22 Gusht 2019

Thaçi i kërkon koalicionit PAN propozimin për mandatarin e ri për kryeministër

Prishtinë, 2 gusht - Presidenti, Hashim Thaçi, përmes një shkrese zyrtare dërguar bartësit të koalicionit fitues të zgjedhjeve të fundit, Kadri Veselit, i ka kërkuar edhe zyrtarisht koalicionit PAN që të propozojnë kandidatin e ri për ta mandatuar për formimin e Qeverisë së Kosovës.

Në këtë letër të presidentit Thaçi drejtuar Veselit thuhet se si koalicion fitues që kanë fituar shumicën e nevojshme në Kuvend për të formuar Qeverinë, kanë të drejtën e propozimit të kandidatit të ri për të formuar Qeverinë e Republikës së Kosovës.

Proceduralisht, pas caktimit të mandatarit për formimin e qeverisë, pas propozimit të partisë politike ose të koalicionit që përbën shumicën e Kuvendit, kandidati i ri për kryeministër jo më vonë se pesëmbëdhjetë ditë pas emërimit, paraqet përbërjen e qeverisë së re para Kuvendit të Kosovës dhe kërkon miratimin nga ana e Kuvendit.

Nëse ajo përbërje e propozuar e Qeverisë nuk merr shumicën e votave të nevojshme, presidenti brenda dhjetë ditësh emëron kandidatin tjetër sipas së njëjtës procedurë.

Nëse as herën e dytë nuk zgjidhet qeveria, atëherë presidenti i shpall zgjedhjet që duhet të mbahen jo më vonë se 40 ditë nga dita e shpalljes së tyre.

Kalendari

Ngjarjet e datës 22 gusht 2019

- Mbahet seanca plenare e Kuvendit të Republikës së Kosovës në të cilën do të behët shqyrtimi i propozimit të Grupit të deputetëve për shpërndarjen e Legjislaturës së gjashtë të Kuvendit të Republikës së Kosovës. (Kuvendi i Kosovës, ora 10:00)

- Komuna e Prishtinës organizon vendosjen e pesë njësive shtesë të pemëve për pastrimin e ajrit në sheshin "Zahir Pajaziti" ku do të jetë prezent dhe Kryetari i Komunës, Shpend Ahmeti. (Sheshi i 'Zahir Pajazitit', ora 10:00)

 - Mbahet dita e tretë e Etnofestit në të cilën do të mbahet punëtoria kreative, instalacione me atelje te pikëtorëve dhe skulptorëve, punime artizanale, etj. (Ambientet e Etnofestit në fshatin Kukaj, ora 10:30)

- Kryetari i Komunës se Istogut, Haki Rugova do të organizojë dëgjimin me qytetarë për Draft Buxhetin Komunal për vitet 2020-2022. (Salla e Kuvendit Komunal në Istog, Kati III, ora 11:00) 

- Kryetari i Komunës së Prizrenit Mytaher Haskuka do të pret në takim anëtarin e Parlamentit Britanik, John Grogan ku pas takimit do të ketë edhe një konferencë të përbashkët për media. (Shtëpia e Bardhë në Prizren, ora 13:00)

- Aleanca Franceze e Prishtinës, Kino Armata dhe Termokiss organizojnë së bashku edicionin e parë të festivalit "Kino nshehër". (Termokis, ora 20:00)