02 Prill 2020

Shenaj Shala emërohet Këshilltare e Jashtme Politike në kabinetin qeveritar

Prishtinë, 26 shkurt - Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, ka emëruar sot znj. Shenaj Shala, Këshilltare të Jashtme Politike, e angazhuar pro bono, dhe është përgjegjëse e Protokollit në Kabinetin e Kryeministrit.

Shenaj Shala është specialiste e protokollit, konsulente e mirësjelljes, mentore dhe ligjëruese e pavarur. Ajo mbaroi studimet master në vitin 2014 në Bruksel në “The International School for Protocol and Diplomacy” (ISPD).

Mes viteve 1999-2013, znj. Shala punoi për Organizatën e Kombeve të Bashkuara në Kosovë dhe Afrikën Lindore si Asistente Personale e Përfaqësuesit Special të Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së.

Nga viti 2013-2015 z. Shala punoi për “Shell Oil & Petroleum” si Koordinatore e Shell Qendrës së Trajnimeve në Lindjen e Mesme.

Në qershor të vitit 2015 ajo u emërua Zyrtare Ndërlidhëse për Ballkan e ISPD-së, kurse në vitin 2018 znj. Shala mori titullin e njërës prej 15 trajnereve globale për ‘pitch’ dhe aftësitë e prezantimit në “International Pitch School for IDACB” (International Decentralized Association for Cryptocurrency and Blockchain).

Shenaj Shala vazhdon të mentorojë dhe këshillojë ndërmarrësit e rinj në Kosovë duke u fokusuar në aftësitë e buta dhe temat si komunikimi efektiv, të folurit në publik, inteligjenca emocionale dhe fjalimet motivuese; si dhe është trajnere personale e shumë figurave publike në Kosovë përmes këshillimit për paraqitjet mediale, imazhin personal, gjuhën e trupit dhe komunikimin jo verbal. 

Kalendari

Ngjarjet e datës 2 Prill 2020

- Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, pret në takim kryetarin e AAK-së, Ramush Haradinaj, për t’u konsultuar lidhur me formimin e Qeverisë së re, ose shkuarjen në zgjedhje. (Zyra e Presidentit, ora 10:00) 

- Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, pret në takim kryetarin e Listës Serbe, Goran Rakiq. (Zyra e Presidentit, ora 10:30) 

- Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, pret në takim kryetarin e Nismës, Fatmir Limaj. (Zyra e Presidentit, ora 11:00) 

- Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, pret në takim përfaqësuesit e Grupit Parlamentar 6 Plus. (Zyra e Presidentit, ora 11:30)