24 Tetor 2018

Solemnisht lansohet faza e re e Fushatës për Liberalizimin e vizave

Prishtinë, 10 tetor - Sot, në prani të Kryeministrit Haradinaj, Shefes së Zyrës së BE-së, Apostolova dhe Ambasadorit gjerman Heldt, Ministria e Integrimit Evropian, ka lansuar fazën e re të Fushatës për Liberalizimin e vizave, me ç’rast, ministrja Dhurata Hoxha theksoi rëndësinë e fushatës.

Fillimisht, Ministrja Hoxha ka falënderuar GIZ-in, Ambasadën gjermane dhe Zyrën e BE-së, për përkrahjen nga viti 2012 kur filloi rrugëtimi i gjatë i plotësimit të 95 kritereve për liberalizimin e vizave, krahasuar me vendet tjera të Ballkanit Perëndimor të cilat kanë pasur vetëm 41.

Komisioni Evropian ka dhënë rekomandimin pozitiv, me sukses kaloi votimi në komisionin LIBE dhe në Parlamentin Evropian, tani jemi një hap afër liberalizimit të vizave dhe sfida e fundit do të jetë votimi në Këshill, vuri në dukje Ministrja.

“Ne nuk do të ndalim punën me marrjen e rekomandimit pozitiv, reformat do të vazhdojnë me intensitet edhe më të shtuar. Sfida e radhës janë shtetet anëtare me të cilat jemi duke punuar shumë. Kemi ndërmarrë disa hapa në mënyrë që të adresojmë brengat eventuale të secilit shtet anëtar veç e veç”, potencoi Ministrja Hoxha, duke cekur fuqizimin e legjislacionit për të huajt, sigurinë e kufijve dhe migracionin konform standardeve evropiane si dhe zbatimin e marrëveshjeve të riatdhesimit.

Me mbështetjen e GIZ-it, theksoi Ministrja, po lansojmë fillimin e fazës së re të fushatës vetëdijesuese për qytetarët e Republikës së Kosovës.

“Fushata ka për qëllim kryesor qasjen te qytetarët me informatat e duhura se çka është dhe çka nuk është liberalizimi i vizave. Ku dhe sa mund të qëndrohet dhe rregullat e tjera të zonës Schengen”, theksoi Ministrja Hoxha, duke shtuar se Qeveria e Kosovës do të mbështes këtë fushatë me mjete shtesë krahas mbështetjes së GIZ-it.

“Do të sigurohemi të gjithë së bashku që mesazhet që do të përçohen të jenë të duhurat dhe mjaftueshëm informuese për qytetarin. Do të shkojmë në çdo qytet, fshat e lagje në mënyrë që qytetarët tanë të jenë pjesë aktive e kësaj fushate”, ceku Ministrja, dhe shtoi se përveç Qeverisë dhe dikastereve të saj, fushata do të zgjerohet dhe mbështetet edhe nga Kuvendi dhe institucionet tjera.

Fushata do të jetë gjithëpërfshirëse dhe të gjithë ne së bashku me qytetarët tanë, ceku Ministrja, do të arrijmë nivel të kënaqshëm të vetëdijesimit në mënyrë që të mos bëhet keqpërdorim apo të rrezikohet liberalizimi për shkak të mungesës së informacioneve.

“Do të dëgjojmë zërin e qytetarëve dhe do të japim mesazhe të qarta se liberalizimi i vizave nuk guxon dhe nuk duhet të keqpërdoret. Më lejoni që sot të shfrytëzoj rastin që të ftoj të gjithë qytetarët, institucionet, shoqërinë civile, mediat dhe misionet e shteteve anëtare në Kosovë që të gjithë së bashku, të jemi pjesë aktive e kësaj fushate, sepse vetëm me këtë bashkëveprim mund të jemi të suksesshëm”, theksoi Ministrja Hoxha duke falënderuar përkrahësit e fushatës, dhe duke uruar suksese në këtë fushatë të rëndësishme për qytetarët dhe vendin tonë!

