19 Prill 2024

Shtyhen zgjedhjet në Mitrovicë

Prishtinë, 28 mars - Vjeshta e këtij viti mund të mos jetë data e zgjedhjeve për komunën e re në veri të Mitrovicës, siç qe paraparë. Ministri i Pushtetit Lokal, Sadri Ferati, thotë se varësisht nga rrethanat, zgjedhjet mund të mbahen dhe në pranverë. Ndryshe nga Prishtina, Beogradi do t’i mbajë zgjedhjet për organet paralele në Mitrovicë në fund të muajit maj.

Zgjedhjet për veriun e Mitrovicës, të parapara nga Serbia të mbahen në fund të majit, ministri i Pushtetit Lokal, Sadri Ferati, i quan që tani të dështuara. Por, zgjedhjet, të cilat do të nxirrnin udhëheqësi legjitime, nuk dihet ende se kur do të mbahen.

Strategjia e Qeverisë për integrimin e veriut parasheh që komuna në veri të Mitrovicës të krijohet pas zgjedhjeve që do të mbaheshin në vjeshtë. Por, ministri Sadri Ferati, nuk shprehet i sigurt nëse ky afat do të respektohet.

“Edhe nëse detyrohemi për shkak të gjendjes në terren, për shkak të involvimit të Beogradit, për shkak të një situate të rëndë që e kemi atje, e cila dihet që është një mes ndoshta më problematiku të mos themi në Ballkan, ku njerëzit ende nuk e kanë lirinë e shprehjes dhe lirinë e organizimit, mund të vonohemi për ndonjë muaj”.

“Por, ne dëshirojmë të sigurohemi se atje do të kemi një proces kualitativ. A do të jetë në vjeshtë, apo në pranverën e vitit të ardhshëm, ne do të shikojmë”, thotë për Radion Evropa e Lirë, ministri Sadri Ferati.

Tashmë është duke punuar ekipi përgatitor për krijimin e komunës së Mitrovicës, ndërkohë që zyrtarët konfirmojnë se ndaj anëtarëve të këtij ekipi ka pasur kërcënime dhe frikësime.

Si rrjedhojë, një anëtar i këtij ekipi ka dhënë dorëheqje. Ministri Sadri Ferati shpjegon:

“Nga 14 anëtarë, një ka dhënë dorëheqje dhe e kemi shkëputur kontratën me të. Kemi hezitim edhe te një person që nuk e ka shkëputur kontratën, por nuk ka qenë i rregullt në takimet e fundit”.

“Në përgjithësi, ne e shohim një dëshirë të madhe tek ata anëtarë të ekipeve përgatitore dhe liderë tjerë që të jenë pjesë e procesit – ndihen të pasigurt dhe ata u janë nënshtruar shumë presioneve, kërcënimeve indirekte, për fat, fizikisht nuk i ka sulmuar askush, as ata, as anëtarët e familjes, por shihet një frikë e tyre”.

Zyra Civile Ndërkombëtare, përmes zëdhënësit Endi Mekgafi, i dënon këto kërcënime.

“Ne i dënojmë fuqishëm përpjekjet për frikësim dhe kërcënim të njerëzve, për shkak të aktiviteteve të tyre me komunitetin, apo aktiviteteve të tjera. Ato nuk janë të pranueshme, nuk janë pjesë e perspektivës evropiane për Kosovën. Njerëzit që i frikësojnë të tjerët, po e dëmtojnë vetveten”, thotë Megafi.

Në veriun e Mitrovicës partitë politike serbe kanë nisur fushatën për zgjedhjet lokale të shpallura nga Serbia. Autoritetet e Kosovës, por edhe Zyra Civile Ndërkombëtare, thonë se strukturat e dala nga këto zgjedhje nuk do të jenë legjitime.

“ICO-ja dhe Qeveria janë të bindura se opsioni më i mirë për të ardhmen e veriut të Mitrovicës, është nëse komuna punon në komunikim me Prishtinën, me sistem koherent të qeverisjes lokale në Kosovë”.

“Ne do të vazhdojmë të punojmë në atë propozim. Mendoj se ky është opsioni që do të jetë i qëndrueshëm në planin afatgjatë”, thekson Megafi.

Pushteti lokal, jo vetëm në Mitrovicë, por edhe në tri komunat e veriut me shumicë serbe, shkakton probleme për institucionet e Kosovës.

Zgjedhjet lokale të organizuara nga Prishtina në këto mjedise vazhdimisht janë bojkotuar. Atje vazhdojnë të qeverisin strukturat e dala nga zgjedhjet serbe.

Ministri Sadri Ferati shprehet optimist se qytetarët e veriut të Mitrovicës do t’i përgjigjen pozitivisht thirrjes për të votuar në zgjedhjet e organizuara nga institucionet e Kosovës.

“E gjithë kjo që po ndodh tani, edhe në raport me zgjedhjet e lira, me zgjedhjet që ka proklamuar Serbia se do t’i mbajë, që do të dështojnë, nuk diskutohet ngase vetë shpërbërja e një strukture legjitime, vendosja e administrimit dhe shpallja e zgjedhjeve shihet se në çfarë krize po futet Beogradi në raport me këto struktura paralele”.

“Por, edhe me veprimet tjera edhe një herë po dëshmon se ne do të vazhdojmë me procesin edhe pa një bashkëpunim dhe pa një qasje konstruktive të Beogradit, gjithmonë në interes të qytetarëve atje”.

“Numri i qytetarëve që, vërtet, janë të interesuar ta kenë një pushtet lokal, legjitim dhe legal, i cili nuk do të jetë më vetëm një improvizim, nuk do të jetë një inskenim i pushtetit, por do të jetë një pushtet i mirëfilltë që do të mund ta realizojë një kualitet të jetës së qytetarëve, një barazi qytetare”, shpjegon Ferati.

Krijimi i komunës së re në veri të Mitrovicës, por edhe shpallja e zgjedhjeve, duhet të marrin sinjal nga Përfaqësuesi Civil Ndërkombëtar.

Piter Feith do ta vlerësojë situatën në bazë të gjetjeve të ekipit përgatitor për krijimin e komunës së re në veri të Mitrovicës. Pastaj i mbetet presidentit që të shpallë datën e zgjedhjeve. 

/el/

 

 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)