16 Prill 2024

Salihu: Kosova nuk do ta zë hapin deri në 2025 për t’u integruar në BE

Intervistë me hulumtuesin e lartë në Institutin GAP Bekim Salihu

Salihu: Kosova nuk do ta zë hapin deri në 2025 për t’u integruar në BE

Brukseli zyrtar tani ka një agjendë të zgjerimit të saj drejt Ballkanit perëndimor që e ka emëruar zgjerimi 2025, por Kosova deri atëherë sipas këtij ritmi nuk do të arrijë as ta përmbush as MSA e lere të pritet për t’u integruar në BE.

Z.Salihu Instituti GAP se fundmi ka nxjerr një raport lidhur me zbatimin e MSA nga niveli lokal, ku qëndron ky nivel i pushtetit në përmbushjen e kësaj marrëveshje?

Si Institut kemi dashur të shohim se cilat janë obligimet që kanë komunat në përmbushjen e MSA dhe cilat janë të arriturat, ngecjet dhe problemet në këtë mes. Komunat kanë 146 veprime për t’i përmbushur nga MSA.

Këto obligime janë saktësuar nga Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal në bashkëpunim me Ministrin e Integrimit Evropian.

Gjendja në terren tregon se disa hapa janë bërë nga komunat për ta përmbushur MSA, por akoma procesi i përmbushjes se MSA është në fazën teorike, akoma nuk kemi dal të gjendja praktike. 

Kur të kalojmë në ketë fazë vështirësitë dhe ngecjet do të jenë më të mëdha. Pra nëse MSA parasheh që komunat të hartojnë një rregullore për fëmijë dhe kjo rregullore miratohet, atëherë konsiderohet që është plotësuar ose përmbushur një kusht i MSA, por në faza tjera do të shikohet nëse rregullorja e njëjtë po gjen zbatim në terren dhe po jep rezultatet e synuara.

 Shikuar në tërësi të arriturat me të mëdha të komunave në përmbushjen e MSA janë themelimi dhe inkuadrimi i minoriteteve në këshillat për siguri në bashkësi, zbatimi i obligimeve ligjore në përdorimin e gjuhëve zyrtare, ndërmarrja e masave në mbrojtjen e të dhënave personale, evidentimi i shkallës së braktisjes së shkollës nga nxënësit, largimi i deponive të egra nga zonat e banuara si dhe e arritur tjetër vlerësohet hartimi i planeve komunale në efiçiencë të energjisë.

Ndërsa nëse flasim për ngecje ose vështirësi të deritanishme në përmbushjen e MSA ka dal të jenë reforma e administratës publike në nivel lokal, mbrojtja e trashëgimisë kulturore, mbrojtja e tokës bujqësore dhe resurseve pyjore, zbatimi i rekomandimeve të auditorit si dhe mbrojtja e shëndetit publik.

Z.Salihu a janë komunat e përgatitura për këtë proces?

Komunat nuk ofrojnë praktika ose menaxhim unik të këtij procesi. Disa komuna kanë zyre për integrime evropiane, disa kanë vetëm zyrtar për integrime evropiane, disa komuna kanë drejtori për integrime evropiane, ndërsa tani se voni një komunë ka krijuar zyre për marrëdhënie ndërkombëtare dhe brenda saj e ka paraparë edhe zyrtarin për integrime evropiane.

Për veç kësaj disa komuna zyrtarët për integrime evropiane i paguajnë me koeficient 9.5, disa tjera me koeficient 6.

Në disa komuna zyrat për integrime evropiane kanë deri në katër persona të punësuar, ndërsa në shumicën e zyrave tjera kanë vetëm nga një zyrtar të punësuar.

 Zyrtarët për integrime evropiane në shumicën e rasteve janë të shtyrë në moshë, nuk njohin gjuhet e huaja dhe trajnimet që i marrin nuk janë adekuate për funksionet që kryejnë.

Komunat do të ishin shumë me mirë në menaxhimin e këtij procesi nëse do të zbatonin ose respektonin rregulloren e zyrës se kryeministrit të qeverise se Kosovës 08/2011 e cila rregullore është nxjerr për ta rregulluar nivelin lokal të pushtetit kundruall agjendës integruese të vendit. Kjo rregullore përgjithësisht është shpërfillur nga komunat. 

Shembull rregullorja saktëson ose kërkon që gjithë zyrtarët për integrime evropiane në komuna të jenë të ftuar dhe të përfaqësuar në takimet që thërret kryetari i komunës që kanë për qellim vendimmarrjen, por në praktik kjo nuk respektohet.

Zyrtarët për integrime as nuk ftohen dhe as nuk përfaqësohen. Për veç kësaj zyrtarët për integrime obligohen të shkojnë nga dera në derë nëpër drejtori komunale për të marr informata në lidhje me atë se çka po ndërmerret në fushat cilat janë edhe obligime të MSA.

Z.Salihu procesi i integrimit evropian përgjithësisht kuptohet si proces që i takon nivelit nacional, jo edhe atij lokal, a mund të ndodh që komunat janë ngarkuar pa të drejt edhe me këtë proces?

