19 Mars 2024

Të mërkurën dhe të enjten Kuvendi mblidhet në seancë plenare

Prishtinë, 30 janar - Nën drejtimin e kryetarit Glauk Konjufca dhe me prezencën e kryetarëve të grupeve parlamentare, Kryesia e Kuvendit të Republikës së Kosovës mbajti sot mbledhjen e radhës.

Kryesia vendosi që të mërkurën, më 1 shkurt 2023, në orën 12:00, Kuvendi të mblidhet në seancë plenare, për të vazhduar me shqyrtimin dhe votimin e pikave të mbetura nga disa seanca të kaluara. Ndërkaq të enjten, më 2 shkurt, në orën 10:00, do të mbahet seancë e re plenare.

Kështu, të enjten, pas deklarimeve jashtë rendit të ditës dhe pyetjeve parlamentare, Kuvendi do të zhvillojë raundin e dytë të votimit për zgjedhjen e një anëtari të Këshillit Gjyqësor të Kosovës, për të vijuar me votimin në parim të Projektligjit për ndryshimin dhe plotësimin e ligjeve që kanë të bëjnë me racionalizimin dhe vendosjen e vijave llogaridhënëse të agjencive ekzekutive.

Po ashtu pritet të votohen edhe katër raporte: raporti vjetor i Komisionit të Pavarur të Mediave për vitin 2021, raporti vjetor i Autoritetit Rregullativ të Komunikimeve Elektronike dhe Postare për vitin 2021, raporti me rekomandime nga mbikëqyrja e zbatimit të Ligjit për mbikëqyrjen elektronike të personave të cilëve u kufizohet lëvizja me vendim të gjykatës, si dhe raporti me rekomandime nga mbikëqyrja e zbatimit të Ligjit për noterinë.

Do të votohet gjithashtu edhe për rekomandimet e dala nga shqyrtimi i Raportit të Auditimit për pasqyrat financiare vjetore të Universitetit të Prishtinës për vitin 2021.

Seanca e Kuvendit do të vijojë me shqyrtimin e Vendimit të Qeverisë së Republikës së Kosovës për masat emergjente në furnizimin e energjisë, me nr.17/121 datë 25.01.2023, si dhe shqyrtimin e rekomandimit të Komisionit për Ekonomi, Tregti dhe Industri për shkarkimin e Bordit të Komisionit të Pavarur për Miniera dhe Minerale (KPMM).

Pjesë e rendit të ditës së kësaj seance do të jetë edhe shqyrtimi i raportit të Performancës së Ndërmarrjeve Publike Qendrore për vitin 2020.

Në shqyrtim të dytë pritet të shqyrtohet Projektligji për tubime publike dhe ai për sigurinë kibernetike, ndërsa në shqyrtim të parë katër projektligje të tjera: Projektligji për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për energjinë, Projektligji për kinematografinë, Projektligji për Arsimin e Lartë në Republikën e Kosovës, si dhe Projektligji për parandalimin dhe kontrollin e sëmundjeve ngjitëse.

 Më tej, deputetët do të shqyrtojnë raportin vjetor të Zyrës së Rregullatorit për Energji për vitin 2021, raportin vjetor të Komisionit të Pavarur për Miniera dhe Minerale për vitin 2021, raportin vjetor të Autoritetit Rregullator për Shërbimet e Ujit për vitin 2021, si dhe atë për gjendjen e mjedisit në Kosovë për vitin 2021.

Seanca pritet të përfundojë më shqyrtimin e rekomandimeve lidhur me Raportin e auditimit të performancës “Vlerësimi i nxënësve në testet kombëtare dhe ndërkombëtare”, si dhe formimin e Komisionit Ad-Hoc për përzgjedhjen e kandidatëve për një anëtar të Bordit të Radiotelevizionit të Kosovës nga komuniteti serb.​


 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)