20 Prill 2024

Thirrje për bashkëpunim ndërmjet Serbisë dhe Kosovës në luftimin e Koronavirusit

Prishtinë, 30 mars - Grupi punues i Konventës Kombëtare rreth Bashkimit Evropian për Kapitullin 35 u ka bërë thirrje organeve kompetente të Serbisë dhe Kosovës që të vendosin bashkëpunim të drejtpërdrejtë dhe efektiv në luftën kundër përhapjes së pandemisë së virusit korona.

"Jemi dëshmitarë që pandemia e virusit korona (COVID19) paraqet rrezik të madh kudo në botë dhe se sistemet shëndetësore po çrregullohen gjithnjë e më shumë me numrin e pacientëve të infektuar", thekson ky grup.

Pandemia sipas grupit ka treguar se përhapja e sëmundjes i kalon kufijtë, prejardhjen kombëtare dhe etnike ose përkatësinë fetare të të sëmurëve, dhe se ajo mund të mposhtet vetëm përmes veprimit të përbashkët, bashkëpunimit të ndërsjellë dhe solidaritetit.

Grupi konsideron se para së gjithash, bashkëpunimi është i domosdoshëm për hir të njerëzimit dhe të përgjegjësisë ndaj jetëve njerëzore në këto kohë të vështira.

Për këtë qëllim, Grupi punues për Kapitullin 35 apelon që të vendosen kanalet e komunikimit ndërmjet shtabeve të krizës për luftimin e virusit korona në Serbi dhe në Kosovë që do të mundësonin shkëmbimin e informatave në baza ditore për shkallën e pandemisë.

Gjithashtu Grupi i ka bërë thirrje organeve kompetente që të vendosin procedurat për bashkëpunim ndërmjet enteve mjekësore dhe ekipeve të mjekëve, si dhe procedurat për ndihmë të ndërsjellë në trajtimin spitalor të pacientëve të infektuar me virusin korona.

"Përveç kësaj, theksojmë se është e nevojshme që të rregullohet regjimi i lëvizjes nëpër vendkalimet e integruara administrative gjatë vazhdimit të pandemisë në mënyrë që të mundësohet lëvizja e papenguar e automjeteve sanitare dhe e ekipeve të mjekëve."

"Gjithashtu është e nevojshme të lejohet kalimi i mallrave të konsumit të gjerë, sidomos i ushqimit, barnave, materialit sanitar, mjeteve për dezinfektim dhe artikujve të tjerë të domosdoshëm që nevojiten për jetë normale", thekson Grupi punues i Konventës Kombëtare rreth Bashkimit Evropian për Kapitullin 35.

Në fund, Grupi punues për Kapitullin 35 dëshiron të theksojë se qasja e përbashkët dhe bashkëpunimi aktiv në luftimin e pandemisë së virusit korona në Serbi dhe në Kosovë në masë të konsiderueshme mund të kontribuojnë në pajtimin e të dy shoqërive, e një mundësi e tillë assesi nuk duhet të lëshohet. 
 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)