24 Prill 2024

Shqipëria dhe Kroacia perceptohen si vendet më miqësor ndaj Kosovës

Prishtinë, 17 dhjetor - Qendra Kosovare për Studime të Sigurisë (QKSS) ka publikuar sot Edicionin Special të Barometrit Kosovar të Sigurisë me perceptimet mbi Politikën e jashtme dhe dialogun me Serbinë.

Ndër të gjitha vendet e renditura në pyetësor, Shqipëria perceptohet si vendi më miqësor ndaj Kosovës, partner dhe aleat kryesor strategjik në politikën e jashtme nga 86.4 përqind e respodentëve.

Kroacia është renditur si partneri i dytë rajonal strategjik për Kosovën pas Shqipërisë. Rreth 73.0 për qind e qytetarëve e kanë parë Kroacinë nga prizmi pozitiv.

Kjo vërteton edhe një herë faktin se kosovarët e perceptojnë Kroacinë si aleatin kryesor brenda BE.

Maqedonia ka shënuar rezultatin më të lartë në tre vitet e fundit, pothuajse gjysma e të anketuarve, 50 përqind e konsiderojnë atë si vend mik.

Kjo mund t'i atribuohet drejtpërdrejt funksionimit të brendshëm të vendit pas zgjedhjeve të fundit dhe marrëdhënieve me komunitetin shqiptar në Maqedoni.

Gjysma e të anketuarve, 48.1 përqind besojnë se Mali i Zi është një partner strategjik miqësor për Kosovën, ky perceptim pozitiv mund t'i atribuohet "durimit politik" të treguar në Podgoricë në lidhje me marrëveshjen e demarkacionit të kufirit me Kosovën.

Bosnja dhe Hercegovina (BeH) është parë pozitivisht nga rreth 36.0 përqind e perceptojnë atë si një vend mik. Shumica dërrmuese ndajnë perceptimin negativ ndaj BeH duke marrë parasysh përafrimin e kësaj të fundit me Serbinë duke kundërshtuar fuqishëm pavarësinë e Kosovës dhe duke mos hezituar ta bllokojnë Kosovën në nismat rajonale.

Në prag të një lufte tjetër, kjo është fjala më e zakonshme e përdorur gjerësisht nga të anketuarit kur u kërkohet të kualifikojnë marrëdhëniet mes Kosovës dhe Serbisë.

Rezultatet e KSB 2018 përsëri konfirmojnë faktin se mbi 85.0 përqind e të anketuarve e konsiderojnë Serbinë si një vend shumë armiqësor ndaj Kosovës. Përveç kësaj, Serbia konsiderohet si kërcënimi më i madh për sigurinë e jashtme për Kosovën.

Një shumicë e madhe e të anketuarve, rreth 86.0 përqind besojnë fuqishëm se Shtetet e Bashkuara të Amerikës (SHBA) janë partneri kryesor strategjik për Kosovën. Për më tepër, të anketuarit janë deklaruar haptazi në favor të përfshirjes së SHBA në procesin e dialogut me Serbinë.

Për më tepër, mbështetja amerikane në përpjekjet për të përfunduar transformimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK) në forcat e armatosura ka pasur një ndikim të madh në formësimin e qëndrimit pozitiv në mesin e të anketuarve.

Gjermania është renditur në krye të të gjitha vendeve të BE-së, me 89.6 përqind të të anketuarve që perceptojnë Gjermaninë si aleatin kryesor strategjik brenda BE. Një nga faktorët kryesorë që qëndron pas këtij perceptimi pozitiv ka rrjedhur nga qasja e "tregut të hapur të punës" që Gjermania ka promovuar në Kosovë.

Rreth 70.0 për qind besojnë se Turqia është një partner miqësor ndaj Kosovës. Është shënuar një rënie në qasjen pozitive ndaj Turqisë. Faktorët që qëndrojnë pas kësaj rënie janë shumë të lidhura me rastin e gjashtë qytetarëve turq të arrestuar në Kosovë të akuzuar për lidhjet e tyre me Gylenin dhe të ekstraduar në Turqi me kërkesën e presidentit turk.

