24 Tetor 2021

Vendimi i Qeverisë të pasohet me aplikimin e dokumentit për hyrje/dalje për shtetasit e Serbisë

Prishtinë, 20 shtator - Instituti Demokratik i Kosovës (KDI) është duke ndjekur me vëmendje zhvillimet që ndërlidhen me vendimin e Ministrisë së Punëve të Brendshme lidhur me targat e përkohshme për veturat e Serbisë të cilat qarkullojnë në territorin e Republikës së Kosovës.

Ky vendim është në frymën e zbatimit të Marrëveshjes për Lëvizjen e Lirë, e nënshkruar në Bruksel në vitin 2011, si dhe dakordimeve tjera mes dy shteteve në vitet pasuese lidhur me këtë çështje.

Marrëveshjet në fjalë ia njohin palës kosovare zbatimin e regjimit të tabelave të përkohshme të automjeteve me targa serbe, që si praktikë është zbatuar nga Serbia prej vitit 2011 ndaj automjeteve me targa kosovare që udhëtojnë në territorin e Serbisë.

KDI kërkon nga Qeveria që përveç vendimit për aplikimin e targave të përkohshme, të fillohet me zbatimin e provizioneve tjera të marrëveshjeve për lëvizjen e lirë, të cilat parashohin lëshimin e dokumenteve për hyrje/dalje për shtetasit e Serbisë që udhëtojnë në Kosovë, ashtu siç veprohet nga ana e autoriteteve serbe në raport me shtetasit e Kosovës, të cilat udhëtojnë në ose nëpër Serbi.

KDI konsideron se rruga drejt normalizimit të marrëdhënieve dhe marrëveshjes finale për njohje reciproke me Serbinë arrihet vetëm nëse dy vendet tregojnë përkushtim në zbatimin e marrëveshjeve të arritura në Bruksel, e që në esencë synojnë lehtësimin dhe përmirësimin e jetës së qytetarëve në Kosovë e Serbi.

Kalendari

Ngjarjet e datës 25 Tetor 2021

- Komisioni i Pavarur i Mediave në bashkëpunim me Departamentin e Gazetarisë të UP-së, me rastin fillimit të javës globale për edukimin mbi median dhe informacionin, organizojnë tryezë diskutimi me temën: “Edukimi Medial - Përmbajtjet e papërshtatshme për fëmijë”. (Hotel Sirius, ora 10:00)

- Nën patronatin e Kryeprokurorit të Shtetit, Aleksandër Lumezi do të mbahet “Java për të Drejtat e Viktimave të Krimit”, me moton “Së bashku në mbrojtje të viktimave të krimit”. (Hotelin Emerald, ora 10:00)

- GLPS mban tryezë diskutimit me temë “Meritokracia në shërbimin e jashtëm të Kosovës: një sërë rekomandimesh që duhet marrë parasysh”. (Hotel Swiss Diamond, ora 10:30)

- Punëtorët e Lotarisë së  Kosovës mbajnë protestë në të cilën do të kërkohet miratimi i ligjit për Lotarinë e Kosovës. (Para ndërtesës së Qeverisë, ora 11:00)

- Mbahet konferencë për media lidhur me Festivalin e 12 -të i Filmit të Shkurtër Ballkani Përtej Kufijve. (Kino Armata, ora 12:45)

- Oda e Hotelerisë dhe Turizmit të Kosovës  do të mbajnë tubim për të diskutuar masat e reja. (Golden Imperial, ora 19:00)