18 Prill 2024

Thaçi: Duke mbrojtur Kushtetutën, mbrojmë Republikën

Prishtinë, 25 tetor- Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, mori pjesë sot në ceremoninë solemne të vitit të 8-të Gjyqësor, të Gjykatës Kushtetuese të Republikë së Kosovës.

Me këtë rast, presidenti Thaçi tha se  Gjykata Kushtetuese, gjatë këtyre tetë viteve të punës së saj, ka treguar se është plotësisht e pavarur në kryerjen e përgjegjësive të saj, në mbrojtje të kushtetutshmërisë.

Ai tha se funksionimi dhe efikasiteti i Gjykatës Kushtetuese duhet të merret si model i funksionimit të gjyqësorit në vendin tonë edhe nga nivelet tjera të gjyqësorit.

“Sot deri sa po festojmë tetë vjetorin e themelimit të Gjykatës Kushtetuese,  dua të ceku edhe dekretimin që kam bërë dje të dyzet gjyqtarëve dhe trembëdhjetë prokurorëve nga komunitetet jo shumicë në Republikën e Kosovës”, duke shtuar se më tej se kjo ngjarje shënon konsolidimin dhe forcimin e sovranitetit tonë.

“Kjo ngjarje shënon avancimin e implementimit të të gjitha marrëveshjeve të dalura nga dialogu i Brukselit. Ky fakt dëshmon se sa i rëndësishëm dhe i domosdoshëm ka qenë, është dhe mbetet dialogu” vijoi presidenti Thaçi.

I pari i vendit ndër tjera foli për shtrirjen e ligjshmërisë në gjithë territorin e Republikës së Kosovës, duke e vlerësuar këtë javë si të veçantë, ai pohoi “Në këtë drejtim, konsideroj që kjo javë është e veçantë për Republikën e Kosovës, ngase Shteti i Kosovës po ndërtohet mbi parimet Kushtetuese, të gjithë-përfshirjes, të barazisë dhe të lirisë së secilit individ që të realizojë vetveten dhe të kërkojë lumturinë e tij/saj pa ju cenuar asnjëherë e drejta që të jetë pjesë e shoqërisë kosovare”.

Ai, po ashtu foli edhe për rolin e madh të gjyqtarëve dhe të prokurorëve që kanë në jetën e qytetarëve, në realizimin e të drejtave të tyre dhe në sigurinë e qasjes së barabartë në drejtësi, pa marrë parasysh dallimin e tyre gjinor, racor, fetar,  kombëtar, e çfarëdo dallimi tjetër. “Të dashur gjyqtarë dhe prokurorë, në supet e juaja është një përgjegjësi e madhe, përgjegjësi që unë kam besim të plotë se do të dini ta mbani dhe qytetarët e vendit tonë do të ndjejnë veten të sigurt dhe të barabartë para ligjit”, vijoi presidenti Thaçi. 

Presidenti Thaçi tha se zbatimi i Kushtetutës është qenësore për shtetin tonë, duke ditur vlerat që ka.

“Gjykata Kushtetuese si organ i pavarur duhet të vazhdoj ta luaj rolin e vet në mbrojtjen e kushtetutshmërisë dhe interpretimin përfundimtar të Kushtetutës. Ju me punën e juaj e keni obligim për ta mbrojtur rendin tonë kushtetues, dhe këtë obligim vazhdoni ta përmbushni me profesionalizëm dhe dinjitet”, veçoi presidenti Thaçi.

Ai më tej tha se shpresoj se gjatë muajve të ardhshëm sikurse në të gjitha institucionet e drejtësisë së Kosovës i gjithë autoriteti do të bartet tek vendorët, sepse sipas presidentit Thaçi, Kosova po dëshmon se ka ndërtuar kapacitetet e plota profesionale dhe kredibile te drejtësisë. 

“Për gjithçka që keni bërë, në shërbim të shtetit tonë, unë ju përgëzojë dhe ju ftojë që të vazhdoni të jeni gardian të Kushtetutës së Republikës së Kosovës, ngase duke mbrojtur Kushtetutën ju mbroni Republikën, mbroni qytetarët dhe mbroni institucionet”, theksoi presidenti Thaçi.
 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)