Mbretëria e Bashkuar është parë nga prizmi pozitiv prej 80.0 përqind të të anketuarve. Kjo reflekton pritshmëri të mëdha ndaj rritjes së numrit të programeve dypalëshe duke u fokusuar në forcimin e procesit të ndërtimit të shtetësisë në Kosovë.

Franca është perceptuar kryesisht neutrale, hezitimi ndaj Francës mund t'i atribuohet rolit proaktiv të Francës në mbështetjen e idesë së shkëmbimit territorial, pasuar nga një marrëdhënie diplomatike e vakët midis Kosovës dhe Francës - veçanërisht për shkak të hezitimit të Francës në procesin e liberalizimit të vizave.

Rreth 80.4 për qind e respodentëve perceptojnë Rusinë si një vend shumë armiqësor ndaj Kosovës. Trendi negativ ndërlidhet me lidhjet e ngushta diplomatike në mes të Rusisë dhe Serbisë.

Mbështetja e vazhdueshme nga Rusia i ka dhënë Serbisë një pozicionim të mirë negociues kudrejt BE-së. Ky pozicionim është konsideruar si faktori kyç i përfitimeve politike të kufizuara deri në inekzistente për Kosovën nga ky proces.

Kur pyeten se kush përfiton më shumë nga dialogu, në mesin e të anketuarve është shumë e pranishme një tendencë për të renditur palën tjetër si fitimtare. Paranoja kolektive e krijuar nga mungesa e transparencës ka krijuar perceptimin se dialogu po sjell përfitime politike vetëm për "kundërshtarët".

Andaj, pothuajse gjysma e të anketuarve kanë deklaruar se Serbia po përfiton më shumë se Kosova në këtë proces.

Në sytë e të intervistuarve shqiptarë të Kosovës, Asociacioni i Komunave me shumicë serbe është parë si një skenar i Republika Srpska për Kosovën.

Për më tepër, ka ngritur shqetësime mbi ndikimin e ardhshëm në funksionimin e brendshëm të Kosovës duke u perceptuar si plani i Beogradit për të zgjeruar ndikimin e tyre politik në Kosovë. Kështu, pothuajse 80.0 përqind e të anketuarve besojnë se asociacioni përbën rrezik të drejtpërdrejtë për funksionimin e brendshëm të Kosovës si vend.

Duke përcjellur debatin se kush do të duhej të udhëheq dialogun me Serbinë. Duke ju përgjigjur një pyetje të hapur, rreth 15.0 për qind besojnë se dialogu duhet të udhëhiqet nga Presidenti i Kosovës Hashim Thaçi.

Pak më pak mbështetje ka marrë Albin Kurti nga partia politike Vetëvendosje, me 11.5 për qind të të anketuarve që besojnë se është shumë i aftë dhe në gjendje ta udhëheqë dialogun.

Fakti që shumica dërrmuese e të anketuarve kanë sugjeruar udhëheqës në vend të institucione shtetërore, si Qeveria me 4.24 për qind dhe Kuvendi me 5.71 për qind, është një tregues kyç i domosdoshmërisë për të pasur "burra të fortë" në proces.

Shumica dërrmuese e të anketuarve, pothuajse 81.0 përqind e qytetarëve kanë deklaruar se shkëmbimi i territoreve nuk do të ofrojë zgjidhje afatgjatë ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Ata që i janë përgjigjur po idesë për shkëmbim territorial, kanë ndjekur diskursin e Presidentit për shkëmbimin e pjesës veriore të Kosovës me pjesën jugore të Serbisë.

Ende në favor të procesit të integrimit në BE, gjysma e të anketuarve besojnë se Qeveria e Kosovës nuk po ndjek me sukses agjendën e saj të integrimit në BE. Ky zhgënjim ka qenë i pranishëm pas procesit të liberalizimit të vizave dhe zbatimit të kufizuar të MSA-së.

Mbi 82.0 përqind e të anketuarve kanë deklaruar të jenë pro anëtarësimit në NATO. Ky qëndrim është thellësisht i rrënjosur në ndërhyrjen e NATO-s në ish-Jugosllavi dhe në misionin e KFOR-it si një nga ofruesit kryesorë të sigurisë krahas FSK-së.
 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)