23 Prill 2024

Shkarkime politike dhe në funksion të blerjes së kohës

Prishtinë, 1 prill - Ndërrimet në kuadër të riformatizimit të Qeverisë janë bërë për shkaqe politike, e jo për mungesë të punës së ministrave, tha ministri në largim i Kulturës, Valton Beqiri. Përfaqësues të komunitetit të artistëve, zëvendësimin e tij e komentuan në mënyra të ndryshme.

Ndryshimet në Qeverinë e Kosovës, në kuadër të riformatizimit të saj, kanë prekur edhe Ministrinë e Kulturës, Rinisë dhe Sporteve. Drejtuesin e deridjeshëm të kësaj ministrie, Valton Beqirin, do ta zëvendësojë Lutfi Haziri, i cili, sikurse ministri paraprak, vjen nga Lidhja Demokratike e Kosovës.

Ministri në largim, Valton Beqiri, tha se zëvendësimi i tij është bërë për shkaqe politike dhe jo për mungesë të rezultateve gjatë punës së tij si ministër.

“Është me rëndësi që ky ndryshim në riformatizim nuk bëhet për shkak të performancës së ministrisë apo të punës së ministrave të ndryshëm. Bëhet vetëm për shkaqe politike. Ky është vetëm kalkulim politik, është çështje e marrëveshjes së partnerëve të koalicionit, prandaj të gjithë ne duhet ta respektojmë atë”.

“Nga ana ime nuk është kërkuar dorëheqja. Natyrisht, edhe po të ma kërkonin këtë, nuk do ta jepja, meqë dorëheqja do të nënkuptonte edhe pranim të ndonjë fajësie të punës së deritanishme. Përndryshe, çështja e vendimit të subjektit partiak për emërimin e ndonjë ministri tjetër është vendim i tyre”, tha Beqiri.

Ai nuk deshi të flasë lidhur me çështjen se a do të vazhdojë të jetë pjesë e Lidhjes Demokratike të Kosovës, por tha se emërimi i tij për ministër të Kulturës, dy vjet më parë, ka qenë rezultat i punës së tij si krijues dhe artist.

“Pozita ime në LDK nuk ka qenë e fortë. Ndoshta njëra prej arsyeve që jam një ndër ministrat që largohet, është edhe për shkak të pozicionimit tim apo të forcës sime ndikuese në LDK. Megjithatë, unë mendoj se nuk është e rëndësishme çështja e aderimit apo e vazhdimit të angazhimit në parti”.

“Mendoj se më e rëndësishme është që ajo parti, e cila të ka zgjedhur, të të japë mundësi që ta kryesh funksionin si duhet. Është me rëndësi që ti ta përmbushësh obligimin si ministër dhe në qoftë se je i suksesshëm, e unë besoj që ministria jonë ka qenë e suksesshme gjatë këtyre viteve, i bën nder jo vetëm Qeverisë, por edhe partisë”, u shpreh Beqiri.

Në anën tjetër, zëvendësimi i zotit Beqiri në postin e ministrit të Kulturës nga ana e Lutfi Hazirit, nga përfaqësuesit e komunitetit të artistëve u komentua në mënyra të ndryshme.

Regjisori Agim Sopi, punën e ish-ministrit Beqiri e vlerësoi si të dështuar, pavarësisht se emërimi i tij, dy vjet më parë, ishte mirëpritur nga komuniteti i artistëve.

“Fatkeqësisht, zoti Beqiri na ka zhgënjyer për të keq. Kultura, gjatë mandatit të zotit Beqiri, ka degraduar edhe më shumë, për të mos thënë se është bllokuar totalisht. Ai nuk ka arritur të krijojë një ambient kulturor, e aq më pak që të ketë ose të sajojë një politikë kulturore”.

“Shpresojmë që gjërat do të përmirësohen dhe do të ketë ndryshime pozitive, për vetë faktin se zoti Haziri është një personalitet afër kulturës, ka përvojë politike dhe përvojë menaxhuese”, tha Sopi.

Por, ndryshe u shpreh Baki Jashari, drejtor i Filarmonisë së Kosovës, i cili e vlerësoi lart punën e deritashme të ministrit në largim, Valton Beqiri.

“Duhet të vlerësohet lart kontributi i tij në stabilizimin e gjendjes në Ministrinë e Kulturës, meqë nuk duhet harruar faktin se në kohën kur ministri Beqiri e ka marrë postin, situata në ministri nuk ka qenë aspak në rregull. Ministri Valton Beqiri, gjatë këtyre dy vjetëve, ka bërë shumë në konsolidimin e pothuajse të gjitha institucioneve”.

