28 Mars 2024

Turqia pret me nderimet më të larta shtetërore Presidentin Sejdiu

Ankara, 2 shkurt - Institucionet më të larta të Republikës së Turqisë i kanë bërë sot një pritje madhështore Presidentit të Republikës së Kosovës, Fatmir Sejdiu, i cili po qëndron për një vizitë dyditore në këtë vend mik, me ftesë të Presidentit Abdullah Gyl.

Presidenti Sejdiu e ka filluar ditën e sotme duke vizituar Muzeun Anitkabir, ku ka vënë kurora lulesh dhe ka nderuar kujtimin e krijuesit të Republikës modern të Turqisë, Presidentit Kemal Ataturk, si dhe dëshmorëve të rënë për lirinë e këtij vendi. Pastaj, Presidenti Sejdiu është pritur personalisht nga Presidenti Abdullah Gyl.

Me të dëgjuar himnet e dy shteteve, të cilat u intonuan të shoqëruara me të shtëna solemne topash, Presidenti Sejdiu ka nderuar Gardën Kombëtare të Turqisë dhe është përshëndetur me delegacionin që shoqëroi në takim Presidenit Gyl. Të dy presidentët patën një takim kokë më kokë, për të ardhur së bashku në takimin me delegacionet e të dyja vendeve, në të cilin ata sërish rikonfirmuan zotimin e Republikës së Turqisë dhe të Republikës së Kosovës për thellimin e mëtejmë të marrëdhënieve të gjithanshme dhe vëllazërore në mes vendeve tona.

Presidenti Gyl tha se Turqia i gëzohet çdo ditë progresit të arritur në Kosovë, që është një argument se ky vend është faktor i paqes dhe i stabilitetit në rajon.

“Popujt e dy vendeve tona janë në solidaritet të plotë me njëri-tjetrin. Ne e mbështesim Kosovën në të gjitha forumet ndërkombëtare në të cilat marrim pjesë dhe do të vazhdojmë ta bëjmë këtë përherë, duke lobuar kudo për njohjen e pavarësisë së Republikës së Kosovës nga sa më shumë vende”, tha Presidenti Gyl, i cili vlerësoi se njohja e Kosovës nga 65 vende të botës, si dhe anëtarësimi i saj në institucione të ndryshme ndërkombëtare, siç janë Banka Botërore dhe Fondi Monetar Ndërkombëtar, është dëshmi se në Kosovë janë arritur suksese.

Duke shfaqur bindjen se procesi i njohjes së Kosovës do të ketë nxitje pas dhënies së mendimit të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë, Presidenti Gyl vlerësoi se integrimi sa më i shpejtë i Kosovës në institucionet euroatlantike, në Bashkimin Evropian dhe në NATO do të siguronte paqe dhe stabilitet të përhershëm në gjithë rajonin.

“Republika e Turqisë ka qenë udhërrëfyese për të gjitha vendet e botës islamike, duke e njohur ndër të parat pavarësinë e Kosovës, ndaj ne do të vazhdojmë të kërkojmë nga vendet e kësaj konference që edhe ato, sa më parë, të ndjekin rrugën tonë”, pohoi Presidenti Abdullah Gyl.

Duke e falënderuar Presidentin Gyl për ftesën, Presidenti Sejdiu theksoi se në Turqi kishte ardhur për të shprehur mirënjohjen dhe falënderimin e madh të popullit dhe të institucioneve të Republikës së Kosovës për mbështetjen e jashtëzakonshme që ka dhënë dhe po jep Republika e Turqisë për vendin tonë.

“Ju jeni pjesë e historisë së Kosovës në rrugën tonë drejt lirisë dhe pavarësisë”, tha Presidenti Sejdiu, duke shtuar se mbështetja e Turqisë për Kosovën ka qenë dhe është substanciale.

“Na jeni gjetur pranë në orët më të liga të historisë sonë dhe po na ndihmoni edhe sot, si në procesin e njohjeve dhe të integrimit, ashtu edhe në atë të zhvillimit të përgjithshëm ekonomik të vendit, ndaj ne jemi thellësisht të përkushtuar që marrëdhëniet tona të intensifikohen edhe më shumë për të mirën e qytetarëve të të dyja vendeve”, vijoi Presidenti Sejdiu.

Krejtësisht në frymë të njëjtë miqësie e mirëkuptimi ka qenë edhe takimi me kryetarin e Kuvendit të Madh Kombëtar të Turqisë, z. Mehmet Ali Shahin, i cili ritheksoi vendosmërinë e këtij institucioni të lartë të shtetit turk për të mbështetur parlamentarët e Kosovës edhe në të ardhmen.

Duke vlerësuar lart nivelin e bashkëpunimit në mes dy vendeve, z. Shahin theksoi se komunitetet që jetojnë në vendet tona janë një urë e artë e bashkëpunimit dhe e miqësisë në mes popujve tanë.

Z.Shahin gjithashtu premtoi se ai dhe udhëheqësit më të lartë të Turqisë do të vazhdojnë të ndikojnë në kontaktet e vazhdueshme me vendet e Konferencës Islamike që edhe ato ta njohin sa më parë Republikën e Kosovës.

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)