë me të drejtat e komuniteteve.
Janë bërë dy vjet nga koha kur Kosova është pajisur me dokumentin bazë të shtetësisë - Kushtetutën.

Por, zbatimi në terren i dokumentit që buron nga plani për pavarësi të mbikëqyrur i Marti Ahtisarit vazhdon të hasë në pengesa rreth implementimit, sidomos në pjesën veriore të Kosovës, për faktin e mosnjohjes së saj nga banorët serbë të asaj zone.

Nënkryetarja e Komisionit për Hartimin e Kushtetutës, Nekibe Kelmendi, thekson nevojën për më shumë punë në drejtim të shtrirjes së ndikimit të Kushtetutës edhe në veri.

“Sfidat që do të ishin nga ajo Kushtetutë, do të ishin që të respektohet nga të gjithë, të shtrihet respektimi i saj në të gjitha viset e Kosovës, në të gjitha anët e Kosovës, duke përfshirë edhe veriun e Kosovës. T’i përmbahemi të gjithë Kushtetutës dhe ligjet të jenë në harmoni me Kushtetutën dhe të tjera”, thotë Kelmendi.

Zyra Civile Ndërkombëtare, në bashkëpunim me Qeverinë e Kosovës, kanë hartuar tashmë strategjinë për shtrirjen e autoritetit shtetëror edhe në veri.

Në mbledhjen e së hënës, Grupi Drejtues Ndërkombëtar për Kosovën mbështeti integritetin territorial të vendit, duke kërkuar, në të njëjtën kohë, një qasje më të madhe të autoriteteve vendore e ndërkombëtare në veri.

Zëdhënësi i ICO-së, Endi Mekgafi, thotë se duhet të punohet me kujdes për t’i bindur banorët e pjesës veriore që ta pranojnë Kushtetutën e Kosovës.

“Duhet të ketë kujdes që kjo të mos vendoset në një kontekst tërësisht negativ. Natyrisht se ka shumë punë për t’u bërë, natyrisht se nuk do të jetë e lehtë, por qëllimi i zbatimit të Kushtetutës për të gjithë në Kosovë është një jetë më e mirë, dhe një jetë që zhvillohet drejt anëtarësimit eventual në strukturat euro-atlantike”, shprehet Mekgafi.

Ai thotë se përgjatë dy vjetëve, institucionet kosovare kanë shënuar progres në konsolidimin e institucioneve shtetërore, në decentralizim dhe në fusha të tjera.

Sfidë për të ardhmen, sipas tij, mbetet zbatimi i dispozitave kushtetuese që kanë të bëjnë me të drejtat e komuniteteve.

\"Tani, natyrisht se ka një gamë të gjerë të gjërave të Kushtetutës që duhet të bëhen. Ky është një projekt i vazhdueshëm për Kosovën. Ne në ICO do t’i theksonim dispozitat për të drejtat e komuniteteve, një pjesë e madhe e të cilave ekziston në legjislacion, por të cilat duhet të zbatohen në terren”, thotë Mekgafi.

Kushtetuta e Kosovës ishte miratuar në Kuvend, më 9 prill të 2008-ës, me 41 ligjet bazike shtetërore që burojnë nga Pakoja e Ahtisarit, e të cilat janë harmonizuar me Zyrën Civile Ndërkombëtare në Prishtinë, e cila mbetet përgjegjëse për mbikëqyrjen e pavarësisë së Kosovës dhe zbatimin e Planit Ahtisari.

Autoritetet kosovare deklaruan, ditë më parë, se pavarësisë së mbikëqyrur po i vjen fundi, mirëpo në ICO kjo gjë vlerësohet ndryshe. Mekgafi thotë se Zyra Civile Ndërkombëtare, e cila në fillim të këtij viti reduktoi stafin e vet për diku 10 për qind, do të ndryshojë varësisht nga puna që bëjnë institucionet kosovare lidhur me zbatimin e Planit Ahtisari.

“Mund t’ju siguroj se do të vazhdojmë të shikojmë implementimin e planit gjithëpërfshirës për statusin e Kosovës dhe me përmbushjen e fushave nga ai, ne do të vazhdojmë të reduktojmë praninë e ICO-së. Në fund të fundit, do t’u takojë vendeve anëtare të Grupit Drejtues Ndërkombëtar të japin një mendim mbi këtë gjë”, thotë ai. /rel/

Kalendari

Ngjarjet e datës 11 Korrik 2020

- Në Ditën Botërore të Popullsisë, organizata SIT, organizon aktivitetin ku do të prezantojë statistikat e rasteve të raportimit të dhunës në Kosovë gjatë pandemisë COVID-19. (Sheshi "Zahir Pajaziti" në Prishtinë, ora 9:00)

 - Aktivistë të shoqërisë civile organizojnë aksionin simbolik për të kërkuar drejtësi për Kujtimin pasi qe po bëhen 1 vit prej kur 11 vjeçari nga Fushë Kosova, u përdhunua e u vra.  (Përpara Këshillit Prokurorial të Kosovës në Prishtinë, ora 11:00)

- SENSE Qendra për Drejtësi Tranzicionale në bashkëpunim me Fondin për të Drejtën Humanitare Kosovë organizojnë transmetimin live të ceremonisë komemorative në Srebrenicë. (Qendra Kulturore Informative Boshnjake - Rr. Agim Ramadani, nr. 375 - Aktash, ora 12:00)

- Me rastin e 25 vjetorit të gjenocidit në Srebrenicë mbahet ligjëratë "25 vjet pas gjenocidit në Srebrenicë" me ligjërues Akademik Ferid Muhić Moderator dhe bashkëbisedues Bekim Blakaj - Drejtor Ekzekutiv i Fondit për të Drejtën Humanitare në Kosovë. (Livestream në Facebook - Humanitarian Law Center, ora 15:00)

- SENSE Qendra për Drejtësi Tranzicionale në bashkëpunim me Fondin për të Drejtën Humanitare Kosovë organizojnë shfaqjen e ekspozitës multimediale “Gjenocidi në tetë akte”. (Sheshi Skënderbeu, ora 17:30)

- - Me rastin e 25 vjetorit të gjenocidit në Srebrenicë bahet aksion simbolik: Ndezje e qirinjëve para Teatrit Kombëtar të Kosovës. (Para Teatrit Kombëtar të Kosovës, ora 20:00)