“Gjatë vitit 2009 janë bërë lëvizje shumë pozitive dhe po ashtu edhe fillimi i vitit 2010 ka qenë në këtë frymë. Shpresoj se edhe me këto ndërrime do të vazhdojë bashkëpunimi i Ministrisë së Kulturës me institucionet relevante kulturore, të cilat mbështeten nga kjo ministri”, deklaroi Jashari.


Opozita: Ndryshimet në funksion të blerjes së kohës


Partitë opozitare në Kosovë janë skeptike se ndryshimet në kabinetin qeveritar do të sjellin ndryshime pozitive në qeverisjen e vendit. Ata thonë se nuk janë ndërruar ata ministra, te të cilët janë hedhur dyshime se kanë keqpërorur paranë publike. Opozita thotë se veprimi i kreut të Qeverisë është një përpjekje për të blerë kohë.

Ndryshimet në kabinetin qeveritar të Kosovës nuk u kanë bërë përshtypje partive opozitare në Kosovë, të cilat njëzëri thonë se nuk janë shkarkuar ministrat e përfolur për afera korruptive dhe keqmenaxhim.

Shefi i Grupit Parlamentar të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ardian Gjini, shprehet skeptik se emërimet e reja, do të sjellin ndryshime pozitive në qeverisje.

“Ndryshimi që ka ndodhur në Qeverinë e Kosovës nuk do të sjellë diçka të re. Janë disa arsye që them kështu. E para është se shefi i Qeverisë, kryeministri, ka mbetur dhe nuk mund të ketë qeverisje të keqe, nëse kryeministri nuk është i tillë”.

“Njerëzit, të cilët po duket se janë larguar nga Qeveria, kanë mundur të shfaqin ndonjë dozë të moskompetencës, por përfundimisht nuk kanë qenë ata që kanë qenë thelbi i korrupsionit”, thotë Gjini.

Për riformatizimin e Qeverisë është nisur të flitet që nga nëntori i vitit të kaluar. Tërë kjo kohë, sipas shefit të Grupit Parlamentar të Aleancës Kosova e Re, Ibrahim Makolli, ka shkaktuar një presion te qytetarët, ndërkaq i ka mbajtur nën tension ministrat.

Ai i quan kozmetike ndryshimet e publikuara të mërkurën nga kryeministri Thaçi.

“Ajo që mendoj unë është se do të duhej të ndryshonte mentaliteti qeverisës dhe koncepti i qeverisjes, sepse, nëse vazhdon ky mentalitet qeverisës, ndryshimet e brendshme janë të kota dhe mua më duken vetëm kozmetike”.

“Pa një program të qartë qeverisës, pa vizion të qartë, pa objektiva të qarta të qeverisë, është e pamundur të shpresohet në zhvillime pozitive të Qeverisë në muajt në vijim”, shprehet Makolli.

Kryeministri Thaçi ka lavdëruar punën e ministrave të shkarkuar. Opozita e sheh këtë si një paradoks dhe kërkon shpjegime nga kreu i Qeverisë se pse i shkarkoi ministrat përkatës.

Një përgjigje të tillë kërkon edhe nënkryetarja e Lidhjes Demokratike të Dardanisë, Besa Gaxherri.

“Dikasteret, që është folur më së shumti për korrupsion dhe keqmenaxhim, nuk janë prekur fare. Veç kësaj, kjo Qeveri duhet të na japë konkretisht përgjigjen – për çka janë shkarkuar këta ministra”.

“Dhe, nëse vërtet është dashur të shkarkohen, këta duhet të ndiqen dhe të japin llogari për punën e tyre që nuk e kanë bërë ashtu si duhet”, thotë Gaxherri.

Me emërimet e reja, janë dy ministra që rikthehen në Qeveri- është ish-kryeministri Bajram Rexhepi, që merr postin e ministrit të Punëve të Brendshme, si dhe Lutfi Haziri, që emërohet ministër i Kulturës.

Besa Gaxherri, kritikon kreun e Qeverisë për angazhimin e Hazirit, meqë, siç thotë ajo, ka qenë Haziri ai që ka kritikuar vazhdimisht Qeverinë gjatë fushatës parazgjedhore.

Partitë opozitare e shohin veprimin e kreut të Qeverisë si një përpjekje për të blerë kohë dhe për të shfaqur para opinionit si dhe komunitetit ndërkombëtar ndryshimet, që, sipas opozitarëve, nuk janë tjetër veçse kozmetike.

/Evropa e Lire/

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)