28 Mars 2024

RrGK lanson raportin “Një ulëse në tryezë”

Prishtinë, 14 prill - Rrjeti i Grave të Kosovës (RrGK) ka lansuar online raportin “Një ulëse në tryezë: Kontributi i grave në proceset e ndërtimit të paqes në Kosovë dhe pritjet e tyre nga këto proces”.

Ky raport i cili u realizua me mbështetje të UN Women, përmes Fondit të Ndërtimit të Paqes, shqyrton rolet, kontributet dhe nevojat e grave, veçanërisht vajzave, në lidhje me paqen dhe proceset e sigurisë në Kosovë që nga viti 1989.

Vëmendje e veçantë i kushtohet rolit të organizatave për të drejtat e grave në proceset e ndërtimit të paqes. Gjithashtu, ky raport përmban rekomandime për avancimin e paqes dhe sigurisë në Kosovë, posaçërisht në kontekstin e dialogut midis Kosovës dhe Serbisë.   

Lansimi i këtij raporti bëri bashkë përfaqësues/e të institucioneve të Kosovës, organizatave ndërkombëtare, si dhe organizatave të shoqërisë civile për të drejtat e grave.

Igballe Rogova, Drejtore Ekzekutive, RrGK ka falënderuar të pranishmet që kanë ndarë kohën për t’u bashkuar në lansimin e këtij raporti më të dhëna të dobishme për avancimin e barazisë gjinore.

“Raporti “Një ulëse në tryezë” përmban ngjarje që prej vitit 1989, ne kemi dashur të dokumentojmë rolin që kanë pasur organizatat e grave në proceset e ndërtimit të paqes. Natyrisht ne kërkojmë më shumë se një ulëse, por një ulëse për fillim, e pastaj ai numër do të dyfishohet e trefishohet”, tha ajo.

Dr. Vjosa Osmani-Sadriu, Presidente e Republikës së Kosovës, në video mesazhin e saj për lansimin e raportit “Një ulëse në tryezë”, u zotua se do të punojë së bashku me organizatat e grave për të garantuar se zëri i grave do të dëgjohet edhe në procese të paqes dhe të sigurisë.

“Kontributi i grave në procese vendimtare të ndërtimit të shtetit tonë është i jashtëzakonshëm dhe roli i tyre kurrsesi nuk mund të mohohet. Gratë dhe vajzat ishin aty kur luftohej për liri, ato ishin aty kur e vulosëm pavarësinë, ato janë pjesë e rrugëtimit tonë të shtetndërtimit. Por, shpeshherë ato nuk janë dëgjuar aq sa duhet në procesin e ndërtimit të paqes”, ka thënë Osmani-Sadriu.

“Gratë vërtetë e kanë vendin në tryeza vendimmarrëse, dhe ky nuk është vetëm vendim i duhur, por është edhe më i mençuri”, ka shtuar ajo, teksa ka theksuar se mirëpret rekomandimet e këtij raporti.

Kurse, Vlora Tuzi Nushi, Shefe e Zyrës së UN Women në Kosovë, ka kujtuar faktin se ky lansim po bëhet në përvjetorin e Rezolutës së Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara 1325 për Gratë, Paqen dhe Sigurinë, duke thënë se qëllimi ka qenë që së bashku me RrGK-në t’a lansojnë këtë raport në përvjetorin e Rezolutës.

“Ashtu siç e thotë edhe raporti, mungesa e grave në procese të paqes në fakt zvogëlon mundësitë e avancimit dhe zhvillimit socio-ekonomik të një vendi. Do të punojmë së bashku me ju që gjithmonë të sigurohemi që gratë dhe vajzat të jenë në tavolinat ku merren vendime bashkë me burrat”, tha ajo.

Tutje, fjalën e mori Ulrika Richardson, Koordinatore e Kombeve të Bashkuara për Zhvillim.

“Është e qartë se përjashtimi i grave nga proceset vendimmarrëse nuk do të ofrojë zgjedhjet më të mira të mundshme. [... ] Pjesëmarrja e grave  në çfarëdo procesi të vendimmarrjes do ta bëjë atë proces më të qëndrueshëm dhe më gjithëpërfshirës.”

Ndërsa, Zana Hoxha, Drejtore Ekzekutive, Artpolis dhe Anëtare e Bordit të RrGK-së ka kujtuar se proceset e paqes në të cilat përfshihen gratë kanë arritur që të krijojnë paqe më të qëndrueshme.

“Ne në Artpolis jemi munduar që të krijojmë hapësirë për të diskutuar për çështje që ngrisin ndërgjegjësimin e komunitetit, ndër të tjerash për barazi gjinore dhe të drejtat e grave. Kujtojmë se bazuar në hulumtime të shumta është parë që proceset e paqes në të cilat përfshihen gratë kanë arritur që të krijojnë paqe më të qëndrueshme.”

Prezantimi i gjetjeve kyçe të hulumtimit dhe rekomandimeve u bë nga Nicole Farnsworth, bashkë-autore, Drejtore e Programit dhe Hulumtuese Kryesore, RrGK, dhe Majlinda Behrami, bashkë-autore, Koordinatore e Projektit, RrGK.

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)