02 Prill 2020

Vendimmarrja e Kryetarit të Prizrenit është jotransparente në vitin 2020

Prizren, 26 shkurt - Vendimmarrja e Kryetarit të Komunës së Prizrenit gjatë dy muajve të parë të vitit 2020 është jotransparente për publikun.

EC Ma Ndryshe përkujton se dy vite më parë, pas kërkesës së aktivistëve të shoqërisë civile për hapjen e mbledhjeve të qeverisë komunale të Prizrenit, kryetari ishte zotuar se të gjitha vendimet do të publikohen në ueb faqen zyrtare të Komunës.

EC Ma Ndryshe ka përcjellë publikimin e këtyre vendimeve prej fillimit të këtij viti. Në ueb faqen e Komunës së Prizrenit deri në fillimin e javës së fundit të muajit shkurt janë publikuar numër simbolik i vendimeve të kryetarit, përkatësisht 8 vendime.

Ndërsa me datë 25.02.2020 në ueb faqen e Komunës figuronte vetëm një vendim i kryetarit, i publikuar me datë 06.02.2020, gjë që mund të jetë shkaktuar si pasojë e defekteve teknike në funksionimin e ueb faqes zyrtare.

Gjatë kësaj periudhe ka pasur edhe zhvillime politike lidhur me përbërjen e qeverisë komunale, që kanë krijuar dilema, të cilat duhet të qartësohen sa më parë për publikun dhe vendimmarrja të bëhet publike për qytetarët.

Ndërkohë takimet e Ekzekutivit lokal kanë mbetur të mbyllura për gazetarët e monitoruesit e shoqërisë civile, derisa sipas raportimeve në media ato nuk janë mbajtur me muaj të tërë.

Sipas gjetjeve të raportit të monitorimit “Progresi në zotimet për qeverisje të mirë 2 vite pas” të organizatës Demokracia Plus (D+) në periudhën janar-tetor 2019, Komuna e Prizrenit ka publikuar 311 vendime të kryetarit, por me mesataren prej 44 ditëve, është komuna e cila më së shumti vonon publikimin e vendimeve të Kryetarit nga data e marrjes së tyre, krahasuar me Komunat e Prishtinës, Ferizajit, Pejës, Gjakovës, Gjilanit dhe Mitrovicës.

Për këto arsye, EC Ma Ndryshe rekomandon Komunën e Prizrenit që menjëherë të ndërmerr masa për përmirësimin e transparencës lidhur me vendimet e Kryetarit të Komunës, meqenëse edhe legjislacioni në fuqi parasheh që të gjitha vendimet e Kryetarit të Komunës që ndikojnë   drejtpërdrejt në interesat e qytetarëve të publikohen në ueb faqen zyrtare të Komunës.

Njëkohësisht EC vlerëson se informata lidhur me vendimmarrjen e Kryetarit të Komunës, duhet të  jepet me kohë, të jetë relevante, e saktë dhe e plotë, që të mund të përdoret në mënyrë  efektive.

EC gjithashtu i bën thirrje Kryetarit të Komunës që të rishqyrtojë vendimin e tij rreth takimeve që i zhvillon me drejtorët e tij, ashtu që të lejojë pjesëmarrjen e gazetarëve dhe monitoruesve të shoqërisë civile në këto takime.

Kalendari

Ngjarjet e datës 2 Prill 2020

- Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, pret në takim kryetarin e AAK-së, Ramush Haradinaj, për t’u konsultuar lidhur me formimin e Qeverisë së re, ose shkuarjen në zgjedhje. (Zyra e Presidentit, ora 10:00) 

- Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, pret në takim kryetarin e Listës Serbe, Goran Rakiq. (Zyra e Presidentit, ora 10:30) 

- Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, pret në takim kryetarin e Nismës, Fatmir Limaj. (Zyra e Presidentit, ora 11:00) 

- Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, pret në takim përfaqësuesit e Grupit Parlamentar 6 Plus. (Zyra e Presidentit, ora 11:30)