 

 

Kalendari

Ngjarjet e datës 24 tetor 2018 - Kryeministri i Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj gjatë vizitës zyrtare në Shkodër, do të zhvillojë homazhe te shtatorja e Isa Boletinit. (Shkodër, ora 9:00)

- Universiteti i Prishtinës “Hasan Prishtina” dhe Zyra e UNICEF-it në Kosovë organizojn konferencën me titull “Ndërtimi i partneritetit për ndryshime pozitive sociale në Kosovë”. (Swiss Diamond Hotel, ora 9:15)

- Kryeministri i Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj viziton Bashkinë e Shkodrës në Shqipëri ku do te takohet me kryetaren e Bashkisë, Voltana Ademi. (Bashkinë e Shkodrës, ora 9:30)

- Mbahet mbledhja e Komisionit për Shëndetësi, Punë dhe Mirëqenie Sociale në të cilën do të behët formimi i grupit punues për monitorimin e Ligjit për Produkte dhe Pajisje Medicinale. (Ndërtesa e Kuvendit, salla N 303, ora 10:00)

- Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit organizon një ceremoni solemne në të cilën do të bëjë ndarjen e Çmimit Kombëtar për Veprimtari Jetësore “Niketë Dardani” për vitin 2017 dhe çmimeve tjera vjetore për muzikë. (Kabineti i ministrit, ora 11:00)

- Ministri i Ministrit të Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Shyqiri Bytyqi raporton para Komisionit për të Drejtat, Interesat e Komuniteteve dhe për Kthim lidhur me çështjen e regjistrimit të pjesëtarëve të komunitetit shumicë për vendet e rezervuara të studentëve të komunitetit joshumicë dhe vendeve të rezervuara në Qendrën e Studentëve. (Ndërtesa e Kuvendit, salla N204, ora 11:00)

- Ministri i Infrastrukturës Pal Lekaj merr pjesë në përurimin e rrugës  Gjakovë-Ponoshec dhe fillimin e punimeve në rrugën Smolicë-Nivokaz. (Ura e Erenikut në dalje të Gjakovës, ora 11:00)

- Mbahet mbledhja e Komisionit për Mbikëqyrjen e Financave Publike në të cilën do të behë shqyrtimi dhe miratimi i rekomandimeve nga raporti i auditimit për Pasqyrat Vjetore Financiare të Stacionit të Autobusëve Prishtinë. (Ndërtesa e Kuvendit, salla N 225, ora 11:00)

- Komisioni për Shëndetësi, Punë dhe Mirëqenie Sociale i Kuvendit të Kosovës, do ta vizitoj Kliniken e Onkologjisë në QKUK, dhe do të takohet me Ekrem Hyseni, drejtor i klinikes. (Kliniken e Onkologjisë, ora 11:30)

- Bëhet promovimi i librit monografik “Nëna ime Mihane Lama” i gjeneralit të mirënjohur, Kudusi Lama. (Instituti Albanologjik, ora 12:00)

- Ministria e Tregtisë dhe Industrisë do të bëj asgjësimin e lodrave të konfiskuara nga inspektorati i MTI-së.  (Kishnicë, Komuna e Graçanicës, ora 13:00)

- Qendra për Paqe dhe Tolerancë në përkrahje nga OSBE dhe në bashkëpunim me Komunën e Gjilanit dhe me shkollat e mesme në këtë komunë, organizon aktivitetin e pastrimit të Parkut të Qytetit në Gjilan. (Parku i Qytetit në Gjilan, ora 13:00)

- Let’s Do It Kosova në bashkëpunim me Organizatën “Paqja studentore” organizojn aksion pastrimi në hapësirat e Kampusit të Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina”. (Kampusi i Universitetit të Prishtinës, ora 13:30)

- Kryetari i komunës se Deçanit, Bashkim Ramosaj dhe sportistë të Klubit te Futbollit "Bardhosh Gërvalla" nga Gjermania vizitojnë kompleksin e varrezave të heronjve  në Dubovikë. (Dubovikë, pra 15:30)

- Organizata për Rritjen e Cilësisë në Arsim bën publikimin e analizës për menaxhimin e financave lidhur me pagesat që i bëhen stafit akademik në UP. (Hotel Sirius, ora 15:30)

- Kryetari i komunës se Deçanit, Bashkim Ramosaj dhe sportistë të Klubit te Futbollit "Bardhosh Gërvalla" nga Gjermania vizitojnë kompleksin memorial "Dëshmorët e Kombit" në Gllogjan. (Gllogjan, ora 16:00)

- Brendi vendor i veshjeve për gra dhe burra Mr.Rex në bashkëpunim me rrjetin e grave të Kosovë organizon mbremja e bamirësisë për gruan me ç’rast në event do mblidhet një donacion i cili do t’iu shkojë në ndihmë grave të prekura nga kanceri I gjirit. (Hotel Emerald, ora 18:00)