28 Mars 2024

Topi: Do të dëshmojmë se Marty nuk ka të drejtë

Tiranë, 14 janar - Ushtruesi i detyrës së presidentit të Republikës së Kosovës, Jakup Krasniqi, gjatë ditës së dytë të qëndrimit për vizitë zyrtare në Tiranë, sot është pritur nga presidenti i Republikës së Shqipërisë, Bamir Topi dhe në këtë takim ata biseduan për çështje të bashkëpunimit midis dy vendeve, për situatën politike në të dy vendet, si dhe për çështjen e raportit të Dick Marty-t, i cili do të jetë objekt shqyrtimi në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës.

Presidenti i Shqipërisë, Bamir Topi, pas takimit në një konferencë për media, theksoi se shteti shqiptar inkurajon lidershipin politik të Kosovës, institucionet e Kosovës për konstituimin sa më të shpejt të institucioneve kushtetuese shtetërore për të vazhduar planin e rindërtimit të Kosovës së re, shtet i lirë sovran dhe i pavarur dhe për të ushtruar të gjitha mundësitë reale të bashkëpunimit në rajon, por edhe më gjerë, çoftë sa i përket kompozicionit të një shteti në këtë linjë, por edhe sa i përket vazhdimit të njohjeve të reja për Kosovës.

“Kemi diskutuar për nevojën e bashkëpunimit institucional, ekonomik midis dy vendeve tona, shanset janë rritur shumë dhe ekziston e gjithë mundësia, i gjithë terreni, që institucionet në të gjitha nivelet ta vazhdojnë këtë bashkëpunim, ta rrisin bashkëpunimin, sepse Shqipëria, Kosova janë kontributorë të rëndësishëm të paqes rajonale të bashkëpunim midis vendeve në rajon dhe tregues shumë i qartë i profilit perëndimor të dy vendeve tona”, theksoi Topi.

Në vazhdim Topi tha se gjatë bisedës jemi fokusuar në mënyrë të veçantë te nevoja e reagimit institucional të të dy vendeve tona në mënyrë të sinkronizuar në Këshillin e Evropës për sa i përket raportit të senatorit Dick Marty.

"Shteti shqiptar, të gjitha institucionet kanë reaguar në kohë, kanë dhënë qëndrimin e tyre zyrtar por sa i përket këtij raporti, ju jeni të njojtur tashmë dhe mund të them që kemi pasur një vlerësim lidhur me një raport të pabazuar në fakte, gjithsesi kemi treguar disponimibilitet të plotë të të gjitha institucioneve për të qenë të hapur, për të pasur një rihetim, them një rihetim, sepse është hetuar kohë më parë rreth këtyre çështjeve, nuk ka dal asgjë."

"Gjithsesi, përderisa ka një raport të një anëtari të KE-së, duke pasur një respekt maksimal për Këshillin e Evropës ku ne jemi anëtar, patjetër që do të dëshmojmë edhe njëherë që këto fakte, të ashtuquajtura fakte nuk ekzistojnë", ka theksuar Topi.

Ndërkaq, ushtruesi i detyrës së presidentit të Republikës së Kosovës, Jakup Krasniqi, theksoi bindjen institucionet e dy vendeve tona kanë nevoja të shumta për t’i koordinuar punët në shumë fusha të jetës.

“Këtë realitet të ri që është krijuar gjatë këtyre dhjetë e më tepër viteve në rajonin tonë, me shpalljen e pavarësisë së Kosovës dhe me ndërtimin e autostradës së kombit duhet shfrytëzuar për të shtuar bashkëpunimin në fushën e zhvillimit ekonomik, në fushën e arsimit, në fushën e tregtisë dhe në fushën e kulturës".

"Natyrisht, ne kemi nevojë që t’i koordinojmë jo vetëm këto bashkëpunime mes dy vendeve tona, po të bashkëpunojmë për të ngritur koordinimin mes vendeve të rajonit të Ballkanit, për të ngritur bashkëpunimin edhe në marrëdhëniet ndërkombëtare”, tha Krasniqi dhe shprehu bindjen se Kosova dhe Shqipëria bashkërisht dhe në mënyrë institucionale do t’u përgjigjen sulmeve dashakëqija ndaj të arriturave në rajonin tonë, e në mënyrë të veçantë ndaj të arriturave në Kosovë.

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)