23 Prill 2024

Tema e korrupsionit do të jetë proces që kurrë nuk ndalet

Prishtinë, 12 prill - Kryeministri i Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj, mori pjesë në diskutimin “Fol Hapur”, organizuar nga Lëvizja FOL, në të cilin ka shpalosur objektivat qeverisëse, duke thënë se Qeveria që udhëheq ka filluar pas një procesi zgjedhor, që ka ardhur si rezultat i ndarjes politike të partnerëve të mëhershëm dhe zgjedhjeve që janë mbajtur.

Kryeministri Haradinaj, theksoi se formimi i kësaj qeverie nuk ka qenë proces i lehtë.

 “Nga marrja e përgjegjësive si qeverisje, kemi qenë të interesuar në agjendat kyçe, e këto ndahen në dy: rendi dhe ligji; dhe ekonomia, por, poashtu kujdes i kemi kushtuar edhe shëndetësisë, arsimit e me radhë”, tha kryeministri Haradinaj, duke shtuar se preokupim i vazhdueshëm ka qenë edhe pozita rajonale dhe ndërkombëtare e vendit tonë.

Me këtë rast, kryeministri Haradinaj veçoi të arritura, duke theksuar se Qeveria që ai drejton edhe sot është mjaftë e sfiduar, për shkak të proceseve qeverisëse në vend.

“E mira e gjithë kësaj, është se po përballemi me realitetin dhe nuk po i ikim atij, nuk po i zgjedhim vetëm temat e lehta dhe të mira, por të gjitha ato që i ka Kosova, duke i trajtuar me respekt”, tha kryeministri Haradinaj.

Në këtë diskutim, kryeministri ka folur edhe për çështjen e dialogut me Serbinë, Asociacionin e Komunave me shumicë serbe, formimin e ushtrisë së Kosovës, luftimin e korrupsionit, çështjen e njohjeve të Kosovës, por edhe për zhvillimet e fundit lidhur me arrestimin e zyrtarit serb, Marko Gjuriq, deportimin e shtetasve turq, si dhe tema të tjera me rëndësi.

Duke folur për dialogun, kryeministri tha se duhet të kalojmë në fazën finale, e që është njohja reciproke mes dy vendeve.

“Faza finale është vullnet politik i vendimmarrësve të mëdhenj dhe për këtë fazë edhe presidenti Trump dhe kancelarja Merkel, kryeministrja May dhe presidenti Macron, duhet të gjejnë kohë të merren me Kosovën”, ka thënë kryeministri Haradinaj.

Lidhur me Asociacionin e Komunave me shumicë serbe, kryeministri u shpreh se ky është një proces serioz që është nisur, i bazuar në obligimet që ka Kosova, dhe e gjitha që ndërtohet si statut i Asociacionit, duhet të verifikohet në Gjykatë Kushtetuese.

Në interesimin e mediave lidhur me luftën kundër korrupsionit, kryeministri Haradinaj tha se çështja e luftës kundër korrupsionit, është çështje e këtij vendi, e kësaj shoqërie dhe në çdo etapë të avancimit tonë drejt BE-së, tema e korrupsionit do të jetë çdo herë e më e nxehtë dhe do të jetë proces që kurrë nuk ndalet.

I pyetur për formimin e ushtrisë, kryeministri Haradinaj tha se formimi i ushtrisë së Kosovës, nuk është pjesë e marrëveshjes me Listën Serbe.

“Kosova e ka një opsion, që është ligji, një ndryshim në bazë të ligjit dhe duhet ta konsumojë arritjen që të gjitha palët të sigurohen që Kosova është e gatshme, që përmes ndryshimeve kushtetuese, të arrihet dalja për këtë temë”, tha kryeministri Haradinaj.

Në fund të këtij debati, kryeministri Haradinaj tha se zgjidhja e temave të rënda, të vështira, të temave që kërkojnë shumë energji, i bën fitues të gjithë.

“Nuk do të humb dikush nëse zgjidhim tema që kanë pritur me vjet. Nuk ka spektër politik që nuk fiton nesër”, tha kryeministri Haradinaj, duke siguruar të gjithë që do të punojë për një Kosovë më të mirë.

 

 

 

 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)