23 Prill 2024

Vendimet e skandalet e qeverisë po thellojnë varfërinë

Prishtinë, 23 tetor - Lëvizja Vetëvendosje! mbajti konferencë për media për të folur në lidhje me skandalet e vazhdueshme që kanë shoqëruar qeverinë Haradinaj për këto 14 muaj.

Nënkryetari i Lëvizjes Vetëvendosje! dhe drejtuesi i Komitetit për politika financiare prof. Besnik Bislimi rreshtoi vendimet qeveritare që kanë rrënuar ekonominë e vendit, kanë shkelur legjislacionin vendor dhe atë të lidhur me MSA-në, si dhe kanë rrezikuar stabilitetin buxhetor.

“Qeveria e Kosovës ka marrë disa vendime për sektorët strategjik të ekonomisë së vendit si përshembull në energji, transport ajror apo infrastrukturë rrugore. Dhe cili del të jetë rezultati i këtyre vendimeve?"

"Përmes një kontrate të vetme me ContourGlobal qeveria ka arritur të prodhojë disa skandale njëherazi: shkatërrimi i konkurrencës përmes garantimit të çmimit të subvencionuar në mënyrë selektive vetëm për një prodhues, shkeljen e MSA-së duke ofruar ndihmë shtetërore, dëmtim i publikes duke e vendosur KEK-un në situatë të rrezikimit nga falimentimi, si dhe garantimin e shitjes së gjithë prodhimit me çmim dukshëm më të lartë se ai aktual, duke rritur faturën e qytetarit në rreth 250 milionë euro për 20 vitet e ardhshme”, tha Besnik Bislimi.

Skandaloz është edhe vendimi i Ministrisë së Infrastrukturës për të paguar rreth 53 milionë euro kompanisë Bechtel Enka, pa asnjë arsye dhe në kundërshtim me secilin vendim apo opinion të palëve të përfshira.

Skandaloze është edhe vendimi i qeverisë për të mbuluar shpenzimet e një investimi plotësisht privat si zgjatja e pistës së aeroportit të Prishtinës për 500 metra.

Kjo vlen si për vetë vendimin për financim prej 30 milionë euro si dhe mënyrën se si planifikohet financimi dhe ekzekutimi i plotë projektit duke hequr kështu taksën koncesionare për 5 vite çka e rrit koston e përgjithshmë në mbi 80 milionë euro.

Qeveria e Haradinajt në vetëm 400 ditë të aktivitetit të saj ka qenë shumë aktive edhe në degradimin e performancës në pothuaj secilën ndërmarrje publike, qoftë përmes ndarjes së kontrollit mes partnerëve të koalicionit në stilin ti KEK-un e unë Telekomin, përmes punësimeve të vazhdueshme të militantëve partiakë jokompetentë, kapjes apo rikapjes së bordeve menaxheriale e mbikqyrëse.

Vendimi arbitrar për rritje selektive të pagave për kabinetin qeveritarë dhe transformimi i skemave sociale dhe pensionale duke i kthyer ato në mjete për të blerë vota janë goditjet përfundimtare që po i bëhen buxhetit të vendit.

Ndërkaq anëtari tjetër i Komitetit Edison Jakurti foli për mundësitë se si do të mund të përdorej po ky buxhet drejt përmirësimit të mirëqenies së qytetarëve.

“Në vend se t’i jepen 53 milionë euro Bechtel&Enka-s, qeveria do të mund të ndërtonte: 10 çerdhe, 10 shkolla fillore, 10 shkolla të mësme dhe 5 qendra të mjekësisë familjare. Apo, në një skenar tjetër, do të mund të ndërtoheshin 20 kuzhina popullore, 20 shtëpi të mbrojtjes për rastet e dhunës në familje, 10 parqe e 10 qendra sociale. Por, kjo qeveri, për të cilën 71.3% e qytetarëve kanë vlerësim negativ, sipas raportit të fundit të IFIMES-it, nuk bën diçka të tillë. Ajo çfarë bën është vazhdimi i avazit e qasjes së vjetër neoliberale”, tha Edison Jakurti.

Qasja kompradore e kësaj qeverie me kompanitë e huaja nuk është i vetmi problem mes qeverisë dhe biznesit. Dikur Telekomi i Kosovës, si ndër ndërmarrjet publike më fitimprurëse në vend, ia kishte dhënë rreth 80 milionë euro qeverisë së Republikës së Kosovës në formë të dividentës, kurse sot Telekomi ka një kancer si Z-Mobile brenda që po ia pengon funksionimin normal dhe fitimprurës.

Qeveria e Kosovës u jep pagë 82 zëvendësministrave, 5 zëvendëskryeministrave dhe gjithë stafit të tij, ndërkaq në Republikën e Kosovës shkalla e punësimit është vetëm 30%, ku 142,550 persona janë të papunë e paga minimale është vetëm 130 euro. Rreth 70% e konsumit në Kosovë përbëhet nga ushqimi dhe banimi dhe me këtë pagë të ulët nuk mund të sigurohen as kushtet minimale për jetë.

Kostoja e vazhdimit të kësaj qeverie është tejet e lartë dhe kostoja oportune është shumë e çmueshme për t’u humbur. Prandaj, largimi i kësaj qeverie është minimumi i nevojshëm për ta kthyer Republikën në binarët që çojnë drejt zhvillimit ekonomik dhe përmirësimit të mirëqenies sociale për të gjithë qytetarët.
 

 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)