Jo komunat nuk janë ngarkuar pa të drejtë, ngase janë disa të drejta e kompetenca që i takojnë ekskluzivisht nivelit lokal të pushtetit. Pajtohem që ekziston përshtypje që procesi i integrimit evropian e rrjedhimisht nga kjo përmbushja e kushteve dhe obligimeve në këtë rrugëtim është përgjegjësi vetëm e nivelit nacional. Por kjo është gabim.

Komunat nuk janë përgjegjëse vetëm të rasti i MSA-së.  Nga 95 kritere ose obligime që ka pasur t’i përmbush Kosova për liberalizim të vizave 27 nga to kanë qenë  detyra ose përgjegjësi e nivelit lokal.

Për veç kësaj komunat qysh në 2012 janë angazhuar në procesin e riatdhesimit dhe ri integrimit të personave që u është refuzuar azili në shtetet e BE-së.

Po ashtu komunat në vazhdimësi kanë pasur përgjegjësi për t’i përmbushur disa nga rekomandimet që ka nxjerr Komisioni Evropian nëpërmjet raporteve të vendit.

Pra nga kjo po kuptohet se niveli i detyrave dhe përgjegjësive që kanë pasur dhe që do të vazhdojnë të kenë komunat në përmbushjen e obligimeve që dalin nga agjenda integruese e vendit është e rëndësishme.

Ky dimension duhet të kuptohet si i tillë edhe nga niveli qendror, ngase ka pasur raste kur ky nivel i pushtetit e ka nënvlerësuar dhe anashkaluar kontributin e nivelit lokal në agjendën integruese të vendit.

z.Salihu nga kjo që keni hulumtuar dhe konstatuar ju kur mund të pritet që Kosova të përmbush kushtet që kërkohen në MSA?

Kemi dy lloj të vlerësimeve që nxjerrën aktualisht për përmbushjen e MSA. Ministria e Integrimit Evropian që i referohet nivelit nacional flet për 12% të përmbushjes se MSA në tërësi deri tani, ndërsa MAPL që u referohet komunave flet për 67% të përmbushjes se kësaj marrëveshje.

Pavarësisht shifrave që u referohemi, gjendja tregon se jemi larg përmbushjes se kushteve teknike e juridike që kërkohen me MSA.

Brukseli zyrtar tani ka një agjendë të zgjerimit të saj drejt Ballkanit perëndimor që e ka emëruar zgjerimi 2025, por Kosova deri atëherë sipas këtij ritmi nuk do të arrijë as ta përmbush MSA e lere të pritet për t’u integruar në BE.

Z.Salihu a ka Kosova mekanizma të nevojshëm që mundësojnë ndërmarrjen e veprimeve për t’i përmbushur kushtet për integrim në BE

Kosova është i vetmi vend në rajon që orientimin për integrim ne BE e ka përfshirë edhe në preambulën e kushtetutës se saj.

Aty shprehet përkushtimi dhe zotimi i republikës për mobilizim institucional e shoqëror që të arrihen kriteret për integrim të vendit në Bashkimin Evropian.

Në pikëpamje të strukturës institucionale, Kosova ka mekanizma të ndryshëm që punojnë për përmbushjen e kushteve drejt integrimit në BE.

Kosova ka Ministri të Integrimit Evropian, qeveria e Kosova e ka një këshill ministror për integrime evropiane, presidenca e Kosova ka themeluar një këshill nacional për integrime evropiane, secila ministri e Kosova e ka nga një departament ose drejtori për integrime evropiane, komunat e Kosovës i kanë mekanizmat përkatës për integrime evropiane, edhe asociacioni i komunave të Kosovës e ka një kolegjium të integrimeve evropiane, ndërsa rol dhe kontribut në këtë drejtim japin edhe organizatat e shoqërisë civile.

Z.Salihu çka keni rekomanduar ju si Institut për t’u ndërmarr me qellim që përmbushja e obligimeve të MSA nga niveli lokal të përmirësohet

Rekomandimet e nxjerra i adresohen Ministrisë së Pushtetit Lokal, Ministrisë se Integrimit Evropian, Komisionit Parlamentar për Integrime Evropiane si dhe komunave.

Nga Ministria e Integrimit Evropian kemi kërkuar që kjo ministri të pranoj dhe vlerësoj kontributin që jep pushtetit lokal në agjendën integruese të vendit.

Njëherazi nga kjo ministri kemi kërkuar që të nis të mbaj kontakte të vazhdueshme me pushtetin lokal me qellim të koordinimit por edhe inkurajimit.

Nga Ministria e Pushtetit Lokal kemi kërkuar që të themelojnë një komision punues i cili do të bënte verifikimet e nevojshme të informatave që japin komunat sa i përket përmbushjes se MSA-së, ngase kemi hasur raste kur komunat i kanë ekzagjeruar të arriturat e tyre.

Nga komunat kemi kërkuar respektim dhe zbatim të rregullores 08/2011, ndërsa nga Komisioni Parlamentar për Integrime Evropiane kemi kërkuar që ky komision se paku dy herë brenda vitit t’i thërras në dëgjim publik zyrtarët për integrime evropiane dhe atë të pushtetit lokal për t’i diskutuar të arriturat dhe sfidat që kanë komunat në përmbushjen e MSA-së.